Përvëlimi për atdhe!

Nga Enver Robelli

Për çdo vit, gjatë verës, i shohim këto skena dhe i dëgjomë më shumë pa dashje këto muhabete: një grumbull mërgimtarësh mblidhen në kafehanen kryesore të qytetit apo fshatit në Kosovë apo në Maqedoninë shqiptare, nxjerrin pakot me cigare për të cilat në mbarë botën bën reklamë një kauboj mbi kalë, porosisin kafenë e mëngjesit dhe fillojnë t’i tregojnë njëri-tjetrit se si kanë kaluar gjatë rrugës – nga Zürichu në Zhegër, nga Hamburgu në Hajkobillë, nga Gjeneva në Gjakovë, nga Paderborni në Pejë, nga Ludwigshafen në Lipjan, nga Frankfurti në Ferizaj, nga Gerlafingeni në Gostivar, nga Taunussteini në Tetovë. «Mes Mynihut dhe Salzburgut kishte pak kolonë, sepse, o vëlla, edhe këta gjermanët shkojnë në pushime, në Itali», thotë njëri. «Te Vjena pritëm nja gjysmë ore, sepse, o vëlla, edhe këta austriakët shkojnë në pushime, kryesisht në Kroaci», vazhdon tjetri. I treti ndërhyn: «Dreqi e marrtë, në atë tunelin mes Austrisë e Sllovenisë ishte tollovi e madhe». Fjalën e ka për tunelin që sllovenët e quajnë «Predor Karavanke», e në gjermanisht njihet si «Karwankentunnel». I katërti, që mezi ka duruar të marrë fjalën, rrëfen se ka pritur një orë në kufirin slloveno-kroat, aty ku gjendet edhe kufiri i fundit i Schengenit dhe ku, për dallim nga vendet perëndimore, ende qëndrojnë policë kufitarë dhe doganierë.

Udhëtimi vazhdon pastaj nëpër autostradën që nga Zagrebi nëpër trevën e Sllavonisë të çon drejt Beogradit dhe tutje drejt vendlindjes – qoftë ajo në Kosovë, Maqedoni apo Luginë të Preshevës. Duke iu afruar Serbisë mërgimtarët nisin të mendojnë e diskutojnë me bashkëudhëtarë nëse edhe sivjet do të presin gjatë në kufirin kroato-serb. Në çdo pikë karburanti në Kroaci skena të ngjashme: disa nguten të mbushin veturat me benzinë apo naftë, disa presin para nevojtoreve të pista, që u vjen një duhmë e rëndë, e disa pak më tutje, pasi kanë shtrirë një batanije mbi bar, flenë me loçkë të zemrës. Vetëm turqit janë më kreativë në mënyrën e tyre: ata me vete kanë marrë samovarët (ose «gjygymat» e çajit, siç thuhet në Kosovë). Ia shtrojnë muhabetit afër pikave të karburantit të firmës kroate INA, pinë çaj të zi dhe ëndërrojnë Stambollin, Izmirin apo ndonjë qytet tjetër.
Udhëtimi nga kufiri slloveno-kroat te ai kroato-serb zgjat pak më shumë se dy orë. Afër lokalitetit Lipovac shpeshtohen veturat në autostradë. Kjo është një shenjë e qartë se së shpejti do të shfaqet pika për të paguar tarifën e autostradës dhe pastaj vjen vendkalimi kufitar Bajakovo (Kroaci) dhe Batrovci (Serbi). Është ditë e shtunë e korrikut 2015, kulmi i sezonit, atëherë kur qindra-mijëra njerëz nga Europa perëndimore dynden në jug të kontinentit. Secili llogarit se pritja do të jetë e gjatë në kufi me Serbinë, por që kjo pritje të shkojë deri në 4 apo 5 orë – me këtë s’llogarit askush. Veturat lëvizin me hapin e breshkës, pastaj 20 minuta qëndrim në vend, pastaj ecje nja 5 deri 10 metra, mandej sërish durim nja 30 minuta, derisa termometri tregon se temperatura po afrohet te 35 gradë celsius. Kanë kaluar tashmë dy orë në kolonë dhe fundi i saj s’shihet askund, as nuk shihet flamuri kroat në horizont, i cili valon mbi ndërtesën e pikës kufitare.

Gjatë këtyre dy orëve njeriut i bie të dëgjojë të gjitha fyerjet e mundshme nga arsenali mbresëlënës ballkanik. Janë fyerje që u drejtohen policëve kroatë dhe serbë, doganierëve kroatë dhe serbë, qeverive të këtyre dy vendeve. Dikush thotë se serbët po punojnë ngadalë, tjetri ia kthen se kroatët tani kryejnë kontroll më të rreptë në kufi, fundja kufiri i tyre është edhe kufi i Bashkimit Europian. Autostrada shndërrohet në pazar thashethemesh, jo pak shoferë aventurierë hidhen në korsinë e tretë për të tejkaluar – gjë që është absolutisht e ndaluar, sepse ajo shërben për ndalim vetëm për raste urgjente, kur, ta zëmë, ke ndonjë defekt në veturë. Kush pyet për rregulla, këtu vlen ligji i të fortit, ligji i të paskrupulltit. Në të dy anët e autostradës shihen fusha të pafundme të mbjella me grurë, elb, misër. Kushtet sanitare janë të tmerrshme në autostradë dhe vazhdimisht shihen udhëtarë duke vrapuar në arën me misër. Nëse në atë vapë të madhe i ke pirë dy apo tri litra ujë, diku duhet të lehtësohesh. Njerëzore, e kuptueshme. Më së rëndi e pësojnë foshnjat: terrori i vapës dhe pampersat plot e bëjnë jetën e tyre të njomë gati të padurueshme.

Ata që s’kanë më durim vendosin të dalin nga autostrada, të nisen drejt Vukovarit, me shpresë se mund të kalojnë në Serbi përmes ndonjë pike tjetër kufitare. Një opsion është të shkosh në fshatin kroat Tovarnik dhe nga aty të dalësh në Shid në Serbi. Atë të shtune korriku dukej se krejt banorët e Tovarnikut kishin dalë në rrugë për të parë një sallon mobil veturash nga mbarë Europa që kishte vërshuar fshatin. Orteku i teneqeve edhe këtu lëvizte me hapa breshke drejt kufirit. Pas dy orë pritjeje polici kroat të përshëndet me qetësinë e një budisti, pak a shumë ngjashëm sillet edhe kolegu i tij serb, ndërsa doganieri bën me dorë për të vazhduar udhëtimin. Kosovarët me dokumente udhëtimi të Republikës së tyre këtu duhet t’i nënshtrohen torturës së radhës: meqë pasaportat e tyre nuk i pranon Serbia, ata duhet të regjistrohen dhe pajisen me fletëudhëtime të policisë serbe. Në kufi me Kosovën duhet të çregjistrohen.

Në Serbi shqiptarët që vijnë nga Perëndimi ndalojnë për të marrë benzinë apo pirë kafe vetëm në pikat e karburantit të firmës austriake OMV. Ka në autostradë edhe pika karburanti të Lukoil-it, kompanisë ruse që operon në Serbi, por këtë shqiptarët e injorojnë sa herë që munden. Askush nuk ndalet në Serbi po nuk pati nevojë elementare: furnizim me benzinë, për shembull, shkuarje në tualet, blerje uji. Mosbesimi ndaj serbëve dhe sidomos ndaj policëve serbë vazhdon të jetë i madh dhe kjo nuk duhet të befasojë askënd. Policia serbe ndër shqiptarë ka imazhin e një trupe terroriste dhe bande plaçkitëse. Të gjithë mërgimtarët mund të tregojnë me ditë të tëra rrëfime se si janë plaçkitur nga policët e doganierët serbë në çerekshekullin e fundit, si janë keqtrajtuar e frikësuar, si janë mbajtur me orë të tëra në kufi pa asnjë arsye. Disa madje e kanë pësuar edhe më keq. Në vitin 2007 një shqiptar nga Maqedonia ishte nisur nga Zagrebi për në vendlindje dhe në Serbi ishte ndalur nga një bandë, e cila e kishte kidnapuar dhe vrarë.

Shumica e mërgimtarëve atë të shtunë dukeshin të lodhur për vdekje pas pritjes mes 4 dhe 5 orë në kufirin kroato-serb. Por tmerri s’merrte fund aty. Diku mes Beogradit dhe Nishit ndonjë drejtor idiot për mirëmbajtjen e rrugëve ka vendosur që në kulm të sezonit të shtrojë nja 1,5 kilometra autostradë me asfalt të ri – dhe ky vendim ka për pasojë edhe një kaos në rrugë dhe pritje deri në 2 orë.

Terri fillon të bie pak para Nishit dhe tani vjen pjesa më e rrezikshme e rrugës: lugina e Gërdelicës, atje ku deri para pak vitesh tunelet nuk kanë qenë të pajisura as me drita. Në këtë pjesë po ndërtohet autostrada që do e lidhë Leskovcin me Preshevën dhe tutje me Maqedoninë. Së paku ky është një investim i mirë i Qeverisë së Serbisë.

Rruga drejt Bujanovcit kalon nëpër kantiere autostrade. Sa më afër Kosovës, aq më e shpeshtë pyetja ndër mërgimtarë: «Athua sa do të presim tani në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës?» Përgjigjja është kjo: së paku edhe tri orë. Sërish ecje me hapin e breshkës, sërish një koncert sirenash e fyerjesh në adresë të policisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës, të cilat punojnë tepër ngadalë. Më së shumti mallkime u drejtohen pushtetarëve të Kosovës për shkak të plaçkitjes në kufi në emër të një sigurimi për automjete. Shqiptarë që vijnë nga Perëndimi dhe që i kanë të siguruara veturat në kompanitë më të rëndësishme europiane që nga viti 1999 duhet të paguajnë një lloj haraçi në kufi, i cili formalisht shkon në xhirollogarinë e shoqatës së sigurimeve kosovare, por jo rastësisht aty, në poste udhëheqëse, i kanë dërguar familjarët sundimtarë gjarpërorë dhe oligarkë të neveritshëm.

Në orën 2 të natës, pasi ke kaluar gati 10 orë duke pritur në gardhet ballkanike të quajtura kufi, polici i Republikës Kosovës me keqardhje thotë se ata po e kryejnë punën, por «pala tjetër» po punon ngadalë. Askush nuk ka kohë të dëgjojë rrëfime të tilla tipike ballkanike, ku fajtor përherë është tjetri. Udhëtimi me veturë nga Europa perëndimore në Ballkan është një tmerr i vërtetë. Dhe një leksion i mirë për të kuptuar përse Serbia, Maqedonia dhe Kosova janë larg për t’u bërë shtete funksionale. Tash, në javët e para të gushtit, fillon tmerri i kthimit: sërish nga Merdari apo Dheu i Bardhë do të vijnë lajme se mërgimtarët po presin nga 4 deri 5 orë për të hyrë në Serbi.

Shqiptarët në mërgim vazhdojnë të përvëlohen për atdhe – shpirtërisht dhe fizikisht!

SHKARKO APP