Pesha e rëndë e antikomunizmit

Nga Mihallaq Qilleri/

Tashmë ka 25 vjet që komunizmi, – një emërtim sistemi spekulativ, të cilin nuk e përmendte askush, as atë kohë kur thuhet se sundonte, përkundrazi quhej thjesht socializëm, – vazhdon të rëndojë te banorët e Shqipërisë, (qytetarë e fshatarë), si një hije reje, bashkëfajtorësh, madje, bashkëfajësi kolektive që qarqe të caktuara mundohen t’i imponojnë opinionit publik. Aq e rëndë është kjo peshë sa tortura psikologjike ka ngjyrosur sistemin politik demokratik, sa herë në pushtet vjen Partia Socialiste, një parti e qendrës së majtë, pjesë e Internacionales Socialiste, pra një socialdemokrate e pranuar nga kapitalizmi botëror. Rutina e akuzave të një pakice, e cila nuk siguron asnjëherë më shumë se 30 për qind të votave, duke përfshirë këtu edhe komunistët e orëve të para, të pushkatuar e dënuar nga Partia e Punës jo për pikëpamje demokratike, por për skema mizerabël interesash personale, apo të shërbimeve të huaja. Dhe nuk mund të jetë më shumë, megjithë të zhgënjyerit socialistë të cilët nuk i bënë deputetë, kryetarë bashkie, apo zyrtarë sipas mendjes së tyre, por thjesht i shpërfillën për mungesë talenti, apo inate personale. Edhe këta kaluan ‘djathtas”.

Sondazhet kanë treguar se 80, apo 90 për qind e shqiptarëve tashmë janë pro pranimit të vendit në Bashkimin Europian- një bashkësi shtetesh kapitaliste,- se 95 për qind janë pro anëtarësimit në NATO, – ose në sistemin e mbrojtjes kapitaliste ngritur dikur si kundërvënie e Traktatit të Varshavës-  dhe, nëse ende ekzistojnë 500, apo 1000 njerëz që në ditët përkujtimore të Luftës Antifashiste mbajnë nëpër duar portretin e Enverit, kjo është një mundësi e vet demokracisë. Këta të 500, apo 1000 në kohën e socializmit totalitar, por të guxonin të parakalonin me portretin e Zogut, e pakta do të burgoseshin, e shumta do pushkatoheshin.

Por jo, nuk është as ky shkaku i një antikomunizmi të shfrenuar që mban ndezur një valë urrejtjeje mes popullit shqiptar. Interesa të çuditshme politike ndërsejnë një batalion ish të përndjekurish të cilët, me të drejtën e Zotit për vuajtjet e tyre,  me gjithë këstin e Pestë të shpërblimit, të vijojnë ta quajnë një bunker butaforik -turistik si përpjekje për ringjalljen e komunizmit. Nuk u bën aspak përshtypje bunkeri i Fatos Lubonjës në krah të ish- Komitetit Qendror! Dhe e djegin, u vënë flakën ndërtimeve me taksat e qytetarëve, thyejnë xhamat e ministrive. Një brez 25-30 -vjeçarësh, të cilën përbëjnë sot shumicën e popullsisë së vendit, nuk kanë asnjë detyrim moral e pasuror, por as ndonjë borxh për t’u paguar këtyre njerëzve si shpërblime të majme, privilegje pushtetore, sikundër nuk kanë përse të vazhdojnë t’u paguajnë ish-veteranëve të Luftës së Fundit Botërore  pensione ekstra.

E gjithë kjo klimë, jo vetëm politike, por edhe barrë ekonomike, e gjithë kjo trysni mbi ata që nuk kanë kurrfarë lidhje me ish të përndjekurit, që i shkakton vendit klithma histerike, dhimbje koke, morale e ekonomike, akuza për ish-komunistë e ish-tradhtarë, kur vëmendja e secilit duhet të jetë përparimi i Shqipërisë, përparim në sistemin e vlerave politike që kemi përzgjedhur tashmë. Dikush mund të më thotë se kjo qenka liria e fjalës, liria në demokraci, liria për t’ia bërë edhe nënën tjetrit nëse ai nuk është, rastësisht, në një parti me ty.

Komunizmi, ose më saktë ëndrra krishtërore e doktrinarëve të tij për një botë të të barabartëve ka qenë romantizëm për njerëzimin qëkurse lindi. Marksizmi nuk predikoi aspak sisteme obskurantiste që mbinë si hibride, – sipas kushteve të secilit vend. As kam ndërmend të tregoj sesi këto teori të barazitizmit e populizmit i bën romantikë miliona njerëz, sidomos në shtete të tilla aq të varfra si Shqipëria. Nëse ka pasur krime shpesh harrohet se ata që i kanë bërë nuk kishin ardhur nga planete të tjera, por qenë shqiptarë, të njëjtë me ata që ndoqën nga vendi Ismail Qemalin, që vranë Avni Rustemin, Bajram Currin, që dënuan me vdekje Fan Nolin, që vranë  Luigj Gurakuqin e Hasan Prishtinën, që nuk i botuan vargjet Migjenit, që ia mbathën nga Shqipëria një ditë para pushtimit fashist të vendit, që bashkëpunuan me nazistët pushtues. Sikundër ka ekzistuar një vatër rreziku që quhej Lufta e Ftohtë, kur, – siç u publikuan dokumentet e deklasifikuara ditët e fundit,-  bombat termobërthamore mund të goditnin, midis të tjerave, edhe Tiranën e Kuçovën. Këta hedhës bombash, gjithsesi, kishin bashkëpunëtorët e tyre edhe këtu. Lufta për ekzistencë sistemesh politike do të kishte fitimtarët e viktimat e veta.

Ç’them! Ne kemi vuajtur gjithmonë nga reminishencat e historisë bizantino-otomane dhe nuk mjaftuan qindrat e studentëve  që studiuan në Vjenë, Paris, Romë, Athinë, Stamboll, Moskë e Leningrad, Pragë e Laipsig, për të ndryshuar mentalitetet barbare të pushtetarëve e partiakëve. Sistemet shoqërore kanë një cak jetëgjatësie. Shoqëria njerëzore ka përjetuar skllavërinë, feudalizmin, kapitalizmin e ironizuar aq dhimbshëm nga Çarli Çaplini, socializmin enverian, por dhe rrëmujën sistemore të Sali Berishës e Fatos Nanos. Ka një etje njerëzore  për të harruar gjithçka të hidhur ka ndodhur dikur, para 25, 50, apo 100 viteve. E natyrshme. Lëreni frymën e ndryshmit të sillet me trupin e vet si të dëshiroj, lëreni Luftën e re të Klasave të mbytet në moçalin e harresës. Mos u impononi qytetarëve të këtij vendi diçka që ekziston vetëm në mendjet tuaja, interesat tuaja elektorale a pasurore, o politikanë majmunë!

SHKARKO APP