Petraq Risto: Zhgënjimi mbi rrënjët e së vërtetës

mendim të ri. Një fakt të tillë e bën me dije shkrimtari i njohur Petraq Risto, gjatë një interviste për “Koha Jonë”. Duke shtuar më tej se në kohën e ekonomisë së tregut meqë “ligjin” e bën tregu, edhe kritika, në njëfarë mënyre, i përshtatet kësaj logjike. “Te ne thuajse mungojnë kritikë të kalibrit të lartë dhe kjo për shumë arsye”, citon gjithashtu Risto. Për të vënë në dukje edhe problematikën e mungesës së organeve letrare serioze, ku të ngrihen probleme të ndryshme dhe ku kritika dhe studiuesi ta thotë fjalën me profesionalizëm, pa prangosje …

 

Intervistoi: Sidorela Lepuri

 

Z.Risto, në këto vitet e fundit keni botuar shumë libra brenda dhe jashtë vendit. Si ndiheni në këtë atmosferë krijuese?

Pas botimit të vëllimeve poetike në Meksikë dhe Rumani (2008), të librit “I hidhur mjalti i varreve” në Francë (2009), po në vitin 2009 botova vëllimin poetik “Apo-ka-lypsi” dhe romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut”; në vitin 2010 vëllimin “Miq të dyshimit”; më 2011-ën publikova në SHBA librin elektronik në sistemin Kindle “Chess Match in the XXI Century”, poezi, shpërndarë nga amazon.com; më 2013 dritëbotova librin tjetër poetik “Udhëtar me pluhur ferri”. Gjithashtu, kam publikuar poezi në disa revista serioze letrare në ShBA, Meksikë, Rumani, etj. Por në Shqipëri, duam s’duam ne, çdo gjë kalon thuajse pa u vënë re, si hija mbi lumë, sepse më rëndësi ka hija, se sa lumi. Poezia nënvleftësohet. Por, përjashtuar hidhësinë që të sjellin këto mungesa, si dhe veprimet e pështira klanore, unë ndjehem mirë, aq më shumë kur e kuptoj që lexuesin e tërheq krijimtaria ime dhe kur shikoj që kam shumë energji brenda vetes. Për një krijues e rëndësishme është të jetë aktiv brenda një laboratori të gjallë pa njolla ndryshku dhe të çlirojë energjinë e bërthamës së tij. Vazhdoj të kem bindjen se “kalaja letrare merret nga jashtë”.

Kritika letrare është mjaft e rëndësishme për zhvillimin e letërsisë, por edhe për të orientuar lexuesin. A po orientohet lexuesi për të zgjedhur librat e duhur?

Në kohën e ekonomisë së tregut meqë “ligjin” e bën tregu, edhe kritika, në njëfarë mënyre, i përshtatet kësaj logjike. Te ne thuajse mungojnë kritikë të kalibrit të lartë dhe kjo për shumë arsye. Së pari, kritiku duhet të jetë i pavarur ekonomikisht, së dyti, duhet të ketë një status të veçantë e të mos varet nga struktura që e detyrojnë të mbështesë autorë e klane të caktuara dhe, mbi të gjitha, kritiku duhet të përgatitet në auditore të specializuara…. Nuk është e lehtë të orientohesh. Nëse do të kishim gazeta dhe revista letrare serioze, të pavarura, kritika letrare apo gazetarët specialistë të letërsisë do të dinin të orientonin saktë publikun. Fatkeqësisht te ne i bëhet reklamë, madje me zell të tepruar, edhe librave të dobët! Letërsia shqipe ka bërë hapa dhe gjysmëhapa para, në poezi e në prozë. Poezia është bërë më e thellë dhe më e ndjeshme, më e çlirshme dhe atë që poeti i dikurshëm e qëndiste”, ta zëmë, me katër vargje, apo edhe me një poezi, poeti i sotëm e përballon me densitetin, ndjeshmërinë dhe thellësinë edhe vetëm të një vargu. Kritika letrare duket se ende është në pozicion pritjeje, madje, shpesh, nuk guxon të thotë hapur të vërteta të mëdha, madje të rreket të sjellë mendim të ri e pse jo, të ndeshet pa frikë me rezistencën e ndonjë hierarku të vjetëruar. Pak kritikë të rinj kemi dhe më duket se në këtë udhë ende ka errësirë. Mungojnë organet letrare serioze, ku të ngrihen probleme të ndryshme, ku kritika dhe studiuesi ta thotë fjalën me profesionalizëm, pa prangosje, pa hijen e hijes…e natyrisht të paguhen për punën e tyre.  Shkrimtarët tashmë janë thuajse jetimë. Lidhja e Shkrimtarëve apo organizma të tjera, janë thuajse inekzistente. Institucionet e specializuara, Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhë- Letërsisë, katedrat universitare, kritikët dhe studiuesit, duhet të merren më me seriozitet me autorët shqiptarë bashkëkohës dhe me problemet e teksteve të tyre.

Ç’mendim keni për shkrimtarët e rinj? Po këshilla për ta?

Në shumë vende të zhvilluara nëse një talent është 30 apo 40 vjeç, atij nuk i thuhet “i ri”, por “i talentuar”, “i madh”, apo edhe “Gjeni”. Këtu në SHBA, përshembull, jepet dhe një çmim i përvitshëm “Genius Grants". Letërsia nuk bëhet me adoleshentë të përjetshëm. Mendoj se te ne, por edhe kudo, ka të talentuar, gjysmë të talentuar, të patalentuar, apo dhe të bjerralentuar. Jo çdo “mësymje poetike” është vlerë, por, në epokën e internetit, janë shtuar shumë dhe vargjegëlonjësit. Ka të rinj që shumë shpejt përpihen nga “hashashi i delirit”, nga “panairi i lajkeve”, madje, arrijnë dhe “të këshillojnë” të tjerët në Facebook… Them se gjithnjë do ketë të rinj të talentuar, po në këtë kohë edhe atyre u duhet të mbijetojnë, të kapërcejnë pengesat e mediokritetit, të mos joshen nga lehtësia e botimit, por nga vështirësia e shkrimit të një vepre serioze… Këshilla për më të rinjtë?… Që të mos fillojnë të japin shumë shpejt këshilla… Që më shumë të lexojnë se sa të shkruajnë… Që të fillojnë herët bashkëpunimin me elektronikën… Që t’u shmangen sa më shpejt modeleve. Gëzimi i “letrarit” që “krijon” sipas modelit të të tjerëve, i ngjan gëzimit të vjedhësit të diamantit pak para arrestimit. Poezitë “e lindura” nga plagjiatura apo reminishenca janë si ushunjëzat: vdesin disa orë pasi thithin gjakun e tjetrit.

Duke qenë autor dhe deri para pak kohe botues, ç’mendim keni për tregun e librave?

Tregu i librave ështu shumë tekanjoz, deri në paradoks. Nuk shiten shumë autorët seriozë. Përpara se të merrte Çmimin Nobel, Alice Munro u botua edhe në shqip, po libri i saj me tregime mbeti “i ngujuar” në magazinë; vetëm shpallja si fituese e Nobelit, vitin e kaluar, bëri që libri i  Munrosë të dalë nga “kulla  e ngujimit”. Edhe romani “Të dielat e gushtit” i nobelistit të ri Patrick Modiano, që publikova te shtëpia ime botuese “Globus R.” që më 2002, pati shitje të vakët, edhe pse ky autor francez atëherë ishte fitues i çmimit Gonkur… U desh të merrte Nobelin këtë vit që tregu ta kërkonte, por botimi im nuk ekzistonte më, veçse në Bibliotekën Kombëtare, kurse një roman i Modianos, i publikuar disa vite më vonë nga një botues tjetër, menjëherë u çpluhuros… Në Panairin e Tiranës u shit mirë edhe romani “Lulet e rrënimit” i nobelistit të ri botuar me shpejtësi e cilësi nga “Buzuku” i Kosovës… Edhe këtu në Nju Jork, ku jetoj prej disa kohësh, vë re se poezitë shiten shumë pak, përjashto ndonjë autor tepër të njohur. Edhe këtu si kudo tregun e mban gjallë lexuesi i mesëm, pra, edhe autorët e mesëm… Në SHBA ndihet shumë konkurenca e librit elektronik, kurse në Shqipëri ky “rrezik” ende nuk ka ardhur. Besoj se shumë shpejt libri elektronik do zërë vendin kryesor në botime dhe mundet që librat prej letre të jenë të paktë,  për luks, për bukinistët, apo për të apasionuarit e veçantë… Që tani më duket se drunjtë që s’do kthehen në letër, kanë filluar të marrin frymë më lirisht dhe të na çlirojnë një oksigjen më të pastër…

Shohim që vëmendja e opinionit dhe e lexuesve është përqendruar te librat historikë apo me kujtime. A po prodhohet letërsi e mirë në Shqipëri?

Është një fenomen botëror: memoristika dhe librat historikë botohen me tirazhe të mëdhenj, pra, kjo letërsi gjithnjë pëlqehet, mbase edhe pse lexuesit janë në një moshë të pjekur. Por gjithnjë shkruhet letërsi e mirë, fiksion, që, gjithashtu, ka lexuesit e vet të shumtë. Letërsia shqipe besoj se ka bërë hop cilësor, natyrisht jo nga shumë autorë, por cilësia bie në sy, si në poezi edhe në prozë. Kam mendimin se një nga shqetësimet kryesore është dhe zënia e “kreut të vendit” e veprave të rëndomta. E kam thënë dhe diku tjetër: “U desh të vdiste Frederik Reshpja, që të konsiderohej lirik i madh”. Po kështu “i është ngrënë haku” Kasëm Trebeshinës, një personalitet madhor i letrave shqipe. Më duket se autorët shqiptarë, veçanërisht në prozë, ende nuk guxojnë ta kapin demin për brirësh… Gjithashtu, nuk po kemi ende një shkrimtar të natyrës së Orhan Pamuk-ut, përshembull, që me cilësi të lartë artistike ‘godet' në lulen e ballit të kohës, apo si Salman Rushdie dhe Philip Roth, që të trondisin me të vërtetat dhe realitetet e hidhura në vendet e tyre. Jetojmë në një kohë tepër eruptive, me probleme e shqetësime të mëdha, që mund dhe duhet të shërbejnë edhe si ‘magmë’ për letërsinë. Shpesh më duket sikur disa nga autorët tanë kanë ndërruar vetëm këndin e shikimit dhe vazhdojnë “të filmojnë” me kamera bardhë e zi. Mungon guximi i mprehtë qytetar, kjo mbase dhe për arsye objektive, po, në fund të fundit, poeti apo shkrimtari, duke qenë njëlloj profeti, duhet të marrë mbi supe edhe përgjegjësitë e martirit…

Ju keni botuar, në mos gaboj, katërmbëdhjetë vëllime poetike, tre romane, dy vëllime me fiksione, etj, pra edhe poezi, edhe prozë. Si ndjehet poeti Petraq Risto në prozë?

Edhe në prozë ndjehem poet. Shpesh e shkruaj me frymëzim dhe vrull poetik. Tani po mbyll vëllimin me poezi që do ta publikoj në vitin e ardhshëm dhe jam duke shkruar prozë të gjatë. Romani është gjini e vështirë. Pas romaneve “Bukuroshja fantazmë dhe unë Zoti Prek Vdek”, “Avioni ‘Madam Baterflaj” dhe “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, po punoj me dy romane… Para pak ditësh nobelisti i ri, shkrimtari francez Patrick Modiano me rastin e pranimit të Çmimit të madh, mbajti fjalën e tij në Stokholm dhe në mes të tjerave u shpreh se “Imagjinata e romancierit duhet të depërtojë thellë me forcën e rrezeve infra të kuqe apo ultravioletë dhe të zbulojë se çfarë fshihet pas shfaqjes së jashtme të realitetit… Në rastin më të mirë, romancieri është një lloj drite vizionare. Është, gjithashtu, një sizmograf, i gatshëm për të regjistruar lëvizjet më të padukshme”.

Po çfarë teme trajtojnë romanet në proces?

Romani me titull të përkohshëm “Salla me hijet prej letre”, ka të mpleksur disa tema paralele, me fatet njerëzore në këtë shekull të ri me fenomene të reja, kurse “Magjistari i rrugës 77” ka një subjekt specifik, ngjarjet zhvillohen në Nju Jork, por edhe në Shqipëri…

Kam vënë re se shumë libra në poezi dhe prozë ju i përfshini në kolanën përgjithësuese “Enciklopedia e zhgënjimit”. Është zhgënjimi për sistemin e kapërcyer?…

Është një Enciklopedi vetjake për zhgënjimin në përgjithësi, edhe për sistemet dhe marrëdhëniet shoqërore, edhe për faktin tronditës që 88 persona, njerëz prej mishi dhe kocke, si unë dhe ti, kanë në pronësi gjysmën e pasurisë së planetit, madje kanë kaluar në hipotekën e Hënës dhe mundet edhe të Marsit! Është zhgënjimi për miqësinë e shpesh edhe për dashurinë. Këto janë krijime në poezi dhe në prozë. Poeti i vërtetë vuan për fatin e popullit të vet dhe me ‘armët’ e veta (të ngrohta) ‘lufton’ me të keqen kudo ku ajo ndodhet dhe shfaqet. Ne jemi bashkëkohës të rrëzimit të sistemeve, të rrëzimit të Murit të Berlinit, por edhe të ngritjeve të mureve të rinj, ringritjen e perandorive të vjetra, që tashmë përbëjnë një rrezik potencial për njerëzimin… Pra, zhgënjimi është një sëmundje njerëzore, që lulëzon dhe vyshket mbi rrënjët e së vërtetës. E vërteta universale është thelbi i poezisë, edhe pse kjo mund të tingëllojë si klithmë naive dhe “romantikë postmoderne”.

 

 

SHKARKO APP