Pistoletën e mbushur, karikator me 22 fishekë dhe mbi 100 mijë euro, si u ndalua Vladimir Gjuta nga Garda, Rama u largua nga selia me mjet të blinduar
Detaje të reja zbardhjen nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm, te selia e Partisë Socialiste, ku u kap në tentativë për t’u futur brenda selisë 40-vjeçari Vladimir Gjuta, i cili ishte i armatosur.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” dhe “News24” se Gjuta ka pasur me vete një pistoletë të mbushur, një karikator me 22 fishekë, si dhe një shumë e madhe eurosh, paundësh dhe dollarësh amerikanë, ku dyshohet të kenë qenë mbi 100 mijë euro.
Siç raportoi gazetarja Bezat, Gjuta ka bërë disa xhiro në trotuarin pranë selisë së PS, duke ngritur dyshime te punonjësit e Gardës, të vendosur në hyrje të selisë, pasi brenda sapo kishte nisur mbledhja e Kryesisë së PS e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në xhiron e pestë, Gjuta i është afruar më shumë hyrjes së PS, duke bërë që Garda të ndërhyjë dhe ta neutralizojë atë, si dhe të kërkojë përforcime nga policia, në momentin që është parë se ishte i armatosur. Ai kishte veshur një xhup të zi, pantallona të errëta dhe një kapuç në kokë.