Pjerin Ndreu bën bilancin si kryebashkiak: 7 vite punë në Bashkinë Lezhë, nga borxhi zero te rritja e investimeve

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu ka bërë bilancin e 7 viteve në drejtimin e Bashkisë. Ndreu veçon shlyerjen e borxhit, dyfishimin e buxhetit nga 12.7 në 25.5 miliardë lekë, si dhe rritjen e investimeve. Ai përmend gjithashtu 150 km rrugë rurale të ndërtuara ose rehabilituara, investimet në ujësjellësa, kanale kulluese, shkolla, kulturë dhe turizëm. Kryebashkiaku pranon se mbeten ende probleme për t’u zgjidhur dhe premton vijimin e projekteve. ”Ka gjëra që nuk shkojnë”, shkruan kryebashkiaku Ndreu, duke e mbyllur mesazhin me: “Punë, jo llafe! Për Lezhën”.

Postimi i plotë nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu

2019-2026, 7 VITE PUNË PËR LEZHËN!

Swiss Digital Desktop Reklama

Si sot, 7 vite më parë, pikërisht më 14 gusht 2019, nisëm punën në Bashkinë Lezhë. E nisëm në një institucion me vështirësi të mëdha financiare, infrastrukturore dhe organizative. Nuk dua të them se para nesh nuk ishte punuar, por gjendja që gjetëm ishte e rëndë. Bashkia Lezhë klasifikohej në zonën e kuqe, me probleme serioze financiare. Nuk dua të ndalem gjatë te çfarë gjetëm.

Swiss Digital Mobile Reklama

Dua të flas për çfarë ndryshuam, çfarë përmirësuam dhe çfarë po ndërtojmë. Sot, pas 7 vitesh, kemi arsye të shohim pas me krenari. Bëmë reformë strukturore, hoqëm rreth 400 funksione të tepërta dhe kursyem afërsisht 1 miliard lekë në vit. Gjatë këtij rrugëtimi përballuam tërmetin, pandeminë dhe krizën botërore të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Por nuk u ndalëm! E çuam borxhin në ZERO. Dyfishuam buxhetin, nga 12.7 në 25.5 miliardë lekë, ndërsa sot 65% e tij sigurohet nga të ardhurat tona, si asnjëherë më parë. Nga vetëm 17% e buxhetit ishte për investime, sot kemi arritur në 59%. Kemi ndërtuar dhe rehabilituar 150 km rrugë rurale dhe vazhdojmë. Kemi ndërtuar ose kemi në proces 7 ujësjellës. Kemi ndërhyrë në rreth 800 km kanale kulluese dhe vaditëse, duke zgjidhur problemet e përmbytjeve në mbi 85% të territorit.

Kemi rritur ndjeshëm investimet në arsim, me shkolla të reja dhe të rikonstruktuara në Shëngjin, Shënkoll, Ishull-Shëngjin, shkollën “Gjergj Kastrioti” në Lezhë, shkollën “At Gjergj Fishta”, shkollën “Marash Gjoni” në Rrilë, konviktin, si dhe kopshte në njësitë administrative, Ishull, Shëngjin dhe Lezhë. Kemi shtuar shërbimet sociale dhe kemi hapur qendra të reja. Kemi energjizuar jetën artistike, kulturore dhe sportive.

Kemi ringritur Pallatin e Kulturës, Bibliotekën dhe Qendrën Rinore dhe kemi shtuar dy muze, duke i dhënë një dimension të ri jetës kulturore dhe ofertës turistike të Lezhës. Sot jemi ndër 4 bashkitë më të mira në vend për fitimin e thirrjeve të huaja. Po ndërtojmë Qendrën e Moshës së Tretë, me mbështetjen e Halil Kastratit dhe “Jetimëve të Ballkanit”. Po përfundojmë sistemin për disiplinimin e ujërave të zeza dhe të bardha në qytet. Po nisim asfaltimin e 43 rrugëve urbane dhe 100 rrugëve rurale. Po investojmë në pedonalet e lagjeve, në zonën “Nënë Tereza” dhe në qytetin e Lezhës. Po ndërtojmë Qendrën Multifunksionale për Përpunimin e Mbetjeve të Riciklueshme. Kemi në proces dy stacione ujitjeje në Dragushë dhe Gramsh.

Kemi riformatuar skemën e pastrimit dhe kemi ngritur standardin e mirëmbajtjes së territorit. Turizmin veror e kemi çuar në nivelet më të larta, duke e kthyer Lezhën dhe Shëngjinin ndër destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit. Vendosëm gjithashtu një standard që për mua ka rëndësi të veçantë: komunikimin periodik dhe të drejtpërdrejtë me biznesin, komunitetin dhe çdo qytetar që ka një kërkesë apo ankesë. Dhe një tjetër arritje që na bën krenarë: 4 vite rresht, Bashkia Lezhë është vlerësuar me 100% transparencë!

Mund të rendisnim edhe shumë punë të tjera. Por më e rëndësishme se lista e asaj që kemi bërë është përgjegjësia për atë që ende duhet të bëjmë. Sepse ka ende shumë punë përpara! Nuk pretendojmë se çdo problem është zgjidhur dhe as se kemi përfunduar gjithçka. E dimë mirë se qytetarët presin më shumë prej nesh dhe se Lezha meriton gjithmonë më shumë.

Ajo që kemi nisur do të vazhdojë deri në realizimin, një për një, të angazhimeve që kemi marrë përpara qytetarëve. Sepse në ADN-në tonë kemi PUNËN, jo llafet! Jam krenar për stafin e mrekullueshëm të Bashkisë Lezhë, që çdo ditë, që në orët e para të mëngjesit, jep maksimumin në shërbim të qytetarëve. Jam mirënjohës ndaj biznesit, komunitetit dhe çdo lezhjani, atyre që jetojnë e punojnë këtu dhe atyre që, edhe pse në emigracion, zemrën e kanë gjithmonë në Lezhë.

Mbështetja juaj është motiv, forcë dhe përgjegjësi për mua dhe për të gjithë stafin tonë. 7 vite më parë nisëm një rrugëtim të vështirë. Sot, rezultatet flasin. Nesër, kemi akoma më shumë për të bërë. Ka dhe gjëra që nuk shkojnë! Por ne jemi aty për të bërë më të mirën, për tu përmirësuar, për të ecur para, pavarësisht nga gurët nën rrota që nuk na mungojnë! Vazhdojmë përpara, pa u ndalur, në rrugën e zhvillimit të Lezhës! PUNË, JO LLAFE! PËR LEZHËN.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?