Plan 5-vjeçar për matësat me parapagesë

Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se Qeveria së bashku me Kompaninë e Shpërndarjes së Energjisë do të nisin një projekt, i cili parashikon pajisjen me sahat inteligjentë për të gjithë abonentet familjarë apo biznese brenda një periudhe 5-vjeçare.

Ky deklarim i Kryeministrit nuk duket i rastësishëm. Po një ditë më parë, Qeveria e drejtuar prej tij, miratoi ligjin e ri për energjinë.

Në ligj ka një nen të posaçëm, që i hap rrugën zbatimit të projektit. Përkatësisht në të ngarkohet Ministria e Energjisë që brenda një viti të përgatisë vlerësimin ekonomik të gjithë projektit, kostot dhe përfitimet e tij dhe po kështu të hartojë planin pesëvjeçar të zbatimit.

Por si do të jenë këta matësa? Top Channel zbardh detajet e planit të Qeverisë, sipas të cilit sahatët do të kenë opsionin e blerjes së energjisë me parapagesë, njësoj si kartat e celularëve, çka shmang problemin e mospagesës së energjisë. Po kështu këta matësa transmetojnë të dhëna në kohë reale te kompania e shpërndarjes dhe marrin komandë nga qendra. Kjo i krijon mundësinë OSHEE të kryejë stakime individuale të energjisë duke shmangur ndërprerjet kolektive.

Nga ana tjetër, përmes instalimit të këtyre matësave, Qeveria thotë se do të ketë mundësi të zbatojë kartën e OKB-së për të drejtat e njeriut, e cila garanton ndriçim për të gjithë individët. Me instalimin e këtyre matësave të gjithë abonentët debitorë që nuk kanë mundësi ta paguajnë energjinë do të furnizohen me të vetëm sa për ndriçim, por jo për qëllime të tjera.

Top Channel ka mësuar se zbatimi i kësaj teknologjie do të fillojë përmes projekteve pilot, ku të parët që do të pajisen me matësa inteligjentë do të jenë bizneset dhe konsumatorët e mëdhenj të energjisë të lidhur në rrjetin 35 kilovolt. Por ende mbetur për t`u parë se cila do të jetë kostoja totale e projektit.

Në të kaluarën është deklaruar se kostot e një projekti të tillë mund të arrijnë deri në 1 miliardë dollarë, megjithëse një shifër me e saktë do të merret pasi Ministria e Energjisë të përfundojë vlerësimin ekonomik. Gjithsesi, paraprakisht Qeveria thotë se burimet e financimit mund të sigurohen nga kredia e Bankës Botërore; hua nga donatore të tjerë dhe rritja e performancës së kompanisë./TCH

SHKARKO APP