Plepi apo kavak?!…
FEJTON
Nga Hyskë Borobojka
Ndodhin prandaj rrëfehen. Dy të rinj të dashuruar kishin zënë vend nën hijen e një peme. Për një çast vajza ngriti kokën drejt degëve të pemës dhe i tha djalit:
-Sa hije freskuese bëka ky plep!
-E ke gabim, e dashur! Nuk është plep, por kavak!
-S’e kam gabim fare, madje është plep i bardhë!
-Kavak!-nguli këmbë djali.
-Plep!-s’lëviste nga istikami vajza.
Kështu vazhdoi kjo histori. Njëra thirr e bot se është plep. Tjetri kundërshto me të madhe se është kavak, deri sa u zunë keq dhe “divorcuan” dashurinë e zjarrtë. Kështu ndodh edhe me mitingun e protestës të 13 majit në Tiranë. Një palë thonë se ishin 600 mijë protestues të mbledhur nga gjithë trevat e vendit. Ndërsa televizione e portale publikonin në video numrin e tyre. Madje, kishin marrë mundimin t’i filmonin me “dron” nga qielli i kaltër (si ai i Ballist Morinës në stadiumin e Beogradit) dhe, sipas hesapeve me laps, me makina llogaritëse e kalkulime të “sakta”, arritën në përfundim se, në protestën e ditës së shtunë të 13 majit, nuk ishin 600 mijë protestues kundër qeverisë, por vetëm 7600. Kështu fillon davaja: Plep apo kavak!? Në këtë valle hynë opinionistët, analistët e me radhë. Po të ishin se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishin 600 mijë protestues, kjo turmë do të ishte e barabartë me banorët e Malit të Zi. Por edhe shifra e qëmtuar me anë të dronit nga qielli pa re, sipas hesapeve të tyre, nuk është fort e qartë dhe reale. Atë ditë të 13 majit (numër ters, i zgjedhur nga opozita) dielli i derdhte rrezet e nxehta, si shigjeta. Kjo i kishte detyruar shumë protestues të futeshin poshtë pemëve të mëdha në të dy anët e bulevardit, për t’u mbrojtur nga rrezet përvëlonjëse.
Kjo ishin aq a po kaq protestues, plep apo kavak, i vuri në siklet kalemxhinjtë e shifrave, të trokisnin në dyert e shkencës, duke iu drejtua “Google Eardh Pro” (Deri kur do të mësojnë këta anaste, studiuese e gazetarë e me radhë se, çdo fjalë e huaj apo emër që hyn në leksikun e gjuhës së bukur shqipe vesh mantelin dhe shqiptimin e saj). Ky “Google Eradh Pro” na afroka fotografi satelitore tredimisionale në çdo cep të botës. Fotografimi i tij na bën të mundur ndarjen e një fotografie në seksione të veçantë, duke bërë përcaktimin e metrave katrore të çdo seksioni. Këta studiues, sipas përcaktimit të zotit “Google”, kanë arritur në përfundim se e gjithë sipërfaqja, që kishin zaptuar protestuesit, që nga “Çadra e lirisë” e deri te Ministria e Brendshme, “Piramida” e “tre dylymshi” i vëllezërve Frashëri”, ishte rreth 28 mijë metro katrore. Po të ishin 600 mije protestues duhej që në çdo metër katrore, të ngjisheshin, si sardelet në kuti, 21 protestues.
Përsëri “plep apo kavak”, studiuesit e analistët vazhdojnë të kërkojnë e të gjejnë sa kanë qenë në protestën paqësore ditën e shtunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, 600 mijë, 60 mijë apo vetëm 6000?!
Zotërinjtë që janë studiues e analistë të zotë, mos merren me numra e shifra, ( si ata plep apo kavak), por të analizojnë gjendjen ekonomike, që po kalon vendi. Të llogarisin me numra të saktë qytetarët e varfër, që mbajnë frymën gjallë me ndihmë ekonomike, me paga e pensione qesharake. Të paraqitin numrin e madh të atyre që braktisin vendin e tyre e marrin arratinë, nga sytë këmbët, për të siguruar jetesën. Të nxjerrin në dritën e diellit, sa janë ata persona, që kanë ushtruar kontrabandën, drogën, prostitucionin, vrasjet trafikimin e qenieve njerëzore?! (Madje disa prej tyre kanë “vizituar” edhe burgjet e Evropës), që janë ulur e ulen në kolltukët e Parlamentit apo në karriget e kryetareve të bashkive e në Institutet Publike Qeveritare. Le t’i zbulojnë e t’i gjejnë me kallëzime apo me “dron”, (si në protestën e opozitës), me helikopter e avion, ngastrat, parcelat, arat e plantacionet, ku lulëzon kanabisi nga Veriu në Jugë të vendit. Sa filiza kanabisi lulëzojnë në Fushë Krujë, sa toka janë mbjellë në Malësinë e Madhe, sa rrënjë kanabis e sa kilogramë prodhime të tij gjenden në Shkodër, sa të tjerë në Durrës, në Vlorë, në Tiranë?! Kudo t’i hedhësh sytë të del përpara e të përshëndet kjo bimë fitimprurëse, që ka mbuluar vendin e ka mbushur depo e magazina. Sa tonë kanabis janë kapur të paketuar në Greqi, Itali e më tej akoma. Sa është numri i vjedhjeve, grabitjeve e vrasjeve në mes të ditës dhe ku janë autorët e tyre, që kanë ikur në “drejtim të paditur”?!
“Rilindja” është përpara zgjedhësve të rinj, (me kostume të vjetra e me premtime të reja). Tani i ka harruar premtimet e bëra katër vjet më parë. Njëri nga anëtarët e “Rilindjes së re”, që mban në xhep çelësat e kasafortës së financës, deklaron me ton të lartë se” në se premtimi i 300 mijë vende të punës, për katër vitet e kaluara, është një premtim (i dështuar) i mbajtur”. Dhe premton se, pas fitores në zgjedhjet parlamentare, do të “hapen 220 mijë vende pune të reja, përfshi këtu dhe ato që nuk u hapën në katër vitet e kaluara”. Mbajtësi çelësave të kasafortës së financës betohet e përgjërohet, me be e me rrufe, se do të rriten rrogat e ulëta dhe pensionet deri në 40 për qind”, se arka e shtetit nuk ka mbetur bosh, pasi “ vetëm në vitin e fundit janë futur nga turizmi një meleon e 500 mijë lekë”. Arritjet dhe sukseset, sipas tij s’kanë të sosur, aq sa e detyron shefi i tij ta këshilluar disa herë se, kur flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës “vështirë se e kupton (e beson) njeri”. Edhe në ka ndonjë dështim në ekonomi, fajtore është ajo viran çadër e madhe e ngritur përpara kryeministrisë. Megjithatë ai s’ndalet, (Topi bamp e Muçoja tutje) vazhdon pa fre premtimet e zotimet e reja. Por ata që e ndjejnë mbi kurrizin e tyre peshën e varfërisë e krizën ekonomike, thonë se qeverija e “Rilindjes” nga viti në vit vazhdon të hedhë një vello tymi mbi statistikat e rritjes ekonomike. Ajo rreh gjoksin e premton se më 15 maj të këtij viti do të rriste ndihmën ekonomike, por i mashtroi fakirfukarenjtë se do ta gëzojnë ndihmën më një shtator. (Në s’e marrshi nga shtatori, prisni tutje nga dhjetori). Dhe së fundi: Ku ishe? Hiçgjëkundi! E lagu s’e lagu! Plep apo kavak?!