Po shteti me çfarë merret?
Nga Gëzim Hoxha
Dje të dielën në mbrëmje rastisi që pashë historinë e dy fëmijëve jetim dhe ndihmën e madhe për përfundimin e shtëpisë së tyre dhe në të njëjtën kohë dhe mobilimin e saj nga emisioni “Nga e para”, i kanalit VIZION PLUS. E kot të thuhet që kjo histori më preku pa masë, se ajo do të prekte çdo njërin prej nesh. Amaneti që kishte lënë nëna e dy fëmijëve prindërve të saj para vdekjes, tashmë në pension, për përfundimin e shtëpisë dhe për mos e nxirrjen vajzën së saj jashtë, u mbajt.
Gëzimi dhe lumturia e fëmijëve ishte e pamatë. Dhe vërtetë kjo që bëri ky emision me këta fëmijë ishte në kufijtë e ëndrrës. Por kjo familje nuk është e vetmja. Ky emission ka ndihmuar dhe në zgjidhjen e shumë rasteve të tjera.
Po ka edhe emisione të tjera televizive që kanë ndihmuar shumë njerëz. Kujtoj këtu rastin e një plaku të verbër që erdhi nga një fshat i largët (nuk mbaj mend nga ku) në TOP CHANNEL dhe kërkoj ndihmën e emisionit “Fiks Fare” për një shtëpi dhe kushte më të mira jetese. E mbaj mend vendin ku jetonte ai së bashku me të shoqen. Unë frikem ta quaj shtëpi atë ambient ku ata banonin. Pa dyer, pa dritare, me një çati që pikonte, pa asnjë mobilje bile as krevat ku të flinin nuk kishin. Pa energji elektrike, pa ujë të pijshëm, nuk kishin ç’të hanin. As shprehja “mjerimi ishte ulur këmbëkryq ” nuk mund ta përshkruaj gjendjen e këtyre dy pleqve. Të thuash të braktisur nga të gjithë është pak, më mirë po them të harruar, por prap druaj se nuk kam gjetur fjalët e duhura.
Apo historinë e një çifti që kishin lindur pesë fëmijë menjëherë. Ata ishin të lumturuar nga ardhja e tyre në jetë, por edhe në pikë të hallit, se nuk kishin shtëpi të përshtatshme. U desh ndërgjegjësimi i bashkëshortes së kryeministrit të at’hershëm nga Fiksi që problem i tyre të zgjidhej.
Edhe televizioni KLAN nuk ngelet prapa. Emisioni i pasdites që jepet në këtë kanal televiziv ka ndimuar në shërimin e disa fëmijëve të sëmurë rëndë. Prindërit e tyre nuk kishin mundësi financiare që t’i kuronin ata dhe ndërhyrja e këtij emisioni e mundësoi këtë.
Po kështu edhe emisioni “Zonë e Lirë” ka bërë të mundur mbledhjen e fondeve për një burrë që kishte mbi dhjetë vjet që lëngonte nga artriti dhe kurimi i tij do të bëhej i mundur nga një ndërhyrje kirurgjikale e kushtueshme. Pa harruar emisionet e lajmeve dhe kronikat e tyre për mbledhjen e fondeve për transplante të organeve jetësore dhe që kryheshin vetëm jashtë shtetit.
Mund të përmendja shumë e shumë histori të tjera po kam frikë se mos lodheni duke i lexuar pasi i keni dëgjuar, keni folur për to, e ndoshta keni dhënë edhe diçka nga vetja. Pyetja që më vjen menjëherë ndërmend është kjo: Po shteti ç’farë bën?. Dhe shumë prej jush mund t’iu përgjigjeshit atypëraty: Fle gjumë.
Dhe vërtetë ku është shteti? Ç’farë bën ai me gjithë atë burokraci? Vërtetë gjumë fle? Unë e di se njëri nga funksionet e tij është edhe shpërndarja e pasurisë. Dikush mund të thotë se shteti nuk merret me individë, se kudo ka të pasur e të varfër e të tjera si këto. Por shteti ynë nuk po i siguron as infrastrukturën e nevojshme qytetarëve të tij. Kam parë para disa kohësh në emisionin “Shqipëria tjetër” në TOP CHANNEL, një rikthim në fshatin Mamli pas pesë vjetësh ku asgjë nuk kishte ndodhur.
Mamli ka mbetur mes dy rrugëve. Sot, si dikur, duhet të mbërrish nga rruga e vjetër, që lidh dy qytetet përmes Qafë Krrabës, ndërkohë në drejtim të autostradës së re, që u kalon vetëm 3 kilometra më tej, nuk kanë asnjë rrugë. Duke qenë se Tirana dhe Elbasani po shkojnë drejt përfundimit të lidhjes me një aks modern, diçka duhej të ishte përmirësuar, por për këtë fshat në projektin e autostradës që po ndërtohet nuk është buxhetuar asnjë qindarkë për një nën apo mbikalim.
Po në sa e sa fshatra të thellë e të harruar nga politika, ka udhëtuar ky emision. Piktoreskë apo jo, turistikë apo jo, e njëjta problematikë. Pa rrugë, pa energji elektrike, pa ujë, pa qëndra shëndetsore e ndonjëherë edhe pa shkolla e kopshte. Është një infrastrukturë e tërë. Kush do ia sigurojë këtyre banorëve atë? Emisionet televizive? Edhe sikur të dëshironin, nuk do të mundnin.
Si ekonomist që jam unë ia vë fajin njërit prej kriteve të vlerësimt të projekteve të ndryshme. Për ata që nuk e dinë iu them se njëri nga kriteret e vlerësimit të tyre dhe kur them i vlerësimit, nënkuptoj dhe kualifikimin e më pas alokimin e fondeve për zbatimin e tyre është numri i përfituesve nga ky projekt. Ky kriter ka bërë të mundur zbrazjen e fshatrave të tërë, sepse të gjithë kanë të drejtë për të kërkuar diçka më të mirë. Kam frikë se pa heqjen e tij nga lista e kritereve që bëjnë të mundur shqyrtimin projekteve që hartohen për fshatra të vegjël e të thellë, sot qëndra administrative asgjë nuk do të ndryshojë për mirë. Mbase do të vazhdojë zbrazja e mëtejshme e tyre dhe mbipopullimi i qyteteve të mëdhaja.