Policat kufitarë, AMF: Kujdes, vetëm në pikat e autorizuara
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare këshillon qytetarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë me automjetet e tyre me targa të huaja të presin policat kufitare vetëm në pika të autorizuara dhe nga agjentë të licencuar. Në çdo pikë të kalimit të kufirit brenda territorit shqiptar gjenden agjentë të shoqërive të sigurimit pranë të cilave mund të pajiseni me policat kufitare.
Këta agjentë janë miratuar nga AMF dhe punojnë për shoqëritë e sigurimit për shitjen e policave kufitare. Çdo policë e sigurimit kufitar që mund t’iu ofrohet pa hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo që është e plotësuar me shkrim dore dhe jo me mjete elektronike, është në kundërshtim me rregullat e legjislacionit shqiptar, dhe si e tillë është e pavlefshme.
Që një policë kufitare të jetë e vlefshme, ajo duhet të figurojë në regjistrin online në faqen zyrtare të AMF-së. Elementët e sigurisë që duhet të ketë Polica Kufitare janë:
Numri i serisë së policës është unik dhe duhet të fillojë me dy shifrat e fundit të vitit aktual. (Shembull: Viti 2019 = 19xxxxxxx).
Polica e sigurimit kufitar është e shkruar në format elektronik dhe në asnjë rast me shkrim dore.
Polica ka një numër unik identifikues në regjistrin elektronik online të shitjeve të sigurimit të detyrueshëm motorik me elementë sigurie të gjeneruar nga sistemi i shitjes së policave.
Raportimi dhe identifikimi i policave kufitare të shitura nga kompanitë e sigurimit bëhet në kohë reale nëpërmjet regjistrit elektronik online të shitjeve. Këtë mund ta bëjnë nëpërmjet faqes zyrtare të Autoritetit, www.amf.gov.al, në rubrikën “Verifikoni Policën tuaj”, duke ndjekur gjithë hapat e nevojshëm, ose duke dërguar me SMS numrin e targës tuaj në numrin e celularit +355694060671.
Për çdo problem që mund t’ju lindë në lidhje me policën, lutemi të kontaktoni në adresën konsumatori@amf.gov.alose të na shkruani në inbox-in e faqen tonë në Facebook.
AMF i bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të verifikojnë policën e tyre kufitare për të mos rënë pre e mashtrimeve të ndryshme.