“Policët e kampit të Maliqit përdhunuan gratë e të dënuarve”
Nga arkiva e Ministrisë së Brendshme, në një raport të vitit 1950, thuhet se policët e kampit të Maliqit kishin përdhunuar gra të të dënuarve, ndërsa kishin pasur kontakte me femra imorale. Këto deklarime janë pothuaj paralele me raportin e qeverisë amerikane, që përshkruan trajtimin çnjerëzor në kampin e Maliqit, quajtur “kampet e vdekjes”. Arkivisti Kastriot Dervishi sjell në një libër, gjithë informacionin rreth përndjekjes politike në Shqipëri në vitet 1944-1991, në lidhje me burgjet, kampet e punës së detyruar, kampet e internimit me tela me gjemba, si dhe vendet e tjera të internimit.
Ekziston një raport i qeverisë amerikane, paraqitur në OKB në shkurt të vitit 1955, që na njeh ndoshta me statistikat e para për burgjet politike në Shqipëri. Informacionet e para në këtë raport tregojnë se gati në pesëvjeçarin e parë të vendosjes së regjimit komunist, ishin hapur 10 burgje politike, prej të cilave 10 mijë vetë jetonin në kushte çnjerëzore. Prej kësaj deklarate, përshkrimi vjen i pabesueshëm për torturat dhe trajtimin në “kampin e vdekjes”, siç quhej ajo e Vloçishtit, afër Korçës, ku ndër 1.200 persona, ishin kryesisht njerëz të ligjit, doktorë, ish-oficerë të lartë, klerikë katolikë e myslimane, tregtarë dhe në kampin e Bedenit në Kavajë…Por nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, vjen dhe një raport i vitit 1950, për gjendjen në kampe e burgje, ku thuhet se policët e kampit të Maliqit, kishin përdhunuar gra të të dënuarve, ndërsa kishin pasur kontakte me femra imorale. Këto deklarime janë pothuaj paralele me burimet dhe raportin e qeverisë amerikane, se si diktatura, paralel me makinerinë e sigurimit, ndërtoi dhe “kampet e vdekjes”. Për këtë, tanimë Shqipëria ka një hartë më të gjerë të burgjeve dhe kampeve të punës në diktaturë, e relatuar në një botim “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste” të arkivistit Kastriot Dervishi, botuar së fundi nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Ky studim statistikor vjen i plotë, i shoqëruar me raporte të Arkivit të Ministrisë Brendshme, si dhe dëshmi e biseda të atyre që vuajtën dënimin në këto burgje e kampe.
Libri përmbledh gjithë informacionin e duhur rreth përndjekjes politike në Shqipëri në vitet 1944-1991, në lidhje me burgjet, kampet e punës së detyruar, kampet e internimit me tela me gjemba, si dhe vendet e tjera të internimit. Ndërsa Dervishi ka vënë në foton qendrore të kopertinës kampin e punës së detyruar të të burgosurve nr. 313 në Spaç, viti 1973 dhe fotoja tjetër tregon vetëvarjen në një qeli burgu të një të dënuari. Kjo foto që publikohet është e panjohur. Ndërsa libri sjell dinamikën e të burgosurve sipas viteve, veprat e shumta që ata kryen, janë disa prej informacioneve që përfshin ky studim. Dervishi, duke cituar një raport të datës 13.8.1948, bën të ditur se “në punë për çdo ditë kanë marrë pjesë 1.068 të burgosur. Rendimenti i tyre ka qenë i mirë. Në një konferencë u vendos që ushqimet që u vijnë të burgosurve nga shtresa e lartë, t’u merreshin e t’u jepeshin të gjithëve. Kjo edhe për arsye se ata mbajnë qëndrim të keq duke mos dhënë rendiment në punë”.
Ndërsa për vitin 1950 ishin realizuar 110.000 ditë pune, duke bërë më shumë se 15 milionë lekë. Për këtë qëllim, kishin punuar 900 të burgosur, citojmë Dervishin. Përshkrimi për tharjen e kënetës së Maliqit, ja si vjen: “Pas një pushimi punimet rifilluan përsëri më 15 maj 1950 me 550 persona dhe në fund të qershorit edhe 350 të tjerë. Punohej deri në brez me ujë, mes vështirësisë së kallamave ushunjëzave. Transporti i baltës ishte shumë i vështirë. Punohej edhe për kanale dytësore që derdheshin mbi kanalin kryesor. Më 28.1950 Tasi Marko, i besuari i udhëheqjes emërohet sërish komandant i kampit. Gjatë vitit 1950, Tasi ka qenë komandant kampesh në Maliq dhe në Peqin. Në punë për çdo ditë kanë marrë pjesë 1.068 të burgosur. Rendimenti i tyre ka qenë i mirë. Në një konferencë u vendos që ushqimet që u vijnë të burgosurve nga shtresa e lartë, t’u merreshin e t’u jepeshin të gjithëve. Kjo edhe për arsye se ata mbajnë qëndrim të keq duke mos dhënë rendiment në punë” -thuhej në raportin e datës 13.8.1948.
Më poshtë japim të plotë raportin e Qeverisë Amerikane të paraqitur në OKB në shkurt të vitit 1955, përshkrimin e tmerrshëm të kampeve e burgjeve në Shqipëri, si dhe një rast të debatit më të fundit mbi fenomenin e përdhunimit të femrave në diktaturës, si një rast i pa artikuluar më parë dhe e pa pohuar nga kjo kategori. Megjithatë, edhe në këtë libër, duke ardhur si një raport i Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet bindës “fenomeni i përdhunimit” ashtu si është pranuar nga vuajtësit e dënimit, dhe pse nuk kanë pasur fakte konkrete apo denoncime, së paku në këto 25 vjet.
***
Maj –nëntor 1950
“Në raportin e datës 23.8.1950, për gjendjen në kampe e burgje thuhej se policët e kampit të Maliqit kishin përdhunuar gra të të dënuarve, ndërsa kishin pasur kontakte me femra imorale (AMPB, F.50. V.1950, D.393”, veçohet nga Dervishi në pjesën e kapitullit mbi kampet e punës së të burgosurve në vitet 1947-1951. Ndërsa arkivisti sjell të dhënat e para në raportin e Qeverisë Amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955, ndër të tjera thuhej:
“Midis deklarimeve të kategorisë së parë rreth kolonive penale, është ajo e dhënë nga Skënder Deme, i cili kaloi 5 vjet në këto kampe, para ikjes së tij në Greqi në prill 1951. Sipas tij, deri atë kohë kishte 10 burgje politike në Shqipëri, prej të cilave 10 mijë vetë jetonin në kushte tmerruese. Torturat e tyre dhe trajtimi çnjerëzor ishin përshkruar si të pabesueshme. Vetë Dume shërbeu në dy koloni ndëshkuese në ‘kampin e vdekjes’ në Vloçisht, afër Korçës, ku nga 1.200 persona, kryesisht ishin njerëz të ligjit, doktorë, student, ish-oficerë të lartë, klerikë katolikë dhe myslimane, tregtarë dhe në kampin e Bedenit në Kavajë. Të burgosurit në kampin e parë punonin në projektin e shpallur të Maliqit, ndërsa ata të tjerët në kanalin kullues Peqin- Kavajë. Në kampin e vdekjes në Vloçisht, të burgosurit zgjoheshin në orën 3:30 dhe fillonin punën në kanal në orën 6:00, ktheheshin në kamp orën 20:00. Disa nga shokët që ishin shumë të sëmurë për punë, aktualisht varroseshin të gjallë në kanal, midis këtyre ishin edhe prifti Josif Papamihali –kryetari i kishës unite në Korçë, nënkolonel Sulejman Vuçiterna, hoxha Qazim Melçani, nënkolonel Tefik Hoxha, Riza Qako, Jaçe Zleusha, Luigj Luli, Ali Elezi dhe të tjerë. Për arsye të një thyerje rregulli, një student u lidh nga rojet e burgut me një kolonë dhe u la aty për 72 orë. Kampi në liqenin e Maliqit mund të preket si një shembull tjetër që tregon se si kalojnë të burgosurit politikë në Shqipëri. Të burgosurit në këtë kamp janë organizuar në 12 brigada pune, secila e përbërë nga 120-140 burra. Secila përbëhet nga 3 kompani dhe secila prej tyre prej 3 skuadrash. Personali që komandon njësitë e ndryshme përbëhet nga shokë të tyre, që quhen të dëmshëm nga komandanti i kampit, megjithëse çdo brigadë është nën mbikëqyrjen e fortë të një oficeri të policisë. Të burgosurit i banojnë në baraka dhogash, me një brigadë në secilën barakë. Ato nuk janë të ndara në dhoma, gjatë mureve janë dy rreshta koçekësh me dy krevate, njëra mbi tjetrën, ku flenë të burgosurit. Shteti nuk u jep ndonjë mbulesë dhe ata të burgosur që nuk kanë, duhet të flenë ashtu siç janë mbi kotecin e zhveshur. Barakat nuk janë të mbrojtur prej kohësh. Çdo të burgosuri i kanë dhënë vetëm një palë rroba pune të përbërë nga një pallto, pantallona dhe një këmishë, të cilat shpejt grisen se puna e të burgosurve ka të bëjë me tharjen e liqenit të Maliqit dhe duhet që ata shumicën e kohës të punojnë në ujë. Nëse i burgosuri nuk ka rroba të tij për t’u ndërruar pas pune, duhet të mbetet me veshjen e punës, ashtu i lagur. Si rregull, punojnë 10 orë pune në ditë, nëse nuk shtohen me urdhër të komandantit të brigadës. Në gërmimin e kanalit për tharjen e liqenit të Maliqit, shumica e të burgosurve janë zakonisht në ujë që arrin deri në gjunjë, e disa herë deri në brez. Në kundërshtim me këtë kusht, puna vazhdon pa marrë parasysh kohën ose stinën e burgosurit. Si rezultat, shumë të burgosur sëmurën dhe shpesh rreth 150 prej tyre kishin nevojë mjekësore të përditshme. Vetë doktori i kampit është i burgosur përjetë. Megjithëse është doktor i mirë, ai nuk ka as veglat dhe as barnat e nevojshme. Veç skenës së punës së rregullt, që fillon nga ora 4:00 dhe përfundon në orën 16:00, me dy orët që nevojiten për ecje nga barakat në punë, puna shpesh vazhdon për 1 ose dy orë më shumë. Pushimi jepet 3 herë në ditë. Racioni i bukës është 500 gram, një përzierje gruri dhe thekre, zakonisht e papjekur që u jepej në drekë. Ushqimi i zier u jepet vetëm për mëngjes dhe darkë. Zakonisht përbëhet nga një supë uji me makarona, fasule ose kunguj. Çdo i burgosur duhet të marrë 100 gram mish në ditë, megjithëse kjo ndodh rrallë. Kohë pas kohe, të burgosurit lejohen të marrin pako me ushqime për të shtuar dietat e tyre”. (227 AQSH, F.14/AP strukturë, V.1955, D.176)
Të dënuarit që kishin punuar për hekurudhën Peqin-Kavajë, Urën e Bonës, kishin përfunduar në Orman-Pojan të Korçës, për të vazhduar tharjen e kënetës së Maliqit. Mbi bazën e këtij kampi, u krijua kampi nr.1 (reparti 301 më vonë). Më 1951 mbaruan punimet e Maliqit.
***
Prill – nëntor 1949
“Në pranverën e vitit 1949 rifilluan punimet për hapjen e kanalit që do të kalonte ujin e kënetës. Patër Zef Pllumin, njëri prej të dënuarve që ka lënë kujtime, e kanë çuar në këtë kënetë. Përkthyesi i famshëm Pashko Gjeçi, nëpunësi i lartë Nedin Kokona etj., punonin aty. Sektori i punës kishte 79-80 cm nën ujë, plot ushunjëza e bretkosa, kallami i kënetës shumë i fortë. Karrocat e drurit ishin të rënda para se të ngarkoheshin, e jo kur bëheshin me peshë, që nuk lëviznin prej vendit. Prej kanalit të madh i kanë çuar në Dunavec, rreth 20-25 km. Po ashtu, Sami Repishti ishte një ndër të burgosurit e burgut të Shkodrës. Sipas kujtimeve të tij, të burgosurit ishin vendosur në Baraka të gjata dykatëshe, të ngjashme si stalla bagëtish. Çatia ishte prej teneqeje e muret me kallama të kënetës. Ishte ftohtë në dimër e vapë e tmerrshme në verë. Mungonin ekskavatorët, puna bëhej nga njeriu i zhytur në ujë të ftohtë, mes atij pisllëku të trashëguar ku ushunjëzat ishin përpara një gjahu të pafund njerëzor. Një rojë i kampit i kishte qorruar një sy me cigare një të dënuari me origjinë armene. Repishti i përshkruan të burgosurit “kufoma lëvizëse”, “leckamanë të mbuluar me baltë”, që po transportoheshin të lidhur me zinxhirë e litarë”
***
Maj-nëntor 1950
Përshkrimi për tharjen e kënetës së Maliqit, ja si vjen: “Pas një pushimi, punimet rifilluan përsëri më 15 maj 1950 me 550 persona dhe në fund të qershorit edhe 350 të tjerë. Punohej deri në brez me ujë, mes vështirësisë së kallamave ushunjëzave. Transporti i baltës ishte shumë i vështirë. Punohej edhe për kanale dytësore që derdheshin mbi kanalin kryesor. Më 28.1950 Tasi Marko i besuari i udhëheqjes, emërohet sërish komandant i kampit.
Gjatë vitit 1950, Tasi ka qenë komandant kampesh në Maliq dhe në Peqin. “Në punë, për çdo ditë kanë marrë pjesë 1.068 të burgosur. Rendimenti i tyre ka qenë i mirë. Në një konferencë u vendos që ushqimet që u vijnë të burgosurve nga shtresa e lartë, t’u merreshin e t’u jepeshin të gjithëve. Kjo edhe për arsye se ata mbajnë qëndrim të keq, duke mos dhënë rendiment në punë” -thuhej në raportin e datës 13.8.1948. Për vitin 1950, ishin realizuar 110.000 ditë pune, duke bërë më shumë se 15 milionë lekë. Për këtë qëllim, kishin punuar 900 të burgosur.