Policia e Shtetit publikon pamjet e operacionit “XUEX” – goditet skema piramidale online, 6 të arrestuar dhe 2 në kërkim
Policia e Shtetit ka ndarë përmes një postimi në rrjetet sociale pamjet e operacionit të koduar “XUEX”, një aksion i gjerë kundër një skeme mashtruese investimesh online me strukturë piramidale. Operacioni, i zhvilluar në disa qytete të vendit, përfshirë Fierin, Tiranën, Dibrën, Beratin dhe Gramshin, u finalizua me arrestimin e 6 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve.
Gjatë operacionit, strukturat hetimore sekuestruan një sasi të konsiderueshme provash materiale, përfshirë:
50 aparate celularë
11 njësi kompjuterike
1 DVR dhe 2 hard disk
1 automjet
4.2 milion lekë
28 mijë euro
1,750 dollarë amerikanë
340 franga zvicerane
6 llogari kriptomonedhash të ngrira
Sipas hetimeve, grupi kriminal përdorte platforma të rreme investimi dhe aplikacione si Telegram për të rekrutuar qytetarë, duke u premtuar fitime të shpejta në këmbim të investimeve në kriptomonedha si USDT dhe TRON. Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: pjesëmarrësit duhej të sillnin të paktën pesë persona të rinj për të rritur përfitimet e tyre.
Kriptomonedhat u përdorën si mjet për të shmangur gjurmimin dhe për të krijuar iluzionin e sigurisë, ndërkohë që vetëm individët në nivelet e para të skemës përfitonin realisht, ndërsa pjesa tjetër humbiste kursimet.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Fierit kanë bërë thirrje për kujdes dhe ndërgjegjësim qytetar, duke paralajmëruar se nuk ka “investime të sigurta” që premtojnë pasurim të menjëhershëm. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast të dyshuar përmes platformave zyrtare të komunikimit
KOHA JONË SONDAZH

