Policia, nis operacionin për të arrestuar çdo kriminel
Policia e Shteti ka nisur një aksion të gjerë në të gjithë vendin, për të arrestuar persona të shpallur në kërkim, apo problematikë. Lista e personave në kërkim, përbëhet nga shumë emra. Operacioni nisi në kryeqytet, ku forca të policisë dhe RENEA-s kanë kryer kontrolle në disa pika të Tiranës. Aksioni do të vijojë për disa ditë, në të gjithë vendin. Mbi rezultatet e ditës së parë në shkallë vendi, nga Policia e Shtetit u njoftua se në zbatim të masave të Planit Operacional, “për kontrollin e territorit në funksion të parandalimit të ngjarjeve kriminale”, hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Forcat e Lëvizshme Operacionale në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarkut Tiranë, Durrës, Fier,Vlorë, Elbasan, Shkodër e Lezhë, prej orës 19.00 të 9 janarit dhe deri në ora 07.00 të 10 janarit, kanë zhvilluar një sërë kontrollesh në akset rrugore, në lokalet e natës dhe në disa banesa. Në këtë kuadër, gjatë operacionit, sipas policisë, u arritën këto rezultate: Gjithsej janë arrestuar në flagrancë dhe janë ndaluar 12 autorë, nga të cilët pesë persona për armëmbajtje pa leje (armë zjarri), dy persona për armë të ftohta (thikë) dhe tre prej tyre për shkelje rrugore, si dhe janë ndalur dy persona në kërkim për trafik të lëndëve narkotike. Sipas këtij njoftimi, gjatë operacionit, u kapën edhe 2 persona të shpallur në kërkim, për trafik të lëndëve narkotike , një në Tiranë dhe një në Elbasan. Në tre raste janë kapur armë e municione pa leje, konkretisht në qytetin e Shkodrës, një pistoletë, me 1 autor të arrestuar. Në Elbasan në dy raste, ku në njërin prej tyre ranë në pranga tre vetë, në flagrancë. Ata janë kapur me 800 fishekë, 10 kapsolla detonatorë si dhe 1.7 kg Zhivë, dhe në një rast tjetër me 83 kapsolla detonatorë me fitila të gatshëm për të kryer plasje, ku është arrestuar në flagrancë një person. Janë arrestuar edhe dy shtetas për armë-mbajte pa leje të armëve të ftohta (thikë), si dhe tre të rinj për drejtim të automjetit pa leje drejtimi. Janë kontrolluar gjithsej 235 ambjente kryesisht bare, lokale nate dhe lojëra fati. Janë kontrolluar 1345 automjete, si dhe janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 10 automjete. Po nga ky operacion, policia njoftoi se janë pezulluar 5 leje drejtimi automjetesh për shkelje rrugore, si dhe janë marrë dhe masa administrative me gjoba. Gjithashtu janë kontrolluar 938 persona për karta identiteti. Janë shoqëruar në komisariat 45 shtetas për mungesë të dokumentit të identifikimit. Në këtë operacion përveç forcave të policive vendore, kanë marrë pjesë dhe 31 grupe të Reparteve të FNSH-së dhe Delta Forcë . Ky operacion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, në qarqet e tjera të vendit.