Policia që nuk ra në batakun e politikës
Nga Ardit Rada
Protesta e 13 Majit që opozita mbajti në Tiranë është komentuar gjatë për shifrat e saj. Sikurse pritej, drejtuesit e Partisë Demokratike nxituan të japin një numër ekzakt të pjesëmarrëve, si shenjë kjo e forcës dhe për të mbajtur lart frymën revolucionarë demokratike.
Megjithëse duhet respektuar si protestë dhe si vullnet i një pjese të qytetarëve, ajo duhet përshëndetur për arsyen e thjeshtë se retorikës së dhunshme që ka ardhur këto 3 muaj nga çadra, asnjë protestues nuk iu përgjigj me akte konkrete.
Efektivët e policisë së shtetit ishin sot një ndihmë e madhe e protestës. Si askush prej opozitarëve në bulevard, forcat e sigurisë u panë të këndonin me dorën në zemër himnin që buronte nga çadra. Në fakt, kjo nuk ka asgjë për të shqyer sytë sepse i tillë duhet të sillet një ushtarak apo një polic, bazuar në disiplinën profesionale që e karakterizon. Ky veprim na bën përshtypje sot sepse politika i ka larguar qytetarët nga Kombi duke i shtyrë drejt personales.
Ajo që nuk u shqua sot, ishte policia pa armë. Që ndryshe nga 21 Janari kur autoboti me ujë doli në shesh pa nisur ende mirë tubimi, policët sot nuk kishin asnjë kobure në brez. Asnjë blind vërdallë apo polic me skafandër që të bëhej lajm.
Sigurisht që për sjelljen e tillë të policisë mund të ketë shumë arsye; Një informacion paraprak se nuk do të ketë dhunë çka i ka bërë më të sigurtë, apo një model për t’u thënë tubuesve se 21 Janari nuk ka gjasa të përsëritet.
Përballë tubimit të sotëm dhe krejt të zakonshëm për një forcë të dytë, qytetarët panë sot ata që mbajnë presionin më të madh psikologjik dhe fizik. Policia, ndoshta për herë të parë në histori, nuk iu përgjigj 600-mijëshit të Berishës me një kundërshifër duke mos rënë në batakun e politikës. /JavaNews