Policia Shqiptare feston 102 vjetorin e themelimit

Më 13 Janar të vitit 1913, 102 vjet më parë, Qeveria shqiptare e sapoformuar, krahas masave të tjera për ngritjen e institucioneve të shtetit shqiptar, krijoi edhe forcat e policisë, për të mbrojtur jetën, pronën e sigurinë e qytetarëve dhe rendin publik. Historia e zhvillimit dhe veprimtarisë së Policisë Shqiptare, mbart në vetvete veçoritë e zhvillimit të faktorëve politik, ekonomik e kulturor, sipas periudhave të shoqërisë shqiptare.  Kreu i Policisë së shtetit, Artan Didi, u shpreh se: “Me këtë rast më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë punonjësit e Policisë ndër vite, që kanë kontribuar për zhvillimin e këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit e shoqërisë, si dhe për mbrojtjen e rendit publik e luftën kundër krimit.” Ai shprehu mirënjohja dhe nderim në këtë festë për  punonjësit e Policisë që kanë dhënë jetën në përmbushjen e detyrës për të mbrojtur ligjin, jetën dhe  sigurinë e qytetarëve shqiptarë, si dhe për familjet e tyre. – “Policia e shtetit si gjithë institucionet e tjera shtetërore është modeluar e funksionon sipas parimeve të policimit demokratik. Ajo krahas masave për të përafruar  standardet e policimit me ato Europerëndimor dhe konsoliduar organizatën, po punon me përkushtim për forcimin e zbatimit të ligjit, kontrollin ndaj krimit dhe mbrojtjen e rendit publik.  Treguesit e punës në luftën kundër paligjshmërisë  dhe goditjen e krimit gjatë vitit që u mbyll, janë pozitive dhe na inkurajojne për të rritur efektivitetin e veprimtarisë në të gjitha shërbimet e policimit për të ardhmen,” – theksoi Didi në këtë përvjetor të veçantë. 

SHKARKO APP