Politika e moralshme si kërkesë e të gjithë shqiptarëve

 

Nga Dr. Arian Starova

Ashtu si në të gjitha fushat e dijes njerëzore, të menduarit e thellë mbi moralin dhe lidhjet e tij me politikën të shtyn me forcë në një hapësirë të pamasë të ideve, arsyetimeve dhe kundërshtive nga më të larmishmet. Duke dashur ta shpreh këtë mendim të parë vetëm për të përligjur papërsosurinë e mundshme të arsyetimeve të mija në vijim në këtë shkrim, unë do të doja të merresha këtu me marrëdhënien moral-politikë i nxitur nga diskutimi i gjerë publik më shumë me gojë sesa me që po zhvillohet herë dendur dhe herë më rrallë në shoqërinë tonë të këtyre viteve të fundit. Do të merrem fare shkurt me këtë gjë, sepse do të doja që të më kuptonin mirë të gjithë ata që do të më lexojnë, prandaj, jam menduar shumë më gjatë sesa do të më duhet të shkruaj.  Marrëdhënia moral-politikë është bërë diçka që tërheq vëmendje publike në Shqipëri dhe, më në fund, po flitet për nevojën që politika të jetë e moralshme. Kjo që po ndodh mua më pëlqen. Zërat moralë sot po dëgjohen gjithandej dhe unë iu jam bashkuar atyre me dëshirë shumë vite më parë, kur ata ishin fare të rrallë. Përse njerëzit mendojnë se politika duhet të jetë e moralshme? Përse po ndodh diçka e tillë? Çfarë ka ndodhur që njerëzit mendojnë se politika e deritanishme paska pasur shumë gjëra të pamoralshme? Le të përpiqemi t’i shohim ca prej tyre.

Fillimisht, do të doja të sqaroj diçka. Disa “modernëve”, apo “pragmatistëve”, të cilët mund të jenë jo të paktë si numër dhe ekonomikisht të fuqishëm mund t’u duket jashtë kohe kërkesa për moral në politikë, sepse në të vërtetë ekziston një rrymë mendimi, ndoshta që prej kohës së Makiavelit, sipas së cilës në politikë gjithçka është e përligjur dhe se ajo nuk duhet të respektojë asnjë rregull moral të sjelljes njerëzore. Kjo lloj pjese “moderne” e shoqërisë udhëhiqet nga morali i mashtrimit dhe gënjeshtrës dhe, duam nuk duam ne, ajo ka qenë edhe e suksesshme jo pak herë. Për të vetëm diçka ka rëndësi: pasurimi me çdo lloj mjeti. Gjithsesi, krenaria, fuqia dhe lavdia që vijnë nga sjellja e pamoralshme janë vetëm të përkohshme. Thelbi i shoqërisë njerëzore që në ngjizje të saj ka qenë lidhja ndërmjet njerëzve dhe plotësimi i ndërsjellë i interesave të njëri- tjetrit sipas parimit mos ia bëj tjetrit atë që nuk do të doje të ta bënin ty. Sa herë që ky parim është shkelur, kanë lindur konflikte, dhunë dhe vrasje ndërmjet njerëzve. Pra, krenaria, lavdia dhe fuqia e arritur me mashtrim kanë prekur interesa të të tjerëve dhe kanë nxitur armiqësinë e tyre dhe për këtë arsye siguria e “modernëve” bëhet e brishtë. Të tillë janë këta lloj të “modernëve”, të cilët janë të tillë për shkak të pamoralitetit të tyre praktik, aspak për shkak të ndonjë pikëpamjeje akademike. Nëse ky lloj i rrezikshëm dhe disi i përhapur i njerëzve në Shqipëri do të udhëhiqej nga pamorali thjesht për hir të interesave të veta, kjo nuk të më bënte aspak që të merrja mundimin të shkruaja edhe për ta. Përgjigjen atyre do t’u jepnin vetë njerëzit sipas zullumeve që do të bënin dhe të gjithë e dimë se kështu ka ndodhur sepse shoqëria jonë është e mbushur me gjithfarë konfliktesh njerëzorë, të cilët shkojnë prej zënkave dhe mërive deri te vrasjet.

Thelbi i problemit që më ka shtyrë t’i bëj publikë mendimet e mi është se të moralshmit “modernë” janë shndërruar në një lloj race të rrezikshme, e cila ka vërshuar edhe në politikë. Përfaqësues të tyre kanë qenë shumë herë “në krye të punëve” në shumë institucione zyrtare të vendit. Janë këta që kanë mbjellë, ujitur dhe prashitur korrupsionin mjaft të përhapur në Shqipëri të shndërruar edhe në problem ndërkombëtar. Janë këta që kanë frymëzuar të ashtuquajturin proces të “kriminalizimit të Parlamentit”. Janë këta që kanë shpërdoruar ligjin në emër të moralit të tyre “modern” që mashtrimin dhe gënjeshtrën i quajnë mjete normalë të arritjes së synimeve të tyre. Janë këta që me këto mënyra të të vepruarit politik kanë përhapur në popull idenë makiaveliane, e cila e vështron politikën si fushë të veprimeve të paskrupullta. Dhe, duam apo nuk duam, për këtë “merita” u përket të gjitha partive politike shqiptare pa përjashtim, por vend nderi zënë ato më të mëdhatë, majtas dhe djathtas pa dallim. Politikë e mbushur me të korruptuar, drejtësi e gërryer nga korrupsioni, parti politike të korruptuara në shitblerjen e ideve dhe të përfaqësuesve të tyre. Flamuri i të gjithë këtyre “modernëve” është pasurimi me çdo mjet sado i fëlliqur qoftë ai. Ata të cilët u munduan të jenë idealistë dhe të ndershëm, të cilët janë të shumtë në të gjitha partitë politike, ata të cilët i janë përkushtuar interesit të përparimit të përgjithshëm të vendit, janë ose të pafuqishëm ose të zhgënjyer. Gjendja është shumë fatkeqe, aq sa edhe kur ndonjë prej këtyre idealistëve kërkon ta përdorë politikën e tij institucionale për punë të mira në dobi të të gjithë shqiptarëve, energjia frenuese e përzjerëse së mjegullt të mendësive jomorale me politikën e “modernëve” bën gjithnjë të kundërtën. Shembulli më domethënës për këtë është fakti që asnjëherë të vetme dhe asnjë opozitë shqiptare nuk i ka thënë hapur ndonjë qeverie se këtë apo atë gjë e ka bërë mirë, gjatë gjithë këtyre njëzet e pesë vjetëve demokraci. Jemi bërë për të ardhur keq si shqiptarë derisa vjen puna që ambasadori amerikan, zoti Lu, guxon të na kërkojë fare hapur të ngrihemi kundër kësaj gjendjeje të pashpresë, siç bëri pak ditë më parë kur foli për problemet e rënda të korrupsionit të politikës apo të drejtësisë shqiptare. Këto ditë u miratua në Kuvend “Ligji mbi Dekriminalizimin” e Kuvendit. Ai do të sjellë, atë, çka presim të gjithë? Ky ligj u përshëndet fort nga ndërkombëtarët, por unë dyshoj se ai do të sjellë në dritë ndonjë sukses konkret për këtë Parlament, përveç mundësisë që ndoshta ai bëhet shkas për debate të rëndësishëm politikë, të cilët të çojnë në shpërndarjen e parakohshme të kësaj legjislature të Kuvendit.       

Tani të kthehemi përsëri te thelbi i problemit tonë serioz moral të lidhur me politikën. Ekziston një shprehje shumë e bukur dhe e thellë e Presidentit Theodore Roosevelt të Shteteve të Bashkuar të Amerikës: “Të edukosh për mendjen e një njeriu, por jo për moralin e tij do të thotë të edukosh një njeri të rrezikshëm për shoqërinë” [Në original: “To educate a person in the mind but not in morals is to educate a menace to society”]. Ideja e madhe që qëndron pas kësaj thënieje është se njeriu mund të jetë i zgjuar, i ditur, i kulturuar, por mendja e njeriut me këto cilësi mund të përdoret si për punë të mira edhe për të këqija. Feja dhe çdo moral njerëzor na mësojnë se njerëzit duhet të udhëhiqen nga e mira. Nëse kjo është një e vërtetë që vlen për çdo njeri, kjo është një vlerë e domosdoshme për atë që kërkon të merret me politikë, pra për atë që kërkon të luajë rol udhëheqës në shoqëri. Politikani duhet domosdoshmërisht të frymëzohet nga e mira e Përgjithshme sepse ai bën pjesë te njerëzit që përpiqen të udhëheqë popullin e tij. Nuk besoj se ekziston asnjë taksapagues apo votues që të pëlqejë politikanë apo parlamentarë, të cilët të udhërrëfehen nga mashtrimi dhe gënjeshtra. A janë të tillë politikanët tanë ose udhëheqësit tanë politikë? Unë mund t’i jap vetë përgjigje të përafërt kësaj pyetjeje, sepse nuk zotëroj informacionin e nevojshëm për të gjykuar për secilin prej tyre. Prandaj ajo çka dua të them është se njerëzit përgjithësisht mendojnë se në vendin tonë po humb shpresa, se vendi është në udhëkryq, se nuk ka besim te opozita dhe as frymëzim prej saj, se njerëzit parapëlqejnë të largohen prej Shqipërisë, se vendi ynë është i mallkuar, se ata që drejtojnë e kanë mendjen të vjedhin për vete, se të gjithë politikanët janë njësoj etj., etj.. A nuk mjafton ky gjykim popullor i përhapur për të thënë se politikanët tanë nuk po veprojnë sipas thënies së Presidentit Roosevelt, pra nuk po udhëhiqen nga morali dhe janë bërë të rrezikshëm për shoqërinë?!

Përse i duhet morali politikës, më konkretisht? Le të marrim nën shqyrtim vetëm disa të vërteta morale sepse vargu i tyre është i pafund.

E vërteta e parë për të cilën fliste Presidenti Roosevelt ishte ajo e marrëdhënies së dijes me mënyrën e përdorimit të saj. Për politikën, kjo do të thotë se nuk mjafton të kesh kulturë politike, por edhe ta përdorësh atë për mirë. Vjen pyetja: A është përdorur gjithnjë për mirë dija nga politikanët tanë? Ata që po më lexojnë dhe t’i gjejnë vetë shembujt për përgjigje. 

E vërteta e dytë është ajo e marrëdhënies së atij që kërkon të jetë udhëheqës me njerëzit që kërkon të udhëheqë. Në politikë, drejtuesi është i detyruar që të veprojë gjithnjë në përputhje me interesat e njerëzve, popullit që do të drejtojë. Pyesim përsëri: A kanë bërë këtë të gjithë politikanët tanë? Korrupsioni tejet i madh është fakti më i qartë se në lidhje me këtë të vërtetë politika shqiptare ka mangësi madhore.

E vërteta e tretë është ajo e marrëdhënies ndërmjet interesit vetjak të politikanit dhe atij të partisë që ai përfaqëson. E përkthyer në politikë, kjo kërkon që politikani duhet të jetë i përkushtuar ndaj ideve që përfaqëson dhe të ruajë dallueshmërinë apo identitetin e vetvetes si politikan. Pyetja që vjen për këtë të vërtetë është: A kanë ndershmëri dhe integritet të gjithë politikanët tanë? Përgjigja është: Jo të gjithë. Kapërcimet joparimorë të disa politikanëve nga njeri grup i politikës te tjetri kanë qenë shokuese për opinionin publik shqiptar. Këtu dua të sqaroj diçka. Njerëzit dhe politikanët mund t’i ndryshojnë idetë e tyre, por kjo duhet të vijë natyrshëm që njerëzit, të cilët i përfaqëson politikani ta pranojnë ndryshimin si diçka të natyrshme.  E vërteta e katërt është ajo e marrëdhënieve ndërmjet forcave politike konkurruese. Në politikë kjo do të thotë se sado konkurruese dhe të ndryshme apo të kundërta të jenë idetë e palëve, ato duhet të kenë një synim të përbashkët strategjik për vendin dhe, prandaj, nuk ka vend për trajtimin e njeri tjetrit si armiq. Edhe këtu vjen natyrshëm pyetja: A janë marrëdhënie normale marrëdhëniet ndërmjet forcave tona politike sidomos të atyre Qeveri-Opozitë? Përgjigjen le ta japin vetë lexuesit sipas mendimeve dhe përvojës së tyre konkrete. Unë jam i bindur se në moralin e politikës sonë kemi shumë për të ndryshuar. Madje, më shumë se kaq. Ne na duhet të fusim aq shumë moral në politikën tonw sa ta bëjmë atë të udhëhiqet prej tij. Po e mbyll përsëri me shembullin e jetës së Presidentit amerikan Ronald Reagan. Autorja e biografisë së Reagan-it, Peggy Noonan, e ka titulluar këtë libër “Ronald Reagan. When Character was King”, i cili ka theks të fortë mbi cilësitë morale që kishte një udhëheqës politik i madh siç ishte Ai. Në shqip ky titull përkthehet: “Ronald Reagan. Kur Politika udhëhiqej nga Morali”.  Meqenëse, sigurisht, jo të gjithë politikanët tanë janë moskokëçarës për moralin që duhet të ketë politika, a nuk ka ardhur dhe ndoshta po kalon koha që njerëzit të fillojnë të mendojnë dhe veprojnë në emër të një politike dhe të politikanëve të moralshëm?! Kjo është një kërkesë e përgjithshme popullore, përderisa popullor është edhe shqetësimi. Shqipëria ka nevojë të ngutshme për një politikë të re të udhëhequr nga morali. Asaj do t’i bënte shumë mirë një “përmbytje” me vlerat dhe moralin e një brezi të ri dhe më duket se dyert e politikës janë të hapura dhe pikërisht këtë po presin.  

SHKARKO APP