Politika mësoi popullin të vjedhë
Nga Sadedin Çeliku
Vjedhja është fenomen global por në vendin tonë është i llojit të veçantë. Vjedhja në mungesë të drejtësisë u shndërrua e ligjshme, e moralshme dhe punë e paqme. Vjedhësin shpesh e dëgjojmë të mburret me veprimet që bën dhe herë-herë na shfaqet si hero. Tani nuk duhet të çuditemi me veprimet e një hajduti. Deri dje ishte thuajse e pamundur dhe kishte karakter zonal, por ajo tashmë është shndrruar në fenomen mbarëkombëtar. Kur e diskutojnë çështjen e hajdutllëkut si fenomen disa e argumentojnë me krizat ekonomike,disa të tjerë me papunësinë, skamjen e varfërinë dhe pak kush me vesin. Për fenomenin në fjalë kanë shkruar dhe analizuar shumë por unë do desha ta trajtoj në këndvështrimin social-ekonomik. Pra me këtë veprim dënohet shteti apo shoqëria?
Në vendin tonë hajdutëria ka ekzistuar si fenomen ashtu si kudo në botë, por pas viteve 1990 mori theks të veçantë. U grabitën fabrika e uzina, u shkatërruan gjithçka në emër të sloganit “Çek i Bardhë dhe Terapia e shokut “. Kështu duhet ta themi troç që vidhet energjia prej më shumë se 20 vjetësh, uji, tokat e asetet e ngjashme me to, invazion fiskal në duhan e cigare, pije alkoolike, medikamente, ushqimet bazë ose ato që ndryshe quhen mallrat e shportës, vidhen autovetura, vidhen kapakët e pusetave për ti shitur për skrap ose për vilat që ndërtohen, zaptohen institucionet shtetërore dhe kthehen në fond banesash, vjedhje shtëpish,vjedhje butikësh argjendarie, vjedhje barnash, vjedhje e drejtësisë, vjedhje bankash, vjedhje nga sigurimet shoqërore nga ku mijëra njerëz janë përfitues të pensioneve të pleqërisë pa mbushur moshën dhe invalidetit dhe vjedhja më e shëmtuar në botë është vjedhja e votës, e fjalës së lirë dhe e vullnetit popullor. Sikur të bëj vaki të futen në sitë të gjithë përfituesit e pensioneve të pleqërisë apo invalidetit, sikur ndërtueseve të cilët hanë kandar tek sipërfaqet e përbashkëta për të paguar më pak tatime, dhe sikur një task forcë për të tëra sa citova më sipër del se shqiptarët të cilët e kanë aq shumë për zëmër flamurin kombëtar vjedhin shumë. Kësisoj rezultojnë miliarda dollarë dëm ekonomik ose ndryshe miliarda që ja kemi hequr shoqërisë dhe i kemi vjedhur.
Ata që vjedhin më shumë, ata që shpërdorojnë më shumë fondet publike na flasin për ndershmërinë, na moralizojnë dhe tregohen më shumë bujar e garipa se të ndershmit e vërtetë. Shtetet e konsoliduar ekonomikisht nuk janë bërë vetiu, por është shoqëria ajo që ka kontribuar dhe shpesh kanë sakrifikuar për forcimin e konsolidimin e vendit tyre. Për stimulimin dhe promovimin e këtij vesi të keq, ju ka ardhur në ndihmë politika dhe interesat elektorale. Pra për hir të pushtetit, dashje pa dashje, gati kanë shitur Shqipërinë dhe interesat publike. Sigurisht pas pushtetit shihen interesat personale, interesat e grupit apo interesat e oborrit e oligarkëve. Nuk i jepet toka pronarëve legjitim sepse pushtetarëve i të gjithë ngjyrave i është dhënë tokë miliona metër katror në vendet më të bukura turistike, natyrisht në mënyrë të paligjshme. Pra askush nuk ka interes të amendoj ligjin 7501, sepse cënohen interesat e tyre. U blenë për pesë kacidhe pronat e ushtrisë buzë bregdetit dhe mjaft reparteve ushtarake. Të njëjtin fat pësojë dhe Shtëpia Qendrore e Ushtrisë. Shkaqet dhe korrupsioni sot janë fenomenet më të debatuara dhe sfidat më të mëdha në Botë, sepse rritja ose zvogëlimi i saj përcakton qeverisjen e mirë nga e keqja, çon në alokim joefiçent të burimeve, çrregullon sektorin privat dhe publik ndikon mjaft ne faktorët social të popullsisë si dhe jep impakt direkt në rritjen ose jo të treguesve ekonomikë. Sigurisht, qytetarët që vjedhin energjinë, ujin dhe gjithçka tjetër kujtojnë se ja hedhin shtetit dhe strukturave të saj. Në se vjedhja nuk do të kishte këto përmasa do kishte më shumë energji dhe investime në atë sektor, por dhe në sektorët e tjerë si në arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë etj. Nuk ka moral të kërkohet zbutje të problemeve sociale dhe investime pa eliminuar vjedhjet, korrupsionin dhe fenomenet e tjera që po brejnë shoqërinë. Nisma e qeverisë për vendosjen e shtetit ligjor duhet inkurajuar dhe mbështetur fuqishëm, sepse vetëm kështu do bëhet e mundur ndryshimi për të cilën të gjithë presim. Vjedhja dhe korrupsioni kërcënojnë demokracinë, të drejtat e liritë e njeriut, minon qeverisjen dhe administrimin e fondeve publike, frenon zhvillimin ekonomik dhe bazat morale të shoqërisë.