Politikani i Vitit, Edi Rama
Rama, politikani i vitit
Viti 2014 nuk pati humbës dhe fitues nga pikëpamja elektorale, por ngjarjet politike e kanë dominuar vendin gjatë gjithë kohës. Ka pasur reforma, beteja të ashpra politike dhe nisma që kanë pasur gjithmonë në qendër të tyre një emër politikani. Me apo pa dashje, kryeministri Edi Rama ka qenë në qendrën e zhvillimeve më të rëndësishme politike. Protagonizmi ka ardhur jo vetëm për shkak të karizmës dhe aftësive të tij polemizuese, por edhe për shkak të vendimmarrjes si kryesues i mazhorancës. Lexuesit online të gazetës “Koha Jonë” kanë zgjedhur që ta votojnë si politikanin e vitit, me një diferencë dukshme më të madhe sesa gjithë politikanët e tjerë. Një diferencë që justifikohet edhe me faktin se Rama ka zgjedhur të jetë jo një kryeministër që merr vetëm vendimet, por edhe një drejtues që preferon të përballet edhe me ata që mendojnë të kundërtën e nismave të tij. Ndaj në këtë vit, Rama ka lënë gjurmët e tij politikë. Rama mbetet përherë sfidues, kërkues, por edhe fshikullues.
Në qershor të këtij viti, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Sigurisht nuk është një meritë vetëm e mazhorancës së majtë, pasi integrimi është një proces i gjithë qeverive të mëparshme. Megjithatë, pas tre refuzimesh nga Brukseli puna e bërë nga kabineti “Rama” duket se ishte një sinjal i qartë për vendet e BE-së për të hapur dritën jeshile për Shqipërinë.
Një nga operacionet më të suksesshme të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama është padyshim aksioni antikanabis në Lazarat. Pas 23 vitesh, shteti vendosi autoritetin e tij në komunën rebele që ishte bërë njolla e zezë e Shqipërisë për trafikun e lëndëve narkotike dhe simbolizonte dështimin e shtetit. Ishte një operacion i drejtuar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe zyrtarë të tjerë të lartë të rendit, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se pa një vendosmëri të kreut të qeverisë, vështirë se do të ishte bërë i mundur shkatërrimi i një prej plantacioneve më të mëdha të kanabisit në rajon. Edi Rama ishte urdhëruesi e zbatuesi, në të vertetë.
Prishja e ndërtimeve pa leje është një tjetër aksion që rriti kuotat e kryeministrit Edi Rama. Një operacion i munguar prej vitesh dhe më i ashpër sesa ai i heqjes së kioskave në lumin e Lanës, duket se pritej prej kohësh nga qytetarët. Ndaj Rama në këtë pikë nuk zhgënjeu. Viti 2014 do të mbahet mend si koha kur mori fund masakra urbane dhe ndërtimet pa kriter. Sigurisht, metodat e përdorura, tritoli dhe shembjet masive kanë pasur kritika. Por efekti pozitiv është më i madh dhe janë më të shumtë ata që vlerësojnë Ramën për këtë aksion, sesa ata që e kritikojnë.
Në këtë linjë, është dhe aksioni për energjinë. Është një operacion më i gjatë në kohë dhe më i dhimbshëm, por të gjithë mendojnë se është i domosdoshëm. Prej muajsh, energjia nuk shihet më si një element ku shteti mund të vidhet, ku një pjesë e njerëzve paguajnë faturat dhe të tjerët vjedhin prej 24 vjetësh. Është një rrugë që e ka nisur me forcën e ligjit, por mbetet të shikohet në 2015-ën se sa do të jetë vazhdues i kësaj reforme epokale që t’i ngulitet çdo njeriu, me hall e pa halle se “energjia është si çdo mall tjetër që shitet e blihet”.
Aksionet si energjia, ndërtimet pa leje, Lazarati, etj, kanë të përbashkët qëndrimin për respektimin e ligjit. Jo detyrimisht lidhen me emrin e kryeministrit, pasi janë institucione të tëra që kanë qenë në veprim. Por institucionet kanë qenë dhe më parë, fondet e shtetit dhe baza ligjore nuk ka munguar për të marrë masa. Ajo që ka munguar ka qenë një qëndrim i prerë politik dhe marrja përsipër e kostove elektorale. E në këtë rast, merita është e Kryeministrit. Edhe kostot, nëse do ketë, janë të Edi Ramës.
Ndërsa beteja për vendosjen e ligjit është pika ku Rama ka marrë vlerësime maksimale, protagonizimi i tij nuk ka munguar dhe në politikën e jashtme. Janë disa ngjarje që kanë rritur kuotat e tij si politikan në politikën rajonale. E para, është takimi i vendeve të rajonit në Samitin e Ballkanit të organizuar nga Kancelaria gjermane Angela Merkel. Rama arriti të dalë nga qerthulli i një lideri me komplekse lokale, siç kanë qenë shpesh kryeministrat e mëparshëm dhe dëshmoi edhe lidership rajonal. Jo rastësisht ishte një nga zërat kryesorë të këtij forumi që u mbajt në muajin gusht. Në këtë rast, rritja e kuotave nuk lidhet thjesht me emrin e Ramës si politikan, por edhe me prezantimin e Shqipërisë në një mënyrë më dinjitoze.
Ngjarja kryesore ku Rama është vlerësuar edhe nga kritikët më të rreptë të tij është vizita në Serbi. Ishte një vizitë me karakter historik, jo vetëm sepse një kryeministër shqiptar shkonte në Beograd pas 68 vjetësh, por edhe për qëndrimet e mbajtura. Për herë të parë, një kryeministër foli në Beograd përballë homologut të tij lidhur me pavarësinë e Kosovës. Qëndrimi i mbajtur nga Rama ishte jo vetëm tregues lidershipi, por edhe prezantim dinjitoz i politikës së jashtme të Shqipërisë.
Ky është Edi Rama për vitin 2014. Vitin 2015 nuk e ka të lehtë se ka zgjedhjet vendore dhe protestat e opozitës, ku gjasat duken se do të jenë radikale.