”Pozitiv udhëtimi në SHBA”, Salianji: Qytetarët presin dorëheqjen e Berishës për të larguar Ramën
Ervin Salianji ka reaguar për udhëtimin e Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar si një lajm pozitiv për PD-në dhe Shqipërinë. Salianji thekson se pavarësisht çdo zhvillimi pozitiv nga Uashingtoni, problemi politik i PD-së mbetet në Tiranë. Sipas tij, Berisha mund të udhëtojë në SHBA, por nuk arrin të krijojë një alternativë bindëse politike në Shqipëri. Ai i bën thirrje Berishës të reflektojë dhe të japë dorëheqjen, duke argumentuar se qytetarët presin të ndryshojë opozita për të larguar Ramën një orë e më parë.
Shkrimi i plotë
Udhëtimi i Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara është një lajm pozitiv. Çdo hap që normalizon marrëdhënien e një force politike shqiptare me aleatin strategjik të Shqipërisë është në interes të vendit dhe të Partisë Demokratike. Por nuk mund të bëjmë sikur nuk ekziston problemi politik që ka rënduar mbi PD-në për vite me radhë.
Non grata për korrupsion është një njollë që nuk rëndon vetëm mbi një individ. Ajo ka rënduar mbi një parti të tërë, mbi opozitën dhe mbi mundësinë e saj për t’u paraqitur si alternativë qeverisëse. Udhëtimi sot tregon një paradoks të madh, Berisha mund të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara, por nuk mund të udhëtojë politikisht në Shqipëri.
Nuk mund të bindë Fierin për të organizuar një takim, nuk e viziton dhe as mund të fitojë Shkodrën, nuk organizom dot takim e nuk mund të ndezë Vlorën, nuk bën dot takim në Berat dhe është non grata nga protestuesit në Tiranë. Mbi të gjitha, nuk mund të bindë shumicën e shqiptarëve se është zgjidhja për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht çdo lajmi të mirë që mund të vijë nga Uashingtoni, problemi i PD-së mbetet në Tiranë.
Edi Rama nuk largohet duke përsëritur të shkuarën. Largohet duke ndërtuar një alternativë që shqiptarët besojnë se mund ta zëvendësojë dhe sot, pengesa më e madhe për këtë alternativë është fakti që PD-ja vazhdon të mbahet peng i një beteje për të shkuarën, në vend që të ndërtojë betejën për të ardhmen. Prandaj, ndoshta ky udhëtim është një mundësi, një mundësi që, larg zhurmës së përditshme, Sali Berisha të reflektojë për atë që do i kërkojnë, dorëheqjen!
Të kuptojë se historia e tij nuk mund të jetë përgjithmonë historia e Partisë Demokratike. Të kuptojë se një parti nuk mund të jetë peng i një individi dhe të kuptojë se një dorëheqje dinjitoze nuk është humbje personale, por mund të jetë kontributi i fundit i madh politik për Shqipërinë dhe PD-në.
Nëse Berisha e do vërtet Partinë Demokratike dhe ka interesin publik të parin ai duhet t’i japë Partisë Demokratike atë që nuk ia ka dhënë dot deri tani; mundësinë për të fituar. Sepse Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që vetëm mbijeton. Koha për ndryshim është tani! Edi Rama e ka humbur mbështetjen popullore, qytetarët presin të ndryshojë opozita për të larguar Ramen një orë e më parë!
KOHA JONË SONDAZH

