Pr.ligji për mbetjet, ministri Jaupaj: Përgjegjësi financiare e organizative për ndotësit
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj prezantoi këtë të mërkurë në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin ”Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”, duke e cilësuar atë një kthesë historike në politikat mjedisore të Shqipërisë. Jaupaj tha se ky pr.ligj nuk është thjesht një akt normativ për të plotësuar kërkesat formale të BE-së, por një transformim i thellë në mënyrën sesi ne si shoqëri e kuptojmë dhe ushtrojmë përgjegjësinë ndaj mjedisit që na rrethon dhe ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh.
”Prezantimi këtij projektligji plotësues me ligjin e menaxhimit të mbetjeve, që miratuam dy javë më parë në parlament, sjell një transpozim të direktivës kuadër të mbetjeve. Në ligjin e ri subjektet prodhuese që vendosin produkte në tregun shqiptar duhet të jenë përgjegjëse në trajtimin e mbetjeve që krijohen nga këto produkte. Për qytetarët kjo do të thotë një ulje indirekte e barrës financiare, për bizneset e përgjegjshme që investojnë në praktika miqësore me mjedisin kemi një avantazh konkurrues duke nxitur inovacionin”, theksoi Jaupaj. Nga ana tjetër Jaupaj vuri në dukje se për dekada të tëra ekonomia ka ndjekur modelin linear, i cili ka dominuar zhvillimin industrial, sot po tregon kufijtë e tij.
“Ligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje” përfaqëson hyrjen e Shqipërisë në epokën e ekonomisë qarkulluese ku produktet ruhen, mbetjet ripërdoren, mbetjet transformohen. Parimi “ndotësi paguan” nuk është vetëm një mekanizëm mjedisor, por është një imperativ i drejtësisë ai që përfiton nga vënia në treg e një produkti duhet të mbajë përgjegjësi atë që mbetjet pas konsumit të tij krijojnë. Kjo është një dretësi ekonomike dhe sociale”, tha Jaupaj. Ministri po ashtu bëri të ditur se ligji synon të hyjë në fuqi në 1 qershor 2026 duke krijuar një përudhë tranzitore që u krijon bizneseve që janë subjekt i këtij ligji të përshtaten me kërkesat e reja.
KOHA JONË SONDAZH

