”Prania Besnike”/ Rama mbledh drejtuesit politikë të PS: Partitë fitojnë kur dëgjojnë, humbin kur mbyllin veshët
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë pasdite të së enjtes drejtuesit politikë të PS-së dhe kryetarët e komisioneve parlamentare për të vijuar me dokumentin aneks për platformën “Besa.” Dokumenti quhet “Prania Besnike” dhe flet për mbështetjen që PS duhet t’i japë “Besës” që simbolizon kthesën e mandatit të katërt. Rama tha se ky dokument fokusohet te punët e brendshme të partisë, ndërsa solli si shembull disa pushtetarë të cilët sipas tij asnjëri nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi, por humbën dëgjimin nga pushteti. Një rast, renditi edhe ish-presidentin amerikan Barack Obama.
”Dokumentin strategjik ”Besa” e keni tashmë në dorë. Ky dokumenti tjetër, që është këtu dhe që e ndaj me ju sot për një diskutim të brendshëm, quhet ”Prania Besnike” dhe është aneksi i dokumentit të parë. ”Prania Besnike” i adresohet vetëm partisë, me synimin për ta vendosur atë në funksion të kthesës së mandatit të katërt. Nëse herën e shkuar fola për qeverisjen, sot do të flas për makinerinë tonë të partisë.
Asnjëri nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi, të gjithë e humbën dëgjimin nga pushteti, Obama fitoi me lëvizjen më të madhe vullnetare që kishte parë historia e demokracisë amerikane. Mbi 2 mln vullnetarë, ose patronazhistë, si edhe 13 mln adresa njerëzish të lidhur me kauzën. Një muaj pas fitores të cilën askush nuk e parashikoi, ajo lëvizje u ftoh, rrjeti u fut brenda zyrave të administratës dhe u vu në shërbim të axhendës së Shtëpisë së Bardhë.
Protagonistët kryesorë u kthen në zëdhënës të pushtetit të ri dhe kori më masiv i përcjelljes së një mesazhi politik në historinë e Amerikës u tret. 2 vjet më vonë, në zgjedhjet e para të me mandatit, makineria që kishte magjepsur botën nuk kishte më jetë. Obama e ka pranuar më vonë si një nga dështimet më të mëdha politike”, tha Rama.
Një tjetër rast i përmendur ishte Lëvizja 5 Yjet në Itali, e cila u rrit duke kundërshtuar partitë tradicionale, por më pas u përball me probleme të brendshme për kontrollin e platformës së saj digjitale. “Kur filloi grindja në pushtet, partia mbeti pa asnjë kontroll mbi të dhënat e veta dhe me votime të ngrira në çastin më kritik të jetës së saj”, tha Rama. Duke iu kthyer një modeli tjetër, kryeministri foli për partitë që qëndrojnë gjatë në pushtet, por që sipas tij dëgjojnë vetëm një pjesë të shoqërisë. Ai solli si shembull Peronizmin në Argjentinë, ku në çdo lagje funksiononin njësi bazë që ofronin ndihmë për qytetarët në nevojë. “Në pamje të parë tingëllon si prania besnike. Por në fakt mund të kthehet në një mekanizëm klientelist që garanton mbijetesën politike dhe shmang zgjidhjet reale”, u shpreh Rama.
KOHA JONË SONDAZH

