Preç Zogaj: Dumani ishte garancia e SPAK-ut dhe simboli i drejtësisë së barabartë

Preç Zogaj shkruan se mandati trevjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK po i afrohet fundit, duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri. Gjatë drejtimit të tij, SPAK nisi të shkruajë një kapitull të ri në historinë e drejtësisë shqiptare, duke hedhur themelet e parimit “Askush mbi ligjin”, një standard i panjohur më parë në vendin tonë.

Nën drejtimin e Dumanit, hetimet penale u normalizuan edhe në nivelet më të larta të pushtetit, prej ish-kryeministrave dhe ish-presidentëve Sali Berisha e Ilir Meta, te zëvendëskryeministrat Arben Ahmetaj e Belinda Balluku, ministra, kryebashkiakë dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë. Kulmi u shënua me dërgimin për gjykim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një zhvillim dikur i paimagjinueshëm.

Kështu, SPAK me Dumanin në krye arriti të zhbllokojë krizën e gjatë të sistemit të drejtësisë, e cila ishte, mbi të gjitha, krizë e hetimit të pandëshkueshmërisë politike. Pa hetim, drejtësia është si mulliri pa ujë  nuk ka çfarë të bluajë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Tre vjetët e fundit ishin më produktivë falë përgatitjes, investimeve, asistencës ndërkombëtare dhe rritjes së pritshmërive publike. Megjithatë, sukseset, të cilat në kontekstin e 30 viteve pandëshkueshmëri janë të natyrës epopeike, lidhen ngushtë me figurën e Dumanit: prokuror i guximshëm, profesionist, atdhetar dhe udhëheqës që udhëheq me shembull dhe jo me pozicion.

Swiss Digital Mobile Reklama

Dumani qëndroi në vijën e parë të hetimeve, përkrah kolegëve, duke u bërë njëkohësisht mburojë nga sulmet politike dhe presionet kriminale. Ai promovoi punën në ekip, shmangu protagonizmin, mori mbi vete goditjet publike dhe i mbrojti kolegët, duke ruajtur integritetin e institucionit.

SPAK nën drejtimin e tij ka ditur të menaxhojë sfida të brendshme dhe presionet e mëdha pa i kthyer në spektakël publik një meritë që flet për profesionalizëm të pjekur.

“Kuota Dumani” është sot një standard i lartë dhe sfidues për kryetarin pasues. Barrën e drejtimit tashmë e merr dikush tjetër, me detyrën për ta ruajtur këtë nivel e për ta çuar më lart, me vetëdijen se sfidat dhe sulmet do të shtohen, sa më shumë rritet numri i të hetuarve e të dënuarve.

SPAK duhet të përgatitet edhe për rënien natyrale të entuziazmit publik dhe rritjen e nihilizmit, si pjesë e logjikës së progresit: sa më shumë pakësohet e keqja, aq më i dukshëm bëhet ajo që mbetet. Por ky nuk është problem për një institucion që ka busull ligjin, jo popullaritetin.

Ndërkohë, presioni politik dhe kërcënimet e botës së krimit nuk do të mungojnë. SPAK duhet të vazhdojë rrugën pa devijuar, sepse çdo dobësim i tij rrezikon kthimin prapa.

Në disa raste mund të ketë teprime hetimore, por ato korrigjohen nga gjykata. Ndërsa një SPAK i “kastruar” do të thotë drejtësi e paralizuar. Pa akuzë, gjykata nuk ka punë.

Pikërisht për këtë, pritet që edhe në mandatin e ri, me përvojën dhe solidaritetin e fituar, prokurorët e SPAK të vijojnë të shkruajnë historinë e madhe të “Askush mbi ligjin”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?