Prefekti, Shkëlqim Hajdari në inaugurimin e një teatri të ri të kujtesë së vjetër, të një Shqipëria në zemër të Kalabrisë
Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka bërë publik në rrjetet sociale një ngjarje që shkon përtej një kremtimi të zakonshëm kulturor, “Konventa Arbërore” dhe përurimi i Teatrit të ri Arbëresh në San Demetrio Corone (Shën Mitër Kalabri), duke e shndërruar këtë moment në një dëshmi të gjallë të bashkimit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve kudo që ndodhen.
Në thelb të kësaj dite festive qëndronte ideja e një “dite krejt shqiptare në Kalabri”, ku përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut – u mblodhën tek vëllezërit arbëreshë përtej Adriatikut, duke e kthyer këtë takim në një urë simbolike të kujtesës, identitetit dhe përkatësisë së përbashkët. Një kurorë e veçantë e këtij bashkimi u bë edhe prania e pasardhësve të familjes Kastrioti, si një jehonë historike e vijimësisë së një trashëgimie që nuk është shuar.

Mikpritja e kësaj ngjarjeje të rëndësishme u bë nga kryetari i komunës së San Demetrio Corone, Ernesto Madeo, i cili hapi dyert e një hapësire të re kulturore për një festë që tejkaloi kufijtë ceremonialë. Ndërkohë, delegacioni nga Shqipëria, i kryesuar nga prefekti i qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, solli një atmosferë të gjallë artistike në skenën e teatrit të sapoinauguruar, përmes një programi të pasur me artistë të njohur si Fatos Qerimi, orkestrën e SIGAL-it dhe grupe të tjera artistike nga hapësira mbarëshqiptare.

Një kontribut i veçantë në organizimin dhe pasurimin e kësaj ngjarjeje dhanë edhe botuesit e gazetës “Alpet Shqiptare”, Ramiz dhe Arbër Lushaj, të cilët prej kohësh janë të angazhuar në promovimin e lidhjeve kulturore mes Shqipërisë dhe diasporës arbëreshe.
Kulmi i kësaj ngjarjeje u shënjua nga prezantimi i një projekti me rëndësi të jashtëzakonshme: iniciativa e prefektit Shkëlqim Hajdari për shndërrimin e shtëpisë së lindjes së poetit të Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada, në një muze kombëtar. Ky projekt, që kërkon një proces të kujdesshëm institucional – nga blerja e banesës, te restaurimi dhe më pas transformimi i saj në një hapësirë muzeale dinjitoze – synon të rivendosë në qendër të vëmendjes një nga figurat më të rëndësishme të mendimit dhe letërsisë shqiptare.

Për realizimin e kësaj nisme është ngritur edhe një bord i posaçëm, nën kujdesin e prefektit Hajdari, ku bëjnë pjesë kryetari i komunës së San Demetrio Corone, Ernesto Madeo, kryetari i bashkisë së Strugës, Mendi Qyra, botuesi Fatmir Toçi dhe filantropi Ramiz Tafili. Ky ekip ka nisur menjëherë punën për mbledhjen e fondeve dhe koordinimin e hapave të nevojshëm për realizimin e muzeut “De Rada”, si dhe për organizimin e një simpoziumi në Tiranë mbi jetën dhe veprën e poetit, një prej gurthemeluesve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Kjo ngjarje, në thelb, nuk ishte vetëm një festë kulturore. Ajo u shndërrua në një akt të gjallë kujtese dhe bashkimi, ku historia, arti dhe identiteti shqiptar u ndërthurën në një hapësirë të përbashkët shpirtërore, duke dëshmuar se lidhjet mes brigjeve të Adriatikut mbeten të pashkëputshme dhe thellësisht të gjalla.
Albert Vataj

KOHA JONË SONDAZH

