“Première ou dernière”?

 

Entela Bineri

Premierat e tremujorit të parë të sezonit teatror nuk kanë munguar. Sidoqoftë, nuk mund të pohojmë symbyllazi, nëse secila prej tyre ka qenë “le première ou le dernière”, duke marrë parasysh si prejardhjen e fjalës së huazuar, si cilësinë artistike të çdo shfaqjeje. Dhe kështu, duke renditur, mund të shkojmë më tej…

 “Spiuni i Ballkanit” nga Dushan Kovaçeviç, regjia Spiro Duni

Dukuria e shndërrimit të një individi në spiun me përligjjen se po i shërben shtetit dhe që më pas kthehet në një paranojak, i cili lëndon pa njohur kufi si vetveten, ashtu edhe të afërmit, vjen si dukuri- rrjedhojë e sistemit politik në fuqi. (Gjithsesi, kjo mbetet e kuptueshme vetëm për ata shikues, të cilët i kanë përkitur sistemit politik përgjegjës. Asnjë brezi tjetër të mëvonshëm.)

Ky është thelbi i dramës “Spiuni i Ballkanit”, shkruar nga Dushan Kovaçeviç dhe drejtuar në skenën e Teatrit Kombëtar prej regjisorit Spiro Duni.

Pa dashur të cenohet vlera që shfaqja mishëronte, si dhe pa u shpëtuar krahasimeve me dramatizime të të njëjtit regjisor, duke sjellë së paku në kujtesë shkëlqimin e shfaqjes “Një udhëtim i gjatë drejt natës” të nobelistit Eugene O’Neill dhe interesimin masiv të publikut për të, nuk mund të lëmë pa thënë se, ndonëse vepra mund të tingëllojë aktuale, ndonëse komizmi dhe tragjizmi zinin vend në të, ashtu si në jetën reale, kjo vënie në skenë nuk ishte një arritje.

Shpërndarja e roleve mund të ketë qenë e arsyeshme sipas analizave paraprake regjisoriale, porse rezultati provoi të kundërtën. Një shfaqje, në të cilën katër nga pesë aktorët ishin pothuajse të panjohur për publikun, nuk mund të jepte më shumë nga çfarë dha. Dhe jo vetëm njëri vektor nuk mirëveproi, por as i anasjellti.

Për ta zotëruar publikun, do të duhej që edhe aktorët ta njihnin atë vetë. Në këtë shfaqje, i vetmi aktor profesionist dhe i mirënjohur me dhe në Teatrin Kombëtar ishte Ndriçim Xhepa, të cilit i ishte “besuar” një rol episodik. Krejt e pakuptimtë që një aktor i përmasave të Ndriçim Xhepës vihet në këtë pozitë teksa protagonisti, Albano Prodani, ndonëse dha më të mirën e vet dhe, edhe pse kjo e mirë s’ishte pak, përsëri erdhi pamjaftueshmërisht, duke mos e ndier të sigurt skenën nën këmbë.

Për herë të parë në skenën shqiptare, edhe pse në kohë të vonë, erdhi edhe Maya Aliçkaj, e cila, ndonëse luante rolin e një shtëpiakeje të rëndomtë, fjalamane e patetike, që herë pas here këndonte me letër në dorë një motiv që e përsëriste pa reshtur, përsëri pasqyronte qartas përballjen për herë të parë në një skenë kombëtare, ndonëse jo dhe aq pa të drejtë: skena teatrore kombëtare nuk është më një tempull i artit dhe kjo tashmë nuk përbën një sekret…

Alesia Xhemalaj përbënte një tjetër befasi në skenë. Regjisorët duhet ta kuptojnë se skena, profesionalizmi në përgjithësi, nuk është çështje dashamirësie dhe mbështetjeje morale, por sprovash të forta deri në vërtetim të përligjur të pasionit me punë dhe talent. Në këtë shfaqje aktorja në fjalë luante përkrah profesorit të vet, Ndriçim Xhepa. Sa keq që për shkak të amatorizmit të saj, mungesës së talentit gjithashtu, ajo nuk mundi ta ndihmojë profesorin në një çast bllokimi, në një të premte, një mbrëmje nga shumë mbrëmjet e shfaqjes…

“Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” nga Luixhi Pirandelo, regjia Kiço Londo

Paralelisht me shfaqjet e Teatrit Kombëtar kanë ardhur edhe shfaqjet e Teatrit Kombëtar Eksperimental. Kësaj radhe, me një eksperiment të Luixhi Pirandelos, eksperiment të cilin vetë autori e realizoi gati një shekull më parë dhe që pak vite më parë në Teatrin Kombëtar e mori përsipër regjisori Mehmet Xhelili. “Eksperimentali”, duke eksperimentuar eksperimente të eksperimentuara suksesshëm tashmë, rrezikoi duke vënë në krahasim shijen që ka lënë Fatos Sela me mungesën e përftimit të ndonjë shijeje estetiko-artistike nga aktori Myzafer Ziflaj. Mirëpo problemi nuk qëndron vetëm në (mos)zëvendësimin e të vdekurve… Teatri ynë po shkon drejt asaj pike që nuk po arrin dot as të gjallët: zhgënjim më vete në këtë shfaqje ishte krahasimi midis Eftiola Laçkës dhe Ermira Hysajt, si dhe nuk mund të lihet pa përmendur as krahasimi mes Marjeta Ljarjes dhe Adriana Tolkës.

Gjithsesi, nuk duhet të fshehim faktin se ky eksperiment u paraqit mjaft mirë nga media, deri në lapidarizim: madje, u vunë shpeshherë shenja paralelizmi midis gjenisë së autorit italian dhe regjisorit shqiptar, por jo vetëm kaq… Shumica e këtyre hermesëve (kasnecëve) ishin mjaft të njohur me dramaturgjinë në aspektin e saj teknik, aq të përgatitur sa mes radhëve gjeje dhe shprehjen “nga akti në akt”… Me sa duket, ndonjëri prej tyre do të ketë harruar të lexojë vetë Pirandelon, vepra në fjalë e të cilit nuk është e ndarë në akte…

Kjo shfaqje, realisht e vështirë, pati të përbashkët me veprën vetëm tekstin, por jo interpretimin e pritshëm dhe është krejt e papranueshme të ngrihet pretendimi kundërshtues për shkak të trupës pa përvojë. Në këtë rast ka zgjidhje: ose ndërrohet trupa, ose ndërrohet autori/teksti.

Duke u fshehur gjithnjë pas shfajësimit bosh: “moshë mesatare 25”, nga shfaqja në shfaqje po shihet edhe se ata elementë që kanë shkëndijuar më herët, janë duke u zbehur falë përsëritjes së vetvetes, pa pasur shpresë për ndonjë shkëlqim të mundshëm në horizont.

            “20 vjet, dy javë e dy ditë” me autorësi dhe regji të Stefan Çapalikut

                       Shtëpia-“qeli” është vendngjarja e veprës “20 vjet, 2 javë e 2 ditë” nga Stefan Çapaliku, vënë në skenën e Teatrit të Metropolit me regji të vetë autorit përgjatë po kësaj periudhe kohore, përcaktuar nga vetë autori si një komedi e përgjakshme, paçka se humori ishte i munguar, fundi tragjik i ndonjë personazhi, po e po.

                      Gjithsesi, drama e personazheve (dy të moshuar) të shfaqjes në fjalë qëndron jo vetëm në persekutimin prej sistemit diktatorial, por edhe në mungesën e ndryshimit pozitiv me ardhjen e sistemit të ri politik.

                      Dhe të gjithë këtë, autori është përpjekur ta sjellë në formën e një teatri pa ngjarje, pa zhvillim karakteresh, por me një shpërfaqje të sipërfaqshme, me pyetje retorike kinse filozofike, me fraza të përsëritura, mbrujtur plot simbole e situata absurde, në të cilat vihet jo rrallë njeriu i ditëve tona, porse a mundi kjo shfaqje ta përcjellë realizueshëm artistikisht realitetin tonë? Sigurisht që jo!

                      Duke u përpjekur të imitojë ndoshta teatrin e absurdit, autori nuk la rast pa i vënë në pozita qesharake aktorët e mirënjohur të skenës shqiptare: Guljem Radoja dhe Justina Aliaj. Paskëtaj, kush mund të priste se tre aktorët e tjerë do të zinin një vend më dinjitoz në skenë? Kjo, jo vetëm për shkak të tekstit dramatik, por edhe të realizimit të tij në skenë, i cili nuk përftoi veçse mërzi pa fund.

                      Kështu, ngërthyer në një: dramë që foli shqip dhe realizim shqiptar, nuk vonoi shumë dhe mungesa e spektatorëve e tkurri dhënien e shfaqjes nga java në javë, nga dita në ditë. Ishte kjo arsyeja që përkeqësoi edhe më lojën e aktorëve nga shfaqja në shfaqje, ndonëse ata respektuan drejtimin bazë: Guljemi u var për qafe zinxhir më zinxhir (zinxhiri si element skenografie), kurse Justina këndoi midis të tjerash “qengjin e vogël e të mendueshëm” teksa punëtorët (shpeshherë të keqdrejtuar, me lëvizje të pakuptimta e të panevojshme në skenë, me ngatërrime emrash e marrje goje) përpiqeshin të riparonin shtëpinë e rrënuar të çiftit të moshuar…

                        Autori i pjesës i mëshon së vërtetës së pamohueshme se përgjatë 20 (-25) vjetëve asgjë s’ka ndryshuar dhe se dëshpërimi i thellë ka vetëm një shkak: Mosndryshimin. Megjithatë kjo e vërtetë mbetet e pjesshme: mjafton një shembull i thjeshtë mes të shumtëve për ta kundërshtuar: paraqitja dinjitoze e artit të dikurshëm skenik në Shqipëri, ndonëse shpeshherë propagandistik, ka ndryshuar, ia ka lënë vendin një belbëzimi dramaturgjik. Dhe kjo s’është pak…

                      E megjithatë, nga pikëpamja tematike dhe ideore autori saktësisht na bën të ditur përmes personazheve zvetënimin e njeriut në shoqërinë shqiptare. Rrjedhimisht, si mund të mos jetë një “karneval” teatri ynë, ndërkohë që shoqëria është e tillë??? E nëse ndjekim rrjedhën logjike të personazhit të Tomës, i cili ka arritur në përfundimin se shtëpia (mendësia) duhet shembur, teatrit shqiptar s’i mbetet veçse të rindërtohet, pasi për 25 vjet është shembur mjaftueshëm…

            Për të mos mohuar, kjo shfaqje në ndryshim nga të tjerat erdhi me një lloj thjeshtësie, ndoshta një lloj frike dhe ashtu, pa bujë, u shua, për të ngelur në arkivin e dramaturgjisë shqiptare e, ndoshta, për të mos u dukur më.

 “Vallëzimi i fundit” me autor dhe regjisor Erand Sojlin

 “Dashuri me çdo kusht” nga Adriane Shelly, me regji nga Andia Xhunga

 

            Dy shfaqje të tjera erdhën në skenat kryeqytetase nga rrethet, përkatësisht nga Elbasani dhe Durrësi, me titujt: “Vallëzimi i fundit” me autorësi dhe regji nga Erand Sojli dhe “Dashuri me çdo kusht” nga Adrienne Shelly dhe regji nga Andia Xhunga. Ngjitja e tyre në skenën kombëtare dhe atë kryeqytetase dëshmoi mungesën e ndonjë ndryshimi të ndjeshëm mes asaj çka vjen nga larg dhe asaj që realizohet në qendër.

            Kjo për arsye se, në dy shfaqjet e mësipërme për shembull, regjisorët dhe aktorët kryesorë nuk u përkasin trupave të rretheve. Thjesht, aty kanë gjetur hapësirë mbështetëse financiare (ndonëse modeste ndoshta) për të vënë në jetë idetë e tyre.

            Dhe meqë jemi tek idetë: ato erdhën të çoroditura te “Vallëzimi i fundit”, duke shtuar këtu edhe ndërtimin e çuditshëm të çdo karakteri; edhe trajtimin pa logjikë të elementeve kohë e vend të ngjarjes, duke mos realizuar qartë synimin për të mos i përcaktuar enkas këto elemente; edhe zgjedhjen qesharake si për sa i përket fizikut, ashtu edhe lojës së “princeshës” së protagonistit; edhe mbylljen e stërzgjatur të dramës, jo të besueshme gjithashtu; për t’i dhënë fund me një shumësi linjash melodike. E megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, kjo shfaqje dhuroi emocion. Ndoshta ka qenë merita e lojës së aktorit Kastriot Shehi, personazhi i të cilit mbartte edhe peshën kryesore. Ndoshta në shërbim të idesë së autorit shërbeu shumë edhe tingëllimi i shkëlqyer muzikor arbëresh. Ndoshta ideja bazë, ecejakur shtigjesh të paqarta prej autorit, më shumë sesa është kuptuar prej spektatorit, është ndier prej tij.

Spektatori pati gjithashtu mirësinë të shijonte të përgjysmuar idenë e Adrienne Shelly-t te “Dashuri me çdo kusht”, në të cilën meritën kryesore e pati protagonistja Adelina Muça, sigurisht, pas intrigave interesante të vetë tekstit/autores.

…pas gjithë përpjekjeve të papërfunduara, sallat e teatrit ende kanë shikues. Janë shikuesit-të afërm, janë të ardhurit rishtas, janë kolegët artistë. Kushedi se kush ka për ta fituar garën e durimit?… Në këtë fund viti, në fund të të gjitha reflektimeve, zë vend thjeshtësisht edhe reflektimi për teatrin, i cili, bindshëm, po e prek fundin e tij në Shqipëri.

 

SHKARKO APP