Presidenti Begaj nga Teksasi: Ëndrra amerikane vijon të jetë një busull për Shqipërinë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë si i ftuar nderi në forumin “The American Dream at 250: Still Within Reach?”, organizuar nga Universiteti Texas A&M dhe Shkolla Xhorxh Bush për Qeverisje dhe Shërbim Publik.
Në fjalën e tij përpara studentëve dhe pjesëmarrësve, Begaj ndau reflektime mbi historinë dhe demokracinë amerikane, duke theksuar se “ëndrra amerikane” vijon të mbetet një model i arritshëm dhe frymëzues.
Ai e prezantoi rrugëtimin e tij personal si një dëshmi të ndryshimeve që ka përjetuar Shqipëria, duke u shprehur: “Jam një mjek që u bë ushtarak, e më pas presidenti i një vendi që kaloi pesë dekada duke ndërtuar mure për të mbajtur larg qytetarëve të vet idetë si liria dhe qeverisja demokratike”.
Gjithashtu, kreu i Shtetit u ndal te origjina e konceptit të “ëndrrës amerikane”, duke kujtuar se ajo lindi 250 vite më parë në Filadelfia si një ide mbi dinjitetin njerëzor, e cila vijon të sfidojë dhe frymëzojë shoqëritë edhe sot.
Ai solli në vëmendje edhe izolimin ekstrem të Shqipërisë gjatë komunizmit, duke theksuar se regjimi ndërtoi rreth 750 mijë bunkerë për të mbajtur qytetarët larg ndikimeve të jashtme, por pavarësisht kësaj “ëndrra amerikane depërtoi jo me leje, por me dëshirë të madhe”.
Begaj rikujtoi edhe momentet e vitit 1991, kur shqiptarët dolën në rrugë për liri dhe jo për ideologji, ndërsa theksoi se Shqipëria zgjodhi Shtetet e Bashkuara si partner strategjik real që në fillimet e demokracisë.
Në fjalën e tij, Presidenti vuri theks te rëndësia e institucioneve demokratike dhe kulturës së debatit, duke u shprehur se një institucion bëhet më i fortë kur sfidohet nga brenda.
Ai u shpreh optimist për të ardhmen, duke theksuar se; “përgjigjja është ende po, ëndrra amerikane është ende e arritshme”, ndërsa për vende si Shqipëria ajo ka shërbyer si një busull orientimi.
Në përfundim të fjalës së tij, ai u bëri thirrje të rinjve që ta mbajnë gjallë këtë ideal, duke e cilësuar si dëshmi se liria funksionon.
Gjatë qëndrimit në Teksas, Presidenti Begaj, zhvilloi takime me përfaqësues të autoriteteve vendore dhe u nderua me “Çelësin e Qytetit” nga Bashkia e Conroe-s.
Ai kreu gjithashtu homazhe në Memorialin e Veteranëve në Montgomery County, ku përfshihen edhe emrat e shqiptaro-amerikanëve që kanë shërbyer në ushtrinë amerikane, si dhe vizitoi varrin e ish-Presidentit Xhorxh Bush.
KOHA JONË SONDAZH

