Presidenti Begaj organizon pritjen për 1 Qershorin: Fëmijët e ushtarakeve të ftuar specialë në Presidencë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, organizuan këtë të diel pritjen tradicionale me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke mirëpritur në një atmosferë festive fëmijët e zonjave që shërbejnë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit vlerësoi përkushtimin dhe sakrificën e grave që shërbejnë në uniformë, ndërsa i cilësoi ato si krenari kombëtare që përfaqësojnë denjësisht vendin në çdo mision dhe situatë ku kërkohet shërbimi i tyre.
Begaj uroi gjithashtu fëmijët e pranishëm për festën, duke i ftuar të luajnë, të krijojnë miqësi dhe të shijojnë atmosferën e gëzueshme të ditës.
“Të dashur fëmijë, sot mendoj që lojërat do t’ju bëjnë më shumë miq me njëri-tjetrin, sepse kështu duhet të jetë jeta, e ndërtuar me miqësi dhe dashuri”, u shpreh Presidenti, teksa uroi të vegjlit për 1 Qershorin.
Edhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, përcolli urimet e saj për fëmijët, ndërsa vlerësoi figurën e nënave që shërbejnë në ushtri, duke i falënderuar për përkushtimin dhe sakrificën e tyre.
Aktiviteti u shoqërua me momente simbolike dhe artistike. Fëmijët morën pjesë në lëshimin e tullumbaceve në qiell, një simbolikë e ëndrrave dhe dëshirave të tyre, ndërsa festa vijoi me programe artistike, valle dhe performanca të realizuara nga artistë të vegjël nga Durrësi.
Pjesë e organizimit ishte edhe një shfaqje e Teatrit të Kukullave nga artistja Shegushe Bebeti, e njohur për kontributin e saj ndër breza në artin e kukullave, si dhe performancat e Cirkut Kombëtar, që sollën elementë argëtues dhe surpriza për të vegjlit.
Në përmbyllje, aktiviteti vijoi me lojëra popullore dhe gara artistike e sportive në natyrë, të organizuara për të nxitur konkurrencën, talentin dhe socializimin mes fëmijëve.
KOHA JONË SONDAZH

