Presidenti Begaj pret ambasadoren e re të BE, besim për integrimin e vendit deri në fund të mandatit të saj

Presidenti Bajram Begaj, priti Ambasadoren e re të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Begaj i uroi Ambasadores suksese në detyrën e saj në krye të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke vlerësuar rolin kyç të këtij institucioni në forcimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit dhe në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë do të vijojë të thellohet, me synim arritjen e objektivit strategjik të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në vitin 2030. Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen politike, financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian për reformat transformuese në Shqipëri, duke theksuar se Delegacioni i BE-së në Tiranë është një partner i besuar dhe një bashkëpunëtor i rëndësishëm në këtë proces.

Kreu i Shtetit vlerësoi reformën në drejtësi si një nga dëshmitë më të rëndësishme të vendosmërisë së Shqipërisë për të përmbushur standardet evropiane, pavarësisht sfidave të procesit. Ai rikonfirmoi angazhimin për forcimin e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të drejtësisë, si dhe për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit përmes funksionimit të pavarur dhe të pandikuar politikisht të strukturave të tjera të drejtësisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Presidenti i Republikës rikonfirmoi, gjithashtu, se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv kombëtar, i mbështetur gjerësisht nga shoqëria shqiptare, duke nënvizuar se përfshirja e të gjithë shoqërisë në këtë proces është një nga faktorët që e shtyn Shqipërinë të ecë më shpejt drejt finalizimit të procesit të anëtarësimit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Shqipëria është e angazhuar për përmbushjen e objektivit të saj strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2030. Përfshirja e të gjithë shoqërisë shqiptare në realizimin e kësaj ambicieje dhe entuziazmi i saj për këtë proces janë një tipar që na diferencon dhe na nxit të punojmë edhe më fort për ta arritur këtë objektiv”, u shpreh Presidenti Begaj. Duke iu referuar Ambasadores, Presidenti u shpreh se beson se, deri në përfundim të mandatit të saj, Shqipëria do të jetë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?