Presidenti i kthen një tjetër ligj mbrapsht mazhorancës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka kthyer një tjetër ligj mbrapsht mazhorancës. Këtë herë, bëhet fjalë për ligjin e organizimit dhe funksionimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rreth të cilit, ai ka argmentuar se ka rezerva dhe se për këtë arsye ai duhet të rishikohet. “Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 4 dhjetor 2014. Në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj kam vlerësuar se ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit”, ka pohuar kreu i shtetit lidhur me një fakt të tillë. Duke argumentuar më tej se rastet e mbarimit të mandatit dhe të shkarkimit të kryetarit të këtij institucioni, duhen

rishikuar. Ky qëndrim sipas tij mbështetet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të paragrafit të parë e të katërt të nenit 14 të ligjit nr. 8270, datë 13.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me nenin 7 të ligjit nr. 8599, datë 10.04.2000 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, që kanë këtë përmbajtje: “Mandati i Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbaron para afatit kur: a)  jep dorëheqjen; b) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi; c)  nuk paraqitet në detyrë për më shumë se 6 muaj rresht; ç) deklarohet i paaftë mendërisht për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë; d) ngarkohet me një detyrë të papajtueshme me funksionin e tij… Me propozimin e Presidentit të Republikës, Kuvendi mund ta shkarkojë Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për shkelje të Kushtetutës, për paaftësi mendore ose fizike dhe për akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”. “Por në ligjin nr. 154/2014, i cili është një ligj i ri organik për institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatohet se në nenin 23 të tij, rastet e mbarimit të mandatit dhe të shkarkimit të Kryetarit janë të njëjta me ato të parashikuara në dispozitën e mësipërme të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese”, argumenton kreu i shtetit. Duke pwrfunduar se duke kufizuar rastet e shkarkimit të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit apo të mbarimit para kohe të mandatit pa u shprehur në Kushtetutë, ka kapërcyer caqet e kësaj të fundit. Pra, në këtë vendim, sipas tij Gjykata Kushtetuese është shprehur qartë mbi pamundësinë  e vendosjes në ligj të kritereve specifike për mbarimin e mandatit apo shkarkimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit pasi sipas saj “Për funksionet kushtetuese të organeve, atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji”. “Lidhur me këtë argument theksoj se Presidenti i Republikës, në çdo rast që do të paraqitet për mbarimin përpara kohe të mandatit apo për shkarkimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, propozimin e tij e mbështet në arsyet konkrete që do të paraqiten sipas rastit, duke përfshirë (por pa u kufizuar vetëm në to) edhe rastet e parashikuara në nenin 23 të ligjit nr. 154/2014. Kjo dispozitë vlerësohet e papranueshme sepse konsiderohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, konkludon Nishani.

 

 

KËRKESA

“Të nderuar deputetë. Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin Tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 154/2014 pasi neni 23 i tij bie ndesh me jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese dhe rrjedhimisht edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë"

SHKARKO APP