“Price Watch Albania” brenda 30 shtatorit, Rama ultimatum supermarketeve: Çmimet janë të papranueshme
Qeveria synon të vërë në funksion brenda 30 shtatorit platformën online “Price Watch Albania”, e cila do t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve të shportës në rrjete të ndryshme supermarketesh.
Nisma vjen në një kohë kur konsumatorët shqiptarë po përballen me rritje të kostos së produkteve të përditshme. Përmes platformës, qytetarët do të mund të shohin se ku një produkt shitet me çmimin më të ulët dhe të zgjedhin ku të kryejnë blerjet.
Deri tani, sipas qeverisë, vetëm një rrjet supermarketesh ka dorëzuar listat e kërkuara të produkteve. Në një takim me përfaqësues të bizneseve dhe furnitorëve, kryeministri Edi Rama kritikoi mungesën e bashkëpunimit dhe akuzoi rrjetet e shitjes për marzhe të larta fitimi.
Rama deklaroi se qeveria nuk synon të përcaktojë çmimet apo të pengojë bizneset të krijojnë fitim, por kërkon më shumë transparencë dhe konkurrencë në treg.
Në platformë pritet të publikohen të dhëna për barkodin, markën, gramaturën, përshkrimin dhe çmimin e produkteve, ndërsa supermarketet duhet të deklarojnë pikat e shitjes dhe adresat përkatëse. Çmimet do të përditësohen sipas një standardi që pritet të përcaktohet.
Sipas Ramës, qëllimi është që konsumatori të mos jetë më “në errësirë”, por të ketë mundësi të shohë, krahasojë dhe zgjedhë mes ofertave të ndryshme.
Qeveria pret që transparenca e çmimeve të nxisë konkurrencën mes rrjeteve dhe të ushtrojë presion për uljen e kostos së produkteve bazë.
KOHA JONË SONDAZH

