Princ William kunder Blaterit
Lajme E Hënë, 19 Prill 2021 06:23
Skandali i FIFA-s dhe çështja e zgjedhjeve brenda këtij institucioni ka përfshirë edhe princin e Kembrixhit, William, sipas të cilit FIFA duhet të vendosë sportin në krye dhe të caktojë rregulla të ndershme për funksionimin e institucionit.
Princi William, presidenti i Kupës FA në Britani, i bëri këto komente gjatë fjalimit të mbajtur përpara finales mes Arsenalit dhe Aston Vilës (4-0) në “Uembli”.
Ai iu kërkoi sponsorëve dhe mbështetësve të tjerë që të shfrytëzojnë ndikimin e tyre tek FIFA dhe të mbështesin reformat brenda qeverisë botërore të futbollit.
Kjo deklaratë vjen pas rizgjedhjes së Sep Blaterit në krye të FIFA-s për të pestën herë radhazi, dhe pas arrestimeve të 7 zyrtarëve të lartë të këtij institucioni për korrupsion.
7 personat e arrestuar në Zyrih nga autoritetet amerikane, në fillim të kësaj jave, akuzohen për korrupsion, mashtrim dhe pastrim parash, që kapin shifra prej dhjetëra miliona euro. Ata akuzohen për një sërë aferash nga viti 1991 e deri më sot.