Problemet me skanimin në dogana – Ankohen eksportuesit. Financat: Gjithçka është “OK”
Problemet me procesin e skanimit në dogana janë përcjellë shumë herë nga komuniteti i biznesit, mbi të cilin ka rënë dhe barra e pagesës së këtij shërbimi. Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi u shpreh në një prononcim për SCAN se shumë sipërmarrës po dëmtohen në aktivitetin e tyre ekonomik, pasi oraret e procesit të skanimit në dogana janë të kufizuara.
“Ne jemi shokuar kur biznese eksportuese të fruta-perimeve të freskëta na raportuan se pengohen në qoftë se i zë ora 9 e darkës, pa bërë skanerin ato nuk mund të bëjnë eksportin. Megjithëse ka një produkt që degradon dhe çdo 24 orë pas vjeljes ajo humb vlerën e tij, të paktën me 20 – 25%. Ato nuk mund të kalojnë kufirin për këto arsye banale sepse skaneri në orën 9 fiket dhe sërish duhet të presin që të bëjnë skanerin. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë, shumë frenuese dhe është një ndër ulësit e vlerës së eksporteve shqiptare. Automjetet që presin me orë të tëra për t’u skanuar në eksport, sepse po të flisnim në import edhe mund të kishte pak logjikë. Kufijtë i mbron çdo vend me mënyrën e tij, me metodat e tij, me analizat e tij të riskut. Por ne tani kemi marrë përsipër të mbrojmë kufijtë e vendeve rreth e rrotull. Në rregull s’ka problem le të bëhet, por kompania që ka marrë përsipër ta bëjë këtë nuk duhet t’i krijojë kosto biznesit. Nuk duhet ta stresojë biznesin, për më tepër nuk duhet ta frenojë”, tha Zusi.
Por interesit të TV SCAN për këtë problematikë, i është përgjigjur Ilir Mino, Menaxher i Projektit të Koncensionit të Skanimit. Ai e ka kundërshtuar shqetësimin e sipërmarrjes duke argumentuar se “menaxhimi i trafikut” në dogana nuk behët nga kompania e skanimit.
“Menaxhimi i trafikut nuk varet nga shoqëria koncesionare. Shoqëria koncesionare ka detyrimin për mjetin i cili vjen i pari, ç’ ka do të thotë se si bëhet radha dhe kush futet për t’u skanuar nuk është pjesë e menaxhimit të shoqërisë koncesionare, përkundrazi ajo ka një kohë të përcaktuar të skanimit të mjeteve, që shkon 4-5 minuta. Ç’ ka bën që autoriteti doganor ta monitorojë herë pas here kohën për sa i përket përpunimit të mjeteve dhe produktit të këtij përpunimi që është analiza e skanimit. Duke qenë një trafik i tillë është e pamundur që të skanohen të gjitha mjetet, ndaj si kudo punohet me profile risku dhe procesi i skanimit ka profile risku, të cilat janë të automatizuara në pikun që është ora 17:00-21:00. Autoriteti doganor priret t’i japë maksimalisht vëmendje eksporteve, mjeteve që do të kapin tragetin. Kemi pasur një mirëkuptim nga kompanitë e transportit maritim ose nga tragetet”, u shpreh Mino.
Ndërsa lidhur më kërkesën e biznesit për të shtuar pikat e skanerit, Mino shprehet, se është e pamundur pasi ka kosto për buxhetin e shtetit, në bazë të marrëveshjes. Aktualisht biznesi fason është përjashtuar nga tarifa e skanimit, dhe kostoja përballohet nga buxheti i shtetit.