‘Problemi’ PS-LSI dhe çifti 2B

 

Nga Erion Habilaj*

Prej dy ditësh disa analistë dhe media pranë opozitës janë duke tërhequr vëmendjen me këndvështrimin e tyre sikur po krisen marrëdhëniet mes PS-së dhe LSI-së. Sipas disa syresh socialistët kanë sabotuar kandidatët e LSI në bashkitë që u humbën nga e majta. Nuk kanë asnjë fakt se kjo ka ndodhur realisht, nuk dinë se si janë votat për këshill bashkiak, dhe nuk dinë nëse LSI ka këtë konkluzion. Në fakt LSI ka fituar në 9 bashki, nga 15 që kishte kandidatë të propozuar prej saj. Që do të thotë se ka marrë dy të tretat ashtu siç ka marrë dhe koalicioni në rang vendi. Por t’i marrim bashkitë me radhë.

Në bashkinë e Kukësit, LSI kandidonte me Hasan Halilaj i cili vinte nga radhët e PD-së dhe kishte konsumuar dy mandate. Shanset për një fitore në këtë bashki kanë qenë realisht të vogla duke iu referuar zgjedhjeve të kaluar. Në Lezhë konkurrohej me Viktor Tushajn që përveç se kishte dy mandate në atë bashki, duhet të rikuperonte edhe komunat e djathta që iu bashkuan bashkisë së re. Në Vorë që ka votuar gjithmonë djathtas sfida ishte e vështirë dhe praktikisht doli barazim. Madje LSI në këtë bashki rikuperoi rreth 300 vota, pasi në zgjedhjet e kaluara diferenca ka qenë rreth 600-700 vota. Duke shtuar edhe dosjet në prokurori për rritje fiktive të votuesve, por dhe të angazhimit vetëm në tre muajt e fundit në këtë zonë, del se rezultati është pozitiv.

Në Pogradec duhet bërë një analizë e thellë, sepse aty jo vetëm që s’ka funksionuar mirë koalicioni por dhe nga vetë radhët e LSI ka pasur pakënaqësi. Në Mallakastër dhe në Selenicë duket se ka ndikuar pakënaqësia që njerëzit kanë me PS. Këto dy zona të majta janë ndjerë të lëna pas dore nga socialistët dhe mund të jetë dhe një votë proteste ndaj qeverisë.

Analiza e mësipërme do të vërtetohet ose hidhet poshtë kur të dalin dhe votat për këshillat, por ajo që bën më shumë përshtypje është fakti se si analistët e PD-së nuk po thonë asnjë fjalë për humbjen katastrofale për PD-në. Ajo që u konfirmua në këto zgjedhje është fakti se partia e Bashës dhe e Berishës nuk shihet më si një alternativë. Fakti që LSI po del forcë e dytë në shumë zona tregon qartë se e djathta do të duhet të kërkojë një parti të re ose të reformojë veten në mënyrën më të thellë. Grushti që mori në vitin 2013 u pa si një mashtrim i popullit ndaj të majtës. Reformimi në atë parti u kthye në një makijazh që si pudër në fytyrë iu vendos Lul Basha në krye të partisë. Ky i fundit u shpreh se nuk është koha për gjueti shtrigash kur u pyet për reformim. Tashmë duket se do të përsëritet situata e dy viteve më parë.

Edhe pse PD shënoi një rritje shumë të vogël, me presje dhjetore, ajo sërish ishte afër humbjes katastrofale duke përsëritur deri diku edhe rezultatin e 2013-s. Këtë humbje, Basha po përpiqet që ta kamuflojë duke propaganduar problemet brenda PS-LSI. Nga ana tjetër, edhe dy partitë më të mëdha të majta, duhet të rishikojnë formulën e bashkëpunimit.

Rezultatet e para për këshilla tregojnë se LSI ka një rritje krahasuar me zgjedhjet e 2013-s, çka do të duhej të përkthehej e tillë edhe në disa prej bashkive ku ajo humbi, kryesisht në jug të vendit. E nëse militantët e LSI-së janë më kompaktë duke ndjekur linjën e partisë për të votuar kandidatët e PS-së, një gjë e tillë duket se nuk ka qenë nga ana e mbështetësve të PS-së, të cilët kanë devijuar. Dy partitë e majta duhet të administrojnë të gjithë vendin, dhe tashmë defektet duhet t’ i shohin po vetë sepse opozita u bë për ndjesë pastë.

*Dita

SHKARKO APP