Prognoza e politikës shqiptare

 

Nga Sadedin Çeliku

Historinë që lidhet me problemet që ka krijuar tranzicioni shqiptar është deformuar nga pseudo-historianë e politikanë ku prioritet i është dhënë politikës dhe interesave partiake. Sigurisht që, analiza e tranzicionit nuk është e lehtë për shkak se rrugëtimi i saj has mjaft vështirësi gjatë rrugës së gjatë e pa limite të saj. Por një gjë është e vërtetë që tranzicioni shqiptar ka krijuar shumë plagë, shumë kriza, të cilat janë bërë kronike e gati të pashërueshme, janë stimuluar artificialisht për të marrë ose mbajtur pushtetin me çdo kusht pavarësisht kostove që i është dashur të përballojë populli shqiptar.

Mjaft nga këto kriza kanë ndikuar mjaftueshëm në kualitetin e qeverisjeve në këtë çerek shekulli. Janë bërë disa herë rrotacione pushtetesh, por asnjëherë nuk ka pasur vullnet për ta dinamizuar e përsosur më tej demokracinë e brishtë shqiptare. Kështu duhet të pranojmë se kemi arritur pluralizmin e mendimit, madje dhe ajo e kufizuar, por kurrsesi nuk kemi arritur pluralizmin politik. Megjithatë le të trajtojmë çështjen që kemi lançuar në titullin e këtij shkrimi.

Siç e dimë PS humbi zgjedhjet e vitit 2007, 2009 dhe 2011, bile në zgjedhjet e fundit vendore nuk mori asnjë qark edhe pse qeveria e drejtuar nga zoti Berisha kishte bërë mjaft mëkate që së bashku me mëkatarë krahas korrupsionit të madh i dhuruan popullit papunësinë, varfërinë, padrejtësinë, borxhin e madh publik, kreditë e këqija etj. Shkaku i humbjeve nuk është analizuar kurrë në PS dhe askush nuk mori përgjegjësinë për humbjen edhe pse kryetari i saj Edi Rama ishte drejtuesi kryesor i fushatave elektorale. Rama, qysh në fillimet e veta në krye të partisë, largoi një numër liderash nga partia dhe ofroi atje thuajse të gjithë strukturën që ai kishte në bashki por dhe bashkëpunëtorë të firmave të ndërtimit të cilët kishin fatin të merrnin tendera për punët publike por dhe leje ndërtimi. Kështu idealistët që shpesh kontribuonin pa interesa u zëvendësuan nga milionerë, të cilët njerëzit thonë se i bëri të tillë Edi Rama. Në emër të reformës dhe organizimit të partisë ai i shkriu të gjithë organizatat duke filluar nga fshatrat e deri në qytet. Tashmë nuk kishte më parti dhe as struktura sepse ai e mendoi se kish ardhur koha e partive elektorale. Rezultati, humbje e thellë të zgjedhjeve të përgjithshme e ato vendore. Gjatë atyre zgjedhjeve Rama e shikonte LSI si parti armike, si kundërshtare dhe nuk ofroi asaj asnjë lloj bashkëpunimi. Në këtë mënyrë LSI-ja duke parë dhe qëndrimin e Edi Ramës, një qëndrim aspak miqësor preferoi bashkëpunimin dhe bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike. Lëvizjet e sforcuara të Edi Ramës siç qe rasti i grevës e urisë në bulevard por dhe aksione të tjera politike, rezultuan pa sukses pse jo dhe të dështuara, kjo dhe si rrjedhojë e përvojës së madhe që kishte zoti Berisha. Përballë kësaj situate, dhe pamundësisë për të ardhur në pushtet, Edi Rama mori rrugët e Europës dhe të Internacionales Socialiste për të bindur Ilir Metën që të pranonte bashkëpunimin dhe koalicionin me socialistët e Edi Ramës. Kështu vërejmë se dhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve zoti Meta e pranoi atë bashkëpunim, dhe kësisoj arrihet marrëveshja e shumëpritur për krijimin e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Megjithatë, gjykoj se koalicioni me LSI-në ishte veprim i drejtë edhe pse i vonuar, një ogur i mirë që e çonte PS-në drejt fitores në zgjedhje pra drejt pushtetit.

Koalicioni i Aleancës për Shqipërinë Europiane i fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 dhe formoi një maxhorancë që të qeverisë në kushte komode. Kështu vërejmë se Edi Rama me cilësinë e kryeministrit formon kabinetin qeveritar, ku spikasin të bindurit dhe miqtë e tij, njerëzit e paaftë dhe disa prej tyre mjaft të përfolur për korrupsion e konflikt interesash. Jo vetëm kaq, por shumica e kabinetit qeveritar ishin jashtë profilit e të paaftë plotësisht për të përballuar sfidat që lidheshin me rindërtimin e shtetit ose siç e quajti ai vetë, rilindjen e saj. Nga ana tjetër shikojmë se LSI bën më shumë kujdes në përzgjedhjen e kabinetit ministror ku disa prej tyre po performojnë me sukses dhe efektivitet. Gjatë periudhës së qeverisjes në këto dy vjet e gjysmë vërejmë një stanjacion të tregueseve pse jo dhe hapa prapa. Vota popullore që mori koalicioni dhe premtimet elektorale mbetën në letër pa i realizuar ato. Kështu, politikat për nxitjen e punësimit mbetën ato klasike të përdorura në vitin 1993, asgjë të re, madje na servirin për politika fasonet, ku një vajzë a grua paguhet në kundërshtim me ligjin 15mij lekë të vjetra, ku shumica nuk ka shansin të sigurohet. Politikat fiskale nuk japin garanci për zhvillim, borxhi publik në vend që të reduktohet është rritur dhe sigurisht dhe borxhi huaj është rritur, megjithatë, punësime s’ka, investime po ashtu, plagët sociale janë rritur. Ajo që bën përshtypje është vjedhja e korrupsioni madh që ka zënë prej fyti qeverinë kjo më e theksuar në sistemin shëndetësor, në transport, e gjetkë, ku shërbimet bazë po jepen me konçension si për inat të qeverisë paraardhëse. Pra, shkurt, qeveria po punon shumë keq dhe s’jep asnjë garanci deri në fund të mandatit dhe jo më të qeverisë dhe një mandate tjetër.

Huffington Post e cilëson situatën politike dhe ekonomike dramatike. Kryeministri i vendit njëherësh dhe kryetari i PS-së nuk e ka prishur kontratën vetëm me socialistët e bazës, të cilët janë të pakënaqur nga puna e qeverisë, të pavlerësuara puna dhe kontributi i tyre, të pa sistemuar në punë specialistët dhe drejtuesit me dy tre vendime gjyqi për t’u rikthyer në punën e mëparshme, por e ka prishur dhe me partnerin e tij në koalicion, Lëvizjen Socialiste për Integrim, pavarësisht ndonjë deklarate, ku theksohet se ai po funksionon në kushte normale. Në fakt është thjesht një bashkim numrash se sa koalicion për të nxjerrë vendin nga bataku ku ka rënë.

Lëvizja politike e disa ministrave socialistë për ta paraqitur kreun e LSI-së si bashkëpunëtor në korrupsionin me CEZ-in, për ta hequr qafe si parti bashkëpunuese, e shoqëruar kjo me përpjekjet e zotit Rama për koalicion me Partinë Demokratike, janë lëvizje të dështuara, e cila do të japë rezultatin në vitin 2017. Sidoqoftë, gjykoj se Rama nuk po mban as premtimet e moralit, ka harruar 21 janarin, ka harruar Gërdecin, ka harruar konçensionimin e ekonomisë pa kriter dhe a e dini pse? Sepse ai me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konfirmuar qeverinë e vazhdimësisë, se ai po punon me të njëjtët klientë, po stimulon klientelizmin dhe është i kapur nga ata.

Në këto kushte, Ilir Meta, një lider me mjaft përvojë, i cili nuk e njeh humbjen dhe as dështimin, dhe njëherësh fitues në disa duele politike, nuk po rri duar kryq. Ai e ka të qartë se me Ramën Kryeministër, performanca e grupimit të tij politik rrudhet pse jo bëhet dhe ortak në gabimet e qeverisë. Lëvizjen e parë LSI-ja e bëri, pra dorëhoqi një ministër dhe pritet të ndodhë me një tjetër. Në këtë mënyrë ai po përcjell mesazhin se qeveria do fytyra të reja e shoqëruar me impakte më pozitive. Duket se lëvizjet e Ramës bien ndesh dhe janë diametralisht të kundërta me ato të Metës. Kryeministri kudo shkon, hap ekspozita pikturash siç ndodhi në Itali, Turqi, Gjermani, Francë dhe Honkong dhe me sa duket ky është prioriteti i tij, kurse lëvizjet e Metës janë të dukshme dhe me efektivitet, lëvizje këto që do vërehen më vonë. Gjatë vizitave të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, kurse Meta po konfirmon angazhimin, përpjekjet, dhe po përpiqet të bindë liderët ndërkombëtarë se Shqipërinë vetëm ai mund ta nxjerrë nga kriza, ku e ka futur kjo qeveri.

Kjo është një arsye e besueshme po të shikojmë takimet e kontaktet me partinë e Shpëtim Idrizit, me Vangjel Dulen e të drejtave të njeriut, por dhe me të tjerë. Sipas këtyre, lëvizjeve zoti Meta po përgatitet për të krijuar një pol apo një grupim të ri politik që në zgjedhje e ardhshme të futet pa Ramën pra jo me Partinë Socialiste. Në sinkron me këto lëvizje vërejmë herë -herë votën kundra, jo vetëm në Parlament, por dhe në këshillat bashkiakë, ku votat e tyre shpesh bashkohen me ato të Partisë Demokratike. Pra duket thjesht se, Meta kërkon t’i tregojë Ramës dhe opinionit publik se unë jam ndryshe nga Edi Rama. Nga ana tjetër në se do bëhet e domosdoshme koalicioni me socialistët e zotit Rama, mendoj se bashkëpunimi do të jetë i kondicionuar, do të jetë kusht, që do të thotë që Kryeministri patjetër t’i takojë liderit të LSI-së. Të mos harrojmë se edhe mund të ndodhë përsëri një koalicion me Partinë Demokratike në se LSI-ja joshet nga ndarja e tortës qeveritare.

Këtë skenar sigurisht që Rama e kupton, aq më tepër i kupton mirë kur është fjala për pushtetin, por atij nuk i ka mbetur asnjë mik dhe as aleat sepse ka manifestuar sjellje të pahijshme me ta. Në këto kushte atij i ka mbetur vetëm një gur, që të bashkëpunojë me Bashën në se arrin të merret vesh ose ndryshe do të lëshojë postin e Kryeministrit e të preferojë të shkojë pranë partisë sepse me Ilir Metën ai duhet ta harrojë se do bëhet përsëri Kryeministri i vendit. Problemi tjetër është se Rama ka mjaft probleme me socialistët e tij, të cilët i ka lënë rrugëve pa punë, por ju ka rritur dhe taksat që do të thotë se buxheti familjar është rrudhur. Edhe pse duken disa përpjekje unë besoj se zhgënjimi i elektoratit socialist do japi impakt negative në zgjedhje. Bëhen mjaft pyetje nga politikanë amatorë sedo ketë zgjedhje të parakohshme, si do të dalin ato të radhës, por, personalisht gjykoj se nuk ka premisa për zgjedhje të parakohshme, se opozita kryesore është tërësisht e papërgatitur të rikthehet në pushtet, aq më tepër që ka një lider që nuk është i aftë ta çojë partinë e tij drejt fitores së pushtetit. Pra zgjedhjet do të bëhen në vitin 2017 dhe deri atëherë do të ndjekim se çfarë do të ndodhi vërtet. 

SHKARKO APP