Programi që zgjidh siuatën, ujë i pijshëm për 85.000 banorë të zonave rurale

Programi i Ujësjellësave Ruralë III ka nisur me inagurimin e punimeve për ndërtimin e sistemit të ri të furnizimit me ujë në fshatin Rrajcë. I pranishëm Kryeministri Rama

Është zhvilluar sot ceremonia e nisjes së punimeve për ndërtimin e sistemit të ri të furnizimit me ujë në fshatin Rrajcë, si pjesë e Programit të Furnizimit me Ujë të Zonave Rurale III, bashkëfinancim i Qeverisë Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, Bashkimit Evropian, Qeverisë Shqiptare dhe Bashkisë Prenjas. Projekti arrin shumë prej 39.3 milionë eurove dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Znj. Belinda Balluku, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Luigi Soreca, Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri Znj. Susanne Schütz, Z. Taulant Balla, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Drejtori i Departamentit të KfW-së për Infrastrukturën Bashkiake për Evropën Juglindore dhe Turqinë Z. Kirk Mildner, Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli etj.

Qeveria Gjermane përmes KfW-së ka dhënë një kredi prej 24 milionë eurosh për investime në infrastrukturën e furnizimit me ujë në zonat rurale si dhe një grant prej 2 milionë eurosh, të cilat do të përdoren për masat e asistencës teknike që lidhen me programin. Këto fonde plotësohen më tej nga një grant prej 10 milionë eurosh të dhënë nga ana e BE. Përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian ka dhënë 750.000 euro për studime përgatitore.

Ky program është një nga iniciativat më serioze të viteve të fundit për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në zonat rurale. Në vazhdën e Programeve të mëparshme të Furnizimit me Ujë të Zonave Rural I & II, të zbatuara me sukses në bashkëpunim me FShZh, ndërhyrja ka si qëllim vendosjen e standarteve të larta në ndërtimin e skemave të ujësjellësave, qëndrueshmërinë e tyre për 30 vjetët e ardhshëm dhe mirëmbajtje me kosto të ulët. Në përfundim të programit në vitin 2021 do të jenë ndërtuar 18 skema ujësjellësash në 83 fshatra në të gjithë Shqipërinë, të cilat do të mundësojnë furnizimin me ujë të pastër e të rrjedhshëm për më shumë se 85.000 banorë.

LOT I i Programit të Furnizimit me Ujë të Zonave Rurale III parashikon investime në fshatrat Kovanik, Bardhaj, Skënderbej, Sutaj, Rrajcë e sipërme, Rrajcë e poshtme dhe Bogdan, në shumën e 8.6 milionë eurove dhe do të fokusohet në ndërtimin e dy kaptazheve, rreth 23 km linja transmetimi dhe 56 km rrjet shpërndarës, 6 depo të reja dhe rehabilitimin e depove ekzistuese, rreth 1600 lidhje te reja familjare të pajisura me matës individual uji.

“Para disa ditësh, më 22 mars festuam Ditën Botërore të Ujit dhe slogani i kësaj dite “Ujë për të gjithë” është një të njëjtën linjë me eventin e sotëm pasi Programi i Funizimit me Ujë i Zonave Rurale, të cilin po fillojmë këtu, sot është pikërisht për këtë qëllim: mundësimin e ujit të pijshëm për gjithë qytetarët shqiptarë”, ka thënë në ceremonin e inagurimit Ambasadori i BE-së në Shqipëri Z. Soreca. Ai nënvizoi gjithashtu kontributin që BE-ja ka dhënë për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri dhe fondet grant të aprovuara rishtazi për programin ‘BE për një Mjedis më të Pastër – Mbështetje për Trajtimin e Ujërave të Përdorura’

Gjatë fjalës së saj, Ambasadorja Gjermane, Znj. Schütz theksoi se ky projekt sjell një “përfitim të trefishtë” duke përmirësuar kushtet e jetesës për banorët, rritur turizmin lokal dhe duke e sjellë infrastrukturën shqiptare të ujit edhe më pranë standarteve të BE-së.

BE është donatori më i madh në Shqipëri dhe një nga donatorët kyç për sektorin e ujit me më shumë se 110 milionë euro grante të dhëna në dekadën e fundit, kryesisht nëpërmjet ‘Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA)’. Rreth 80% e këtyre fondeve kanë shkuar për financimin e infrastrukturës të kanalizimeve të ujërave të zeza, me qëllimin e përmirësimit të kushteve sanitare të popullsisë, cilësisë mjedisore të ujërave bregdetare dhe operimit e mirëmbajtjes së qëndrueshme të infrastrukturës. BE i ka deleguar rreth 30% të granteve të saj KfW-së  dhe ky partneritet i sukseshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen me programin e IPA 2018 të aprovuar rishtazi ‘BE për një Mjedis më të Pastër – Mbështetje për Trajtimin e Ujërave të Përdorura’. Mbrotja e mjedisit dhe sidomos trajtimi i ujërave të përdorura është një nga prioritetet e asistencës së Bashkimit Evropian.

KfW është një nga bankat për zhvillim lider në botë. Me eksperiencën e saj shumëvjeçare KfW është e angazhuar që në emër të Republikës Federale Gjermane si edhe të Landeve Federale të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike si edhe kushtet e jetesës në mbarë botën. Në Shqipëri, KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane  ka angazhuar një shume totale prej mbi një miliard euro, duke u bërë kështu donator më i rëndësishëm bilateral në vend. Sektori i ujësjellës-kanalizimeve është një nga sektoret kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjermani-Shqipëri, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 335 milion euro, që nga viti 1988.

SHKARKO APP