Programi qeverisës, larg nevojave të qytetarëve
Nga Sadedin Çeliku
Programi i qeverisë 26 faqesh 2017 – 2021 është teorik, prek problematikat përgjithësisht dhe me të mund të luhet si të duash. Duke shfletuar programin e qeverisë Francës me atë që deklaron qeveria shqiptare duket se nuk kemi program ambicioz dhe as program zhvillimi. Programi nuk prek hallet që shqetësojnë popullin ose më saktë është mjaft larg qytetarëve. Emmanuel Macron, Presidenti i Francës e fokusoi fushatën e tij në zhvillimin dhe modernizimin e ekonomisë. A mundet që dhe vendi ynë të kopjojë disa nga çështjet që janë të përbashkëta pavarësisht fondeve të ndryshme buxhetore? Disa nga pikat e programit që parashikon të realizojë qeveria franceze janë: Do të reduktojë shpenzimet qeveritare dhe ato publike në masën 60 miliardë euro deri në vitin 2022. Do të rrisë investimet për trajnime 15 miliardë euro për tranzicionin ekologjik, uljen e ndotjeve përmes pakësimit të gazrave. Do të investojë 5 miliardë euro për kujdesin shëndetësor, 5 miliardë euro për bujqësinë dhe 5 miliardë të tjera për transportin dhe shërbimet komunale. Do të reduktojë kontributet e sigurimeve shoqërore për të punësuarit dhe vetëpunësuari. 80 përqind të pensionistëve (përjashtohen ato që janë të pasur) ju hiqet fare tatimi mbi banesën. Heqje të pagesës së papunësisë për ata qytetarë që refuzojnë punën e ofruar nga zyrat e punës.
Kufizimi me ligj të numrit të deputetëve dhe senatorëve në masën 33 përqind. Askush të mos ketë të drejtë të kandidojë për deputet për më shumë se tre mandate. Ndalimi me ligj të punësuarit të familjarëve të Ministrave apo ato që njehsohen me këtë detyrë. Të reformohet kodi i punës ku askush të mos punojë më shumë se 35 orë në javë. Të ndalojë me ligj importin e mbetjeve të ngurta dhe pesticideve. Të financojë rikonstruksionin e një milion shtëpive të pabanueshme e të izoluara falas. Me qëllim reduktimin e shkarkimit të gazrave CO2 dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit nga autoveturat, do të subvencionojë për çdo blerje makine të re 1000 euro si masë e rëndësishme kundra ndotjeve. Do të subvencionojë prodhimet bujqësore ekologjike, pa hormone. Heqja e kontributeve të sigurimeve shoqërore për të papunët kur janë të tillë për faq të qeverisë dhe njëherësh për sëmundjet. Reduktimi i azilkërkuesëve dhe përmirësimi i kushteve në burgje. 100 % rimbursim për kujdesin dentar dhe optik.
Çfarë ndodh me programin e qeverisë shqiptare për mandatin 2017 – 2021? Rimbursimi i barnave për pensionistët bëhet parcial, madje farmacive i është lënë me ligj një fitim prej 20 % neto duke minuar konkurrencën midis tyre. Ky fitim del në kurriz të qytetarëve dhe shumë nga mosha e tretë nuk i marrin barnat sepse nuk munden për shkak të pensioneve të vogla të cilat janë gati të papërballueshme.
Skema e re e sigurimeve shoqërore edhe pse ka kosto për të punësuarit e vetpunësuarit, përsëri nuk garanton daljen nga prapambetja dhe as pension maksimal. Tavani i pensionit nuk është hequr për askënd edhe pse u reklamua shumë si arritje e madhe. Pensionistët paguajnë taksa për infrastrukturën, arsimin, plehrat, televizionin publik, dhe tatim mbi banesën, përveç shpenzimeve të tjera për telefon, ujë dhe energji elektrike. Lehtësimi që pretendon qeveria bëhet vetëm në ato raste kur në një familje janë dy pensionistë pa njerëz të tjerë në ngarkim. Dhe nëse kërkon si pensionist të marrish 1200 lek kompensim për energjinë të marrin erzin me një mal të madh dokumentesh. Sipas përllogaritjeve gjysma e pensionit pa llogaritur shpenzimet për barnat dhe vizita e analiza të tjera mjekësore shkon për këto shërbime. Pra mosha e tretë nuk ka mbështetje fare. Tek ne importohen mbetje të ngurta(plehra) edhe pse dëmtojnë shëndetin e qytetareve, edhe pse cenohet cilësia e ajrit dhe shkarkimet e gazrave janë dinamike. Investimet kapitale nuk ofrojnë zhvillim ekonomik dhe as riciklim të fondeve të investimeve. Resortet turistike në bregdetin e Divjakës, ndërtimi i portit të Karpenit nuk e ndryshojnë gjendjen ekonomike të shqiptarëve. Investimet nuk nxisin punësimin e të papunëve, nuk rrisin mirëqenien e tyre dhe nuk reduktojnë plagët e mëdha sociale që kanë shqiptarët. Buxheti familjar është rrudhur, çmimet janë rritur, konsumi është reduktuar dhe taksat e tatime janë rritur gjithashtu.
Shkrihet Ministria e Punës dhe Çështjeve sociale duke ja dhënë shëndetësisë pjesën sociale dhe pjesën e punës Ministrisë së Sipërmarrjes. Pra problemet e punësimit dhe ato sociale nuk janë më prioritet për qeverinë e maxhorancës. Përsa i përket objektivave të transportit më duket se nuk ka asgjë të re për tu shënuar. Mbetet të shikojmë se çfarë do të na ofrojë qeveria për bujqësinë dhe energjetikë se të tjerat i ngjajnë një demagogjie.