Projektbuxheti 2026 në Shëndetësi, ministrja Sala: Garanton shërbime cilësore dhe rikthen dinjitetin për qytetarët
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala gjatë raportimit të saj në Kuvend, tha se projektbuxheti për vitin 2026 është një instrument që forcon reformën, modernizon sistemet tona, garanton shërbime cilësore dhe rikthen dinjitetin për qytetarët. ”Fondi prej 15 milionë euro shtesë për barnat antitumorale është një investim serioz për përballimin e kësaj sfide. Kemi një strategji të qartë për modernizimin e kujdesit onkologjik në gjithë ciklin: nga depistimi dhe diagnoza e hershme, te trajtimet më të avancuara. Po ashtu, po dixhitalizojmë tërësisht shërbimet onkologjike, duke i mundësuar çdo pacienti një dosje elektronike, e cila lidh të dhënat diagnostike, recetat online dhe ndjekjen terapeutike, duke garantuar planifikim më të mirë dhe monitorim të vazhdueshëm të cilësisë’‘.
Fjala e plotë
Buxheti i vitit 2026 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është udhëhequr nga një parim i vetëm: “Forcimi i sistemit të kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies sociale, me në qendër pacientin, qytetarin dhe çdo individ në nevojë”. Qëllimi ynë është i thjeshtë dhe i panegociueshëm: shërbime më të mira shëndetësore dhe një sistem më i fortë, mirëqenie sociale për çdo shqiptar. Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka arritur përmirësime të dukshme në treguesit kryesorë të shëndetit.
Sot:
Ne jemi vendi me jetëgjatësinë më të lartë në Ballkanin Perëndimor (79 vjeç, në krahasim me 75 të mesatares në rajon) dhe shumë afër nivelit të Bashkimit Europian (81 vjeç). Mortaliteti i fëmijëve nën 5 vjeç ka rënë ndjeshëm: nga 20 për 1000 lindje në vitin 2005 në 9 për 1000 lindje në vitin 2023. Për të njëjtën periudhë, mortaliteti i nënave gjatë lindjes është përgjysmuar, nga 12 në 7 për 100 000 lindje.Gjatë dekadës së fundit, qeveria ka bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin të infrastrukturës shëndetësore, trajnimin e stafit, zgjerimin e skemës së sigurimit shëndetësor, përmirësimin e shërbimeve të specializuara dhe rritjen e pagave.
Pavarësisht arritjeve, sfidat janë të shumta:
Mosha mesatare në rritje e popullatës, ndryshimet demografike dhe zhvillimet socio-ekonomike po favorizojnë një rritje të sëmundjeve kardiovaskulare; tumorale, pulmonare apo ato neurologjike (si Alzheimer). Gjithashtu, përparimi i shpejtë në teknologji, dixhitalizimi i sistemeve dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale kërkojnë reformim të sistemit, për t’iu përgjigjur nevojave globale në shëndetësi.
Buxheti i vitit 2026 është një fillim i mirë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe për të filluar adresimin e disa objektivave që mbeten gjithnjë të rëndësishme për qeverinë. Gjatë ditëve të fundit kam dëgjuar kolegë deputetë të thonë se ky buxhet nuk mjafton. Në të vërtetë, ky buxhet fillon të adresojë një prioritetesh të rëndësishme:
rritja e pagave për mjekët dhe personelin mjekësor;
rritja e fondit të dedikuar për barnat antitumorale;
zgjerimi i paketave të shërbimeve shëndetësore, duke përfshirë nisjen e shërbimeve të munguara si: trombektomia, rikonstruksioni i gjirit për gratë e prekura nga tumori; transplantet e kornesë dhe ofrimi i paketës së stomës;
si dhe mbulimin me shërbime sociale të integruara në 61 bashkitë, me një rritje prej 22% të Fondit Social.
Duke u ndalur në shifrat konkrete, buxheti prej 108.8 miliardë lekësh për vitin 2026 financohet nga:
buxheti i shtetit në masën 75% (ose 82.5 miliardë lekë)
kontributet e sigurimeve shëndetësore në masën 25% (ose 26.3 miliardë lekë)
Ky buxhet zë 12.3% të buxhetit të shtetit ose 3.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ka një rritje prej afro 4.2% krahasuar me vitin 2025.
Të nderuar deputetë, Lufta kundër kancerit mbetet një nga sfidat tona më të mëdha. Në vitin 2026, për herë të parë, të gjitha barnat antitumorale do të rimbursohen plotësisht. Fondi prej 15 milionë euro shtesë për barnat antitumorale është një investim serioz për përballimin e kësaj sfide. Kemi një strategji të qartë për modernizimin e kujdesit onkologjik në gjithë ciklin: nga depistimi dhe diagnoza e hershme, te trajtimet më të avancuara. Po ashtu, po dixhitalizojmë tërësisht shërbimet onkologjike, duke i mundësuar çdo pacienti një dosje elektronike, e cila lidh të dhënat diagnostike, recetat online dhe ndjekjen terapeutike, duke garantuar planifikim më të mirë dhe monitorim të vazhdueshëm të cilësisë.
Shqipëria 2030 do të ketë Institutin Kombëtar të Kancerit dhe Rrjetin Kombëtar të Kancerit, sipas modeleve më bashkëkohore. Këto mekanizma janë baza për standardizimin e protokolleve të trajtimit në të gjithë vendin dhe, mbi të gjitha, do të sigurojnë që çdo pacient, pavarësisht vendndodhjes gjeografike apo statusit socio-ekonomik, të ketë akses në kujdes onkologjik me cilësi të lartë. Përmes buxhetit të vitit të ardhshëm bëhet e mundur kryerja e një sërë shërbimesh të reja spitalore. Për herë të parë: Do të ofrohet shërbimi i trombektomisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Vajzave dhe grave të prekura nga kanceri i gjirit do t’u ofrohet rikonstrulsioni i gjirit përmes fondit të dedikuar.
Një tjetër lajm pozitiv është transplanti i kornesë, duke zgjidhur një problem shumëvjeçar të pacientëve me probleme të shikimit. Në vitin 2026 nuk do të sjellim vetëm shërbime të reja, por do të zgjerojmë dhe standardizojmë shërbimet ekzistuese në mbarë vendin, duke rritur cilësinë dhe duke konsoliduar strukturat shëndetësore. Në këtë kuadër do të vijojë financimi për:
Trajtimin e 322 mijë pacientëve në spitalet terciare, rajonale dhe bashkiake;
Kryerjen falas të dializës;
Mbështetjen për paketën e kardiologjisë;
Mbështetjen për transplantet renale;
Trajtimin e pacientëve me katarakt.
Kujdesi parësor është shtylla kurrizore e çdo sistemi modern shëndetësor. Për vitin 2026 parashikohet mbështetja për:
7.6 milionë vizita në kujdesin parësor, të financuara me 2.3 miliardë lekë;
check-up mjekësor falas për qytetarët 35–70 vjeç;
rimbursim të barnave për 400,000 pacientë, me një buxhet prej 13.5 miliardë lekësh, 7% më shumë se vitin e kaluar;
vijimin e stripave falas për diabetikët mbi 65 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës.
Parandalimi mbetet thelbësor. Përmes buxhetit për shëndetësinë do të mbështetet:
Vaksinimi HPV për djemtë, për herë të parë, në janar 2026;
vaksinimi i plotë për fëmijët;
vaksinimi falas i gripit për të gjitha grupet në risk — mbi 60 vjeç, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe fëmijët;
programet e depistimit për kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës.
Buxheti 2026 dedikon 4.28 miliardë lekë për investime në infrastrukturë dhe teknologji shëndetësore për:
rinovimin e pajisjeve të imazherisë dhe laboratorëve;
përmirësimin e shërbimeve të urgjencës;
modernizimin e sistemeve financiare dhe administrative;
zgjerimin e kapaciteteve spitalore.
Gradualisht po shkojmë drejt një sistemi modern sigurimesh shëndetësore. Viti 2026 shënon fillimin e një faze të re të reformës së sigurimeve shëndetësore, duke kaluar nga buxhetet historike te buxhetet faktike. Kjo do të sjellë një skemë transparente, duke ulur abuzimin dhe pagesat nga xhepi.
Synimi ynë është që çdo spital rajonal të ketë autonomi të plotë menaxheriale dhe planifikim të nevojave për barna, pajisje dhe personel, në bazë të indikatorëve të performancës dhe protokolleve të unifikuara klinike.
Së fundmi, si mjeke, më lejoni të ndaj me ju se asnjë nismë apo program qeveritar në shëndetësi nuk mund të jetë i suksesshëm pa ata që janë në vijën e parë të shërbimit me qytetarët: mjekët dhe profesionistët e sektorit shëndetësor. Asgjë nuk mund të bëhet pa një ekip, dhe investimi te burimet njerëzore mbetet sfida ime e radhës.
Në vitin 2026, do të rrisim pagat për rreth 19,000 profesionistë të sektorit shëndetësor dhe do të përmirësojmë kushtet e punës.
Më vjen mirë që gjatë këtyre 2 muajve kam marrë shumë komunikime dhe shprehje dëshire për të kontribuar në Shqipëri nga profesionistët shqiptarë në botë. Ndaj, në vitin 2026 do të punojmë për krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm e afatgjatë për angazhimin e tyre, duke vijuar të investojmë në paga, infrastrukturë dhe shërbime në mbështetje të profesionistëve të shëndetësisë.
Të nderuar kolegë,
Asnjë qytetar nuk ndjen siguri nëse ka vetëm akses në shëndetësi dhe jo në kujdesin social, ose anasjelltas. Prandaj, krahas shëndetësisë, prioriteti ynë për vitin 2026 është konsolidimi i sistemit të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale, i integruar me sistemin shëndetësor.
Ky buxhet pasqyron plotësisht kërkesat e procesit të integrimit në BE, veçanërisht në:
– Kapitullin 19 – Politika Sociale dhe Punësimi,
– Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore,
duke përfshirë angazhimet për:
mbrojtjen e fëmijëve në risk përmes Garancisë Evropiane për Fëmijët;
zgjerimin e programeve të riintegrimit dhe përfshirjes për grupet vulnerabël;
përmirësimin e kuadrit rregullator për barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Sot, sektori i kujdesit dhe mbrojtjes sociale zë 33.6% të buxhetit total të Ministrisë, ose 3.1% të buxhetit të shtetit dhe rreth 1% të PBB-së.
Mbrojtja sociale garantohet përmes tre programeve kryesore:
Skema e Ndihmës Ekonomike,
Skema e Aftësisë së Kufizuar,
Shërbimet e Kujdesit Social.
Këto programe mbështesin familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët, të moshuarit dhe viktimat e dhunës dhe trafikimit.
Gjatë dekadës së fundit, buxheti i mirëqenies sociale është rritur me 16.4%.
Ky nuk është shpenzim; është një politikë zhvillimi të qëndrueshëm për dinjitet, përfshirje dhe barazi.
Programi i Kujdesit Social për vitin 2026 është 27.7 miliardë lekë, duke përfshirë:
7.3 miliardë lekë për rreth 61,000 familje në Ndihmë Ekonomike;
2.3 miliardë lekë për Bonusin e Bebes;
850 milionë lekë për nënat me tre ose më shumë fëmijë — me 8,300 përfitues;
15.3 miliardë lekë për rreth 94,000 persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre;
1.4 miliardë lekë për institucionet rezidenciale me 1,200 përfitues;
400 milionë lekë për Fondin Social, një rritje prej 22.2%, duke mbështetur 95 shërbime komunitare në 61 bashkitë e vendit.
Të nderuar deputetë,
Buxheti 2026 për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale nuk është thjesht një grup shifrash. Është një prioritet për të investuar te njerëzit, te dinjiteti, te mundësitë e barabarta dhe e ardhmja jonë evropiane.
Ai pasqyron vendosmërinë tonë për:
fuqizimin e shëndetit publik dhe modernizimin e kujdesit spitalor dhe atij parësor;
mbështetjen dhe motivimin e profesionistëve tanë shëndetësorë;
konsolidimin e mbrojtjes sociale, në mënyrë që asnjë fëmijë, grua, i moshuar, person me aftësi të kufizuara dhe familje vulnerabël të mos mbetet pas;
përafrimin me standardet e BE-së me masa konkrete, duke treguar se Shqipëria është gati të përqafojë modelin social evropian.
E them me bindje të plotë: Kur diskutohet për shëndetin dhe mirëqenien sociale, nuk duhet të ketë ndasi politike, por bashkëpunim.
Prandaj, ju ftoj të mbështesni këtë buxhet, si një instrument që forcon reformën, modernizon sistemet tona, garanton shërbime cilësore dhe rikthen dinjitetin për qytetarët tanë.
Ju faleminderit!
KOHA JONË SONDAZH

