Projekti – Brenda vitit linja ajrore shqiptare nis fluturimet. E asiston Erdogan
Brenda vitit, me asistencën e Turqisë, Shqipëria do të ketë linjën e saj ajrore shqiptare. Pikërisht për realizimin e këti projekti në Shqipëri ndodhet Drejtori i “Turkish Airlines” Ilker Ayci.
Projektin e prezantoi kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me drejtorin e linjës ajrore turke.
Rama tha se ishte mirënjohës presidentit turk për ndihmën e tij
Edi Rama:I jam mirënjohës presidentit të Turqisë, qoftë drejtuesit ekzekutiv të Turkish Airlines që po na japin një ndihmë shumë të vyer. Sot ne pamë konkretisht që jemi afër finalizimit të këtij projekti dhe jemi shumë shpresëplotë se në harkun e këtij viti do të nisin dhe fluturimet e para.
Nuk dua të flas për data e afate sot, por është e sigurtë që me asistencën e miqve tanë, që nuk është thjesht asistencë teknike e përgatitjes së projektit në letër, por një asistencë që do të shtrihet në të gjithë spektrin e shërbimit, si një mbështetje shumë e fortë për kompaninë e re shqiptare, ne më në fund do të bëjmë realitet një linjë ajrore shqiptare me flamurin tonë ku të shërbehet me të njëjtën cilësi siç shërbehet nga Turkish Airlines.
Drejtori i “Turkish Airlines” Ilker Ayci e quajti kryeministrin “lider i shquar por edhe vizionar i madh. Jemi të kënaqur për fjalët e tij tepër të veçanta që tha për ne dhe ne sjellim përshëndetjet më të mira për vëllezërit tanë shqiptarë.
Ilker Ayci: Një nga cështjet e diskutuara mes presidentit tonë Erdoan, dhe kryeministri Edi Rama ka qenë bashkëpunimi në fushën e Aviacionit Civil Në bazë të vendimit të përbashkët që ka arritur presidenti turk me kryeministrin shqiptar ne kemi përveshur mëngët dhe po punojmë për të realizuar vendimin që kanë marrë ata bashkarisht. Kemi realizuar disa vizita në Shqipëri dhe po përgatisim fizibilitetin e projektit.