Projektligji për ndryshimet klimatike, ministri Jaupaj: Fond i gjelbër dhe rritje me 50% të gjobave

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural diskutoi këtë të martë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për ndryshimet klimatike” të ndryshuar”. Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha se ndryshimet në ligjin “Për ndryshimet klimatike”, kanë për qëllim forcimin e kuadrit ligjor për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e gazeve me efekt serrë (GES), si dhe përafrimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, ndryshimet përfshijnë shtimin e dispozitave të reja për sektorët e energjisë dhe transportit, të cilat parashikojnë hartimin e planeve vendore për energjinë, klimën dhe përshtatjen që nga viti 2027, si dhe zhvillimin e infrastrukturës për lëndët djegëse alternative, në përputhje me rregulloren e BE-së për karburantet e gjelbra. Ministri theksoi se një nga risitë kryesore është krijimi i sistemit MRVA (Monitorim, Raportim, Verifikim dhe Akreditim), që do të mundësojë kontroll më të saktë të shkarkimeve të gazeve serrë në industri, transport ajror dhe detar.

“Ndryshimet synojnë të rrisin transparencën dhe saktësinë e të dhënave mbi emetimet, duke garantuar që Shqipëria të përmbushë detyrimet kombëtare e ndërkombëtare për reduktimin e gazeve serrë dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së. Projektligji parashikon zbatimin gradual të këtij sistemi me periudha afatshkurtra 2025-2026, fashë pilote që lejon subjektet të përshtaten me kërkesat e reja dhe institucioneve të ndërtojnë kapacitete të reja legjislative”, u shpreh ai, teksa vuri në dukje se deri tani fokusi ishte tek operatorët industrialë dhe tani do të shtrihet deri te bizneset që shesin lëndë djegëse, të cilët duhet të raportojnë për shkarkimet serrë që vijnë nga produktet e tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga ana tjetër, Jaupaj tha se zbatimi i sistemit MRVA do të nisë gradualisht nga viti 2026 edhe në subjektet e transportit detar e ajror, ndërsa synohet gjithashtu nxitja e politikave për reduktimin e ndotjes, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe zhvillimin e investimeve të gjelbra, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë për klimën.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në kuadër të procesit të integrimit në BE, projektligji do të mundësojë zbatimin e plotë të sistemit MRVA siç kërkohet nga Komisioni Evropian, dhe pritet të sjellë përfitime konkrete financiare për vendin, mbështetje nga programet e reformave të Bashkimit Evropian. “Zbatimi i këtij ligji do të kontribuojë në rritjen e transparencës, ndërtimin e një sistemi modern të raportimit mjedisor dhe forcimin e politikave kombëtare për mbrojtjen e klimës dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, deklaroi Jaupaj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?