Projektligji “Për Shërbimet Digjitale”, Shqipëria përafron legjislacionin me Aktin Evropian për Shërbimet Digjitale

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka prezantuar relacionin shpjegues për projektligjin e ri “Për Shërbimet Digjitale në Republikën e Shqipërisë”. Ky iniciativë ligjore ka për qëllim zëvendësimin e kuadrit të vjetruar të tregtisë elektronike dhe ndërtimin e një mjedisi online të sigurt, transparent dhe të parashikueshëm, duke transpozuar pjesërisht Rregulloren (BE) 2022/2065 të Parlamentit Evropian (e njohur si Digital Services Act – DSA).

Inisiativa mbështet përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, veçanërisht për Kapitullin 10 (Shoqëria e Informacionit dhe Media) dhe përmbushjen e Agjendës Kombëtare të Reformave 2024–2027.

Objektivat kryesore dhe rregullimi i ndërmjetësve online

Swiss Digital Desktop Reklama

Projektligji strukturon përgjegjësitë e ofruesve të shërbimeve ndërmjetëse sipas kategorive specifike — që nga transmetuesit e thjeshtë (mere conduit), ruajtësit e përkohshëm (caching), ofruesit e hostimit (hosting), e deri te platformat online dhe motorët e kërkimit shumë të mëdhenj (VLOPs dhe VLOSEs).

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndër shtyllat kryesore të këtij kuadri të ri përfshihen:

  • Mbrojtja e konsumatorëve dhe të miturve: Ndalohet profilizimi i të miturve për qëllime reklamimi dhe kërkohet gjurmueshmëria e tregtarëve në platformat e tregtisë elektronike (e-commerce).
  • Lufta kundër përmbajtjes së paligjshme: Vendoset mekanizmi i standardizuar “njoftim dhe veprim” (notice and action), si dhe njihet roli i “sinjalizuesve të besuar” (trusted flaggers).
  • Transparenca e platformave: Obligime për publikimin e raporteve vjetore të moderimit, qartësi mbi algoritmet e rekomandimit dhe etiketime të sakta të reklamave.

“Digjitalizimi i tregut kërkon rregulla të harmonizuara që mbrojnë të drejtat themelore të përdoruesve, pa cenuar lirinë e shprehjes. Projektligji krijon mekanizma të qartë llogaridhënieje për platformat online, duke përputhur Shqipërinë me standardet më të larta të Bashkimit Evropian,” nënvizohet në relacionin shpjegues të projektaktit.

Një nga risitë kryesore të projektligjit është krijimi i funksionit të Koordinatorit të Shërbimeve Digjitale (Digital Services Coordinator – DSC), si autoritet i pavarur përgjegjës për koordinimin ndërinstitucional dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit.

Modeli i propozuar bazohet në praktikat e vendeve anëtare të BE-së (si Gjermania, Italia apo Kroacia), ku rolet mbikëqyrëse ndahen mes autoriteteve kompetente si AKEP, AMA, Komisioneri për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale, Autoriteti i Konkurrencës dhe Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK).

“Koordinatori i Shërbimeve Digjitale do të funksionojë në mënyrë të pavarur, me kompetenca të plota hetimore, sanksionuese dhe monitoruese. Ai do të shërbejë si ura kryesore e bashkëpunimit me autoritetet homologe në BE dhe Komisionin Evropian,” sqaron dokumenti zyrtar.

Struktura e Projektligjit dhe Afatet e Zbatimit

Projektligji përbëhet nga 61 nene të ndara në pesë krerë. Për t’i dhënë kohë tregut dhe institucioneve të përshtaten, zbatimi i tij do të bëhet me faza:

Kreu / Dispozita Përmbajtja Kryesore Afati i Hyrjes në Fuqi
Kreu I & II (Nenet 1–10) Qëllimi, fusha e zbatimit dhe regjimet e përjashtimit të kushtëzuar nga përgjegjësia 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare
Kreu III (Seksionet 1–4) (Nenet 11–32; 44–48) Detyrimet e kujdesit të duhur, mekanizmat e njoftimit, transparenca dhe mbrojtja e të miturve 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare
Kreu III (Seksioni 5) (Nenet 33–43) Rregullat për Platformat e Mëdha Online (VLOPs) dhe motorët e kërkimit (VLOSEs) 12 muaj pas botimit (Shfuqizohen automatikisht me anëtarësimin në BE)
Kreu IV & V (Nenet 49–61) Kompetencat e Koordinatorit (DSC), sanksionet, ankesat dhe rishikimi Sipas përcaktimeve kalimtare

Sipas vlerësimit zyrtar, projektligji nuk sjell efekte financiare të drejtpërdrejta në Buxhetin e Shtetit, pasi mbikëqyrja e platformave shumë të mëdha do të mbështetet edhe nga tarifat mbikëqyrëse që do të mblidhen nga vetë operatorët ekonomikë.

Aktualisht, projektligji po kalon procesin e konsultimit publik dhe vlerësimit teknik me Komisionin Evropian përpara se të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

/rtsh.al/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?