Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela raporton në Komisionin e Ligjeve: Mbi 50 mijë procedime në 2025, 76% janë krime
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka raportuar në Komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e Prokurorisë për vitin 2025. Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë vitit të kaluar prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm trajtuan mbi 66 mijë materiale në shqyrtim, 8.55% më shumë krahasuar me vitin 2024.
“Gjatë vitit 2025 u ndoqën gjithsej mbi 50 mijë procedime, duke shënuar një rritje prej 5.35% krahasuar me vitin 2024. Mbi 27 mijë prej tyre ishin procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 8.5% në krahasim me vitin 2024. Gjithashtu, u mbartën mbi 22 mijë procedime nga periudhat e mëparshme, ndërsa 184 procedime u rifilluan.
Numrin më të madh të procedimeve e pati Prokuroria e Tiranës, me 36.62% të totalit, e ndjekur nga Durrësi me 9.5%. Korça, Shkodra dhe Fieri përbëjnë secila rreth 7% të procedimeve, ndërsa numri më i ulët i procedimeve rezulton në Kukës dhe Dibër, me rreth 2% të totalit.
Sa i përket koeficientit të kriminalitetit, bazuar në procedimet e regjistruara për 100 mijë banorë, në vitin 2025 ai ishte 1,145, ndërsa në vitin 2024 ishte 1,037.
Raporti mes krimeve dhe kundërvajtjeve penale tregon se 76% e procedimeve lidhen me krime, ndërsa 24% me kundërvajtje penale.
Veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve janë ato kundër rendit dhe sigurisë publike, të cilat përbëjnë 33% të totalit dhe kanë shënuar një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2024. Vjedhja e pasurisë përbën 21% të procedimeve të regjistruara, duke shënuar një ulje prej 2%.
Veprat penale kundër familjes përbëjnë 7% të totalit, me një rritje prej 2%. Ndërkohë, veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës përbëjnë 8% të procedimeve dhe kanë pësuar një rritje të ndjeshme prej 51%.
Veprat penale kundër shkatërrimit të pronës përbëjnë 3% të totalit të procedimeve, ndërsa po aq, 3%, përbëjnë edhe veprat penale kundër shëndetit“, tha Çela.
KOHA JONË SONDAZH

