Pronat, nga sot nis aplikimi për kompensimin financiar

Nis nga dita e sotme, 5 janar 2015, procesi i aplikimit për të gjithë ata pronarë që kërkojnë të përfitojnë financim financiar mbi tokën e tyre truall të shpronësuar. Lajmi bëhet me dije nga vetë drejtuesit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas të cilëve, ky proces bazohet ligjërisht tek vendimi i posaçëm i qeverisë, marrë në fundvitin e kaluar, titulluar "Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2014". “AKKP njofton fillimin e procesit të pranimit dhe të regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla, nga fondi në të holla për vitin 2014, për subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim. Me këtë ras, ajo fton të gjithë subjektet e shpronësuar apo trashëgimtarët e tyre të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim dhe dokumentacionit shoqërues”, citohet nga drejtuesit e këtij institucioni, i cili merret posaçërisht me çështjet e kompensimit të pronave, i bllokuar në fakt që në tetor të vitit 2013, pikërisht për shkak të rikonfigurimit të tij. Më tej, njoftimi i agjencisë saktëson se procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga fondi i posaçëm i caktuar nga qeveria për kompensim, do të fillojë pikërisht sot dhe se do të zgjasë një muaj, deri në datën 5 shkurt  2015. “Të gjithë subjektet e interesuara duhet të paraqiten pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga e hëna në të premte, për të tërhequr numrin e aplikimit nga ora 08.30 – 09.30, pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Procesi i pranimit të kërkesave do të fillojë në orën 10.00 dhe do të vazhdojë deri në përfundim të numrit të fundit me të cilin është pajisur subjekti kërkues”, janë disa nga detajet e tjera të këtij procesi. Ndërsa risjellim në mendje se bazuar në rregullat dhe kriteret, për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2014, përfitojnë kompensim, pikërisht ato subjekte të shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës tokë truall, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet. Dhe se nga fondi i vitit 2014 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë. Gjithashtu, kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës miratuar me VKM. nr. 514 datë 30.07.2014 "Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë" sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Ndërsa masa e kompensimit është 200 m² e sipërfaqes truall të caktuar për kompensim në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës të miratuar me VKM – në e mësipërme.

 

 

 

 

 

 

LISTA

 

Dokumentacioni që duhet

 të paraqesin aplikuesit:

 

 Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:


a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM-së të plotësuara sipas rubrikave;

b) Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit apo Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;

c) Planvendosjen e vendimit, si dhe planin e rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim. Plani i rilevimit duhet të pasqyrojë konturin (kufirin) e pronës së vjetër duke përcaktuar qartë sipërfaqen e njohur, të kthyer dhe atë të njohur për kompensim;


d) Dëshminë e trashëgimisë;


e) Prokurë, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;


f) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare;


g) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të përfaqësuesit me prokurë;


h) Mandat-pagesën për shumën 2.000 lekësh.

 

 

                                        ****

 

Subjektet që kanë aplikuar për kompensim në të holla në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 duhet të paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm:


a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave.

 

b) Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.

c) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008, 2009, 2011,2012 dhe 2013 ka kufizim në kohë për tagrin e përfaqësimit, tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.

                                        ****

 

Në rast se aplikimi kryhet për vendime të tjera, të ndryshme nga ai me të cilin është aplikuar në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 subjektet duhet të plotësojnë dhe paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e plotë në përputhje me pikën 4 të VKM nr. 889 datë 17.12.2014.

 

 

 

Përjashtimi nga pagesa

Subjektet e shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013, dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2014. Teksa kujtojmë se kjo e fundit është në vlerën prej 2 mijë lekësh.

 

 

SQARIMI

 

Drejtorja e AKKP-së: Kujdes,

kompensimi vetëm për “truall”

 

Drejtorja e përgjithshme e AKKP-së ka sqaruar në një prononcim të saj për mediat rreth procesit të aplikimit për kompensim të pronarëve se vendimi i qeverisë është hapur për kompensimin e atyre që kanë në duart e tyre në fakt një vendim kompensimi të zërit kadastral truall. “Është shumë e rëndësishme të bëjmë me dije të gjithë subjektet e interesuara se do të pranohen në sportelet tona vetëm vendimet e kompensimit për zërin kadastral truall dhe jo për zëra të tjerë kadastralë. Në fakt gjithë këto vite proces kthimi dhe kompensimi pronash, por edhe në procesin e kompensimit financiar që ka filluar në vitin 2005 është realizuar vetëm kompensimi financiar i zërit kadastral truall dhe nga viti 2005 deri në vitin 2013 rreth 21 mijë vendime kompensimi që ne kemi gjatë këtij viti në zyrat tona, me transparencën që realizuam, vetëm 700 vendime kompensimi janë ezauruar në këtë proces, edhe pse është i pjesshëm. Ne kemi synimin dhe ambicien që nga viti 2015, me reformën që duam të realizojmë në këtë fushë, të realizojmë dhe krijojmë një mekanizëm, një formulë të re për kompensimin e pronarëve që do të përfshijë të gjithë subjektet e interesuar që kanë vendime kompensimi pavarësisht zërit kadastral të tyre”, ka sqaruar gjithashtu drejtorja e AKKP-së, Qato. 

 

SHKARKO APP