Propaganda
Nga Gëzim Mekuli
Propagandimi për ndërtimin e harmonisë në shoqëri dhe propagandimi pozitiv për qëllime strategjike dhe demokratike sot, thuaja se është e pranuar. Këtë e argumentojnë edhe shumë hulumtues të shkencave të mediave, të retorikës dhe të komunikimit. “Secili shtet, po ashtu edhe ato me rregullime demokratike, duhet të drejtojnë popullin në drejtim të caktuar. Këtë mund ta bëjnë vetëm duke ndikuar në opinionin publik. Propaganda nuk është vetëm legjitime, ajo është edhe e domosdoshme.”
Burime të mëdha materiale dhe intelektuale janë duke u investuar në fushën e quajtur "Public relation” (marrëdhëniet publike). Kjo shprehje amerikane, e shkurtuar në “PR”, nuk është e lehtë të përkthehet në shumë gjuhë, duke përfshirë edhe gjuhën tonë. Karakteristikë e përgjithshme dhe qëllim i saj parësor dhe fundamental është komunikimi dhe informimi me qëllim që të ndikojnë mbi sjelljet dhe ndodhitë. Që në vitin 1920 "Public relation" ishte drejtim studimi universitar në SHBA. Pas luftës atje u zhvilluan programe kapitale hulumtuese brenda kësaj fushe. Kombe e shtete të tjera me shpejtësi ndoqën këtë shembull e “PR” është bërë sot një pjesë përfshirëse e industrive të mëdha shumëkombëshe, organizatave, departamenteve, qeverive dhe partive politike.
Sa i përket qëllimit dhe formës së komunikimit, brenda fushës së “PR”-së, profesorët e komunikacionit Grunig dhe Hunt, përcaktojnë katër modele të komunikimit: Modeli propagandistik është një komunikim njëdrejtimësh dhe asimetrik. Ky model quhet asimetrik sepse dërguesi dhe pranuesi nuk janë të barabartë, njëra palë provon vetëdijshëm që të ndikojë dhe të bindë palën tjetër. Shikuar në planin historik, ky është modeli i parë i “PR”-së. Modeli i dytë që është më modern, i kushton rëndësi faktit që komunikimi të jetë dy drejtimesh, por përsëri me qëllim ndikimi e bindjeje. Modeli informativ është modeli i tretë i kësaj nënndarjeje. Edhe ai ndërtohet në baza njëdrejtimëshe, por qëllimi parësor i tij nuk është ndikimi dhe bindja e palës tjetër, por vetëm ai informativ. Komunikimin simetrik plotëson renditjen e bërë nga Grunig dhe Hunt. Në këtë model dërguesi dhe marrësi janë në kushte të barabarta dhe komunikimi ka bazë dialogun.
Lufta dhe marrëdhëniet publike
Se “PR” do të thotë ndikim dhe se propaganda e drejtpërdrejtë mund të jetë një pjesë e tij, duket e qartë gjatë krizave të mëdha dhe gjatë luftërave. Andaj marrëdhëniet publike përfshin edhe institucionet ushtarake. Gjatë luftës në Vietnam, senatori J.W. Fulbright shkroi librin "Propaganda e Pentagonit". Ndër të tjera, ai pohon se vetëm Departamenti i Armatimit të Aviacionit kishte 1305 të punësuar në “PR”. (Fulbright 1970: 88).
Edhe gjatë luftës në Ballkan u aktivizuan dhe u paguan zyrat ndërkombëtare të specializuara të “PR”-së. Kështu, në vitet nëntëdhjetë palët në luftim huazuan dhe aktivizuan zyrat më të përgatitura dhe më të mirënjohura të “PR”-ve. Këto zyra kishin për qëllim që të jepnin informacione dhe të thurnin lavde për palën që përfaqësonin. Kështu, Qeveria serbe për aktivitetin e saj propagandues huazoi dhe pagoi lobistët britanikë "Ian Greer Associates", si përkrahës dhe lojtarë aktivë në mbrojtjen, në sofistikimin, në transmetimin dhe në përpunimin e propagandës pro-serbe. Edhe qeveritë në Kroaci dhe në Bosnjë e Herzegovinë nënshkruan një kontratë me "Ruder Finn" në Uashington. Kjo zyrë e “PR”-së u pagua që të jetë në mbrojtje propagandistike dhe të përkujdesej për interesat kombëtare të kroatëve dhe të boshnjakëve gjatë tërë luftës. Revista "New Stateman", më 31 korrik 1992, zbuloi se "Ruder Finn" dhe "Ian Greer Associates" ishin shumë të suksesshëm gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Fletushkat në rolin e “PR”-së
Edhe gjatë luftës çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë, përpos faktorit ushtarak dhe atij politik, rol veçanërisht të madh luante fushata informative propagandistike. Sipas Joint Doctrine, fushata e operacioneve informative të vitit 1998, për të ndikuar në formën dhe në përmbajtjen e mediave, kishte filluar që para fillimit të bombardimeve në Kosovë. Pothuajse të gjithë gazetarët duhej që aktet e luftës t’i shihnin dhe t’i merrnin sipas pikëpamjes së ushtarëve të NATO-s. Është me rëndësi të nënvizohet se për të fituar opinionin publik në brendësi të Serbisë, ofensiva e marrëdhënieve publike të televizionit dhe të radios u zëvendësua me hedhjen e ”fletushkave” nga ajri prej aeroplanëve të NATO-s. Mbi Beograd dhe Novi-Sad u hodhën me mijëra fletushka të tilla e ku secili aeroplan kishte rreze mbuluese prej 5000 km. Si pasojë e ndikimit të këtyre fletushkave, shumë korrespondentë flisnin me një mendim të ndarë për luftën në Kosovë brenda popullsisë serbe. Kishte të dyshimtë dhe kuriozë.
Për të kristalizuar rëndësinë e “PR”-së në luftën e NATO-s kundër Serbisë, do të marr gjashtë prej këtyre fletushkave si objekt analize. Disa burime ushtarake të pavarura thonë se vetëm në luftërat e Ballkanit çdo mbrëmje janë hedhur nga 2.5 milionë fletushka të tilla. Me qëllim që efekti të ishte më i madh dhe më i fuqishëm, ato ishin të përkthyera edhe në gjuhën serbokroate:
Fletushka nr 1.
Përkthimi i fletushkës numër 1. “Javët e fundit, policia dhe ushtria serbe, nën urdhrat e drejtpërdrejta të Millosheviçit, filloi spastrimin etnik në shumë fshatra dhe qytete të Kosovës e Metohisë. Me mijëra shtëpi u shkatërruan dhe u dogjën. Kryefamiljarët u ndanë nga gratë dhe fëmijët e tyre dhe u vranë. Me mijëra njerëz të pafajshëm dhe të paarmatosur dyshohet të jenë vrarë. Me qindra mijëra refugjatë janë duke ikur si rezultat i programit të Millosheviqit. NATO mbron të gjithë ata që nuk mund të mbrohen. NATO do të intensifikojë goditjet e saj përderisa forcat të cilat janë duke ushtruar dhunë ndaj civilëve në Kosovë e Metohi të tërhiqen, përderisa nuk do të kthehen të sigurt të gjithë refugjatët dhe përderisa udhëheqësi juaj nuk pranon një bisedim të logjikshëm. NATO është këtu për të gjithë ata që nuk mund të mbrohen në Kosovë e Metohi”. NATO
Fletushka nr. 2 (pak kohë para se të fillonte sulmi ajror):
Përkthimi i fletushkës nr. 2 ”Mos më prit!” “Më shumë se 13000 shërbyes të ushtrisë jugosllave kanë dezertuar, sepse ata nuk duan të ndjekin urdhrat ilegale të luftës së Millosheviqit kundër civilëve në Kosovë. Në qoftë se do të mbeteni në Kosovë, vdekjen do ta shihni me sy, ose braktiseni togën tuaj dhe pajisjet tuaja ushtarake dhe ikni nga Kosova. Nëse vendosni të mbeteni në Kosovë, NATO pareshtur do t’ju sulmojë nga të gjitha drejtimet.”
NATO
Fletushka nr. 3 (Pak kohë para se të dërgoheshin helikopterët bombardues):
Përkthimi i fletushkës nr. 3
”Mos më prit!”
“Vini re, forca ushtarake jugosllave!
Ju mund të fshiheni, por forcat e NATO-s do t’ju shohin.
Në qoftë se do të mbeteni në Kosovë, vdekjen do ta shihni me sy, ose braktiseni togën tuaj dhe pajisjet tuaja ushtarake dhe ikni nga Kosova.
Nëse vendosni të mbeteni në Kosovë, NATO pareshtur do t’ju sulmojë me sistem armatimi të të gjitha kombeve dhe nga të gjitha drejtimet, nga toka, nga deti dhe nga ajri.
Mos dëgjoni më urdhrat e Millosheviqit dhe ndaloni gjenocidin dhe vrasjet ndaj civilëve të Kosovës.
Ju jeni përgjegjës për aksionet tuaja dhe do të përgjigjeni për ato.
Zgjedhja është në dorën tuaj.”
NATO
Fletushka nr. 4:
Përkthimi i fletushkës nr. 4
“Me vite të tëra Millosheviqi po luan poker me fatin e popullit serb. Politika e tij humbi Krainën, Slloveninë dhe Sarajevën. Tashti përsëri luan bixhoz në Kosovë. Ai është duke lidhur bast me vendet e shenjta të Serbisë, me vendet e saja në botë dhe me jetët e popujve të tij. A janë këto vërtet humbje të tijat?”
Fletushka nr. 5:
Përkthimi i fletushkës nr. 5
“S’ka naftë
S’ka rrymë
S’ka tregti
S’ka liri
S’ka ardhmëni
MILLOSHEVIQ
Edhe sa gjatë do të vuani ju për Millosheviqin? Aq kohë sa Millosheviqi do të zbatojë politikën e tij të shkatërrimit, të dhunimit dhe të vrasjeve në Kosovë e Metohi, po aq kohë do të jetë e izoluar Serbia nga komuniteti ndërkombëtar.
Mos lejoni që të shndërroheni në pengje të vrasjeve të Millosheviqit.”
Fletushka numër 6
Për tu kuptuar sa më mirë porosia e efekti të jetë akoma më i madh, fletushkat, sic u tha edhe më sipër, u përkthyen edhe në gjuhën e vendit, pra në gjuhën serbe.
Mengjezi i Beogradit
Përkthimi i fletushkës numër 6
Intervitë me udhëheqësit serb
Lajme nga vendi dhe Bota
Porositë popullit serb
Inforamcione nga NATO
Ky ishte vetëm një shembull mbi “PR”-në e NATO-s para dhe gjatë bombardimit e sulmit të aleancës mbi forcat ushtarake serbe. Me këtë shembull dëshiroj të ngre një pyetje e një debat rreth asaj se në çfarë mënyre u zhvilluan marrëdhënia me publikun në Kosovën e para dhe të gjatë luftës. Sa ishin të përgatitur mediat dhe strukturat tona shtetformuese për një paraqitje profesionale të interesave politike të popullit shqiptar në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm?
”Public relation” në Kosovë
Në Kosovë e Shqipëri politikat partiake ende i shfrytëzojnë mediat si instrument për të shfryrë inatet personale dhe për të mbrojtur interesat e ngushta partiake. Mendimi dhe ideja për të ndërtuar një zyrë për marrëdhëniet me publikun (“PR”) me përmasa e strategji kombëtare, asnjëherë nuk është shtruar dhe analizuar si duhet nga ministrat e Qeverisë së Kosovës e as ajo e Tiranës.
Përsëri tek shteti fqninjë Serbia: Qeveria serbe ka shpallur zyrtarisht nënshkrimin e kontratës me zyren e specializuar për marëdhënje me publikun Barbour, Griffith & Rogers (BG&R) për të lobuar mbi interesat e saj në Departamentin e Shtetit Amerikan. Lajmi është konfirmuar nga Ministri serb i asaj kohe për Marrëdhëniet ndërkombëtare ekonomike, Milan Parivodic, i cili është edhe nënshkruesi i kësaj kontrate për qeverinë serbe me kompaninë private amerikane.
Sipas agjencisë së lajmeve Tanjug, ministri ka deklaruar se “qeveria serbe ka firmosur kontratën me Barbour Griffith & Rogers (BG&R), për të përfaqësuar interesat politikë në Uashington. “Kjo është një sjellje e zakonshme në politikën e jashtme të vendit, që kujdeset për interesat e saj”, nënvizonte ministri Parivodic, duke shtuar se kontrata është nënshkruar që vjeshtën e kaluar. “Ne kemi punësuar ndoshta kompaninë më të mirë në botë e cila do të promovojë interesat tona serbe në një mënyrë legjitime” kishte thënë Parivodic për Tanjug. (09.10.06)
Qeveritë tona, së pakut deri sot, nuk janë duke menduar hollë e profesionalisht. Këto do të duhej të ndihmonin e të nxisnin specialistët dhe të tjerët në përparimin dhe në zhvillimin e fushës së komunikimit, informimit dhe të marrëdhenieve publike.