Propozimi: Heqje vizash për turistët rusë që më 1 Maj

Në vijim të përpjekjeve për të promovuar Shqipërinë si një destinacion turistik në një treg me potenciale të mëdha sikurse është ai rus, u zhvillua sot një takim zyrtar mes Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku dhe ambasadorit Rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin.

Gjatë këtij takimi u diskutuan format e ndryshme të bashkëpunimit dypalësh me synim njohjen e vendit tonë. Karpushin vlerësoi vizitën e fundit zyrtare në Rusi, si një zhvillim pozitiv në drejtim të rritjes së aktiviteteve promovuese që po ndërrmerr AKT-ja dhe siguroi gjithë mbështetjen e tij për të ftuar operatorë të ndryshëm turistikë rusë, me qëllim përfshirjen e Shqipërisë në paketat e tyre turistike.

Nga ana tjetër, titullari i AKT-së, Çollaku konfirmoi përpjekjet që po zhvillohen për të rritur nivelin e bashkëpunimit dhe tërheqjes së sa më shumë turistëve rusë, ku duhet pranuar që numri i tyre nuk ka qenë në nivelin e duhur.

Ndërkohë, situata aktuale do të ishte një mundësi e mirë që vendi ynë të kthehet në vëmendjen e turistëve rusë dhe si pasojë, do të sillte edhe thithjen e investimeve të mundshme në fushën e turizmit.

Për këtë arsye, në prag të këtij sezoni turistik veror do të propozohet heqja e vizave për qytetarët rusë që më datën 1 maj, ndryshe nga viti i kaluar kur u hoqën më datën 1 qershor.

Një tjetër çështje e diskutimit ishin edhe fluturimet direkte, të cilat do të ishin zgjidhja më e mirë dhe komode për të rritur fluksin e turistëve rusë në drejtim të vendit tonë. Gjithashtu, një ndër hapat e parë konkrete të bashkëpunimit do të jenë botimet e materialeve promocionale në gjuhën ruse si një element mjaft i rëndësishëm për të rritur njohuritë mbi potencialet turistike që Shqipëria ofron.

 

 

SHKARKO APP