Propozimi nga PS, Balla: Votim dhe numërim elektronik për zgjedhjet e ardhshme në Tiranë
Kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, ka rikonfirmuar mbështetjen për përdorimin e teknologjisë në proceset zgjedhore, duke e konsideruar votimin dhe numërimin elektronik si një hap të rëndësishëm drejt transparencës dhe përshpejtimit të shpalljes së rezultateve. Gjatë deklaratës së tij, Balla vlerësoi se Bashkia e Tiranës do të ishte një zgjedhje ideale për zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme vendore.
”Bashkia Tiranë do ishte perfekte për votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm”, u shpreh Balla, duke theksuar rëndësinë e shmangies së vonesave të gjata në procesin e numërimit të votave. Sipas tij, eksperiencat e mëparshme me votimin elektronik kanë treguar se teknologjia mund të ndihmojë në përcaktimin më të shpejtë të vullnetit të zgjedhësve.
”Kanë mjaftuar disa palë zgjedhje, për të konfirmuar se dalja menjëherë e rezultatit të zgjedhjeve, për të përcaktuar vullnetin e votuesve, është diçka e domosdoshme”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist.
Balla solli në vëmendje edhe përdorimin e votimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2025, në Vorë dhe në njësinë administrative nr. 10 në Tiranë, duke argumentuar se këto eksperienca përbëjnë një bazë për zgjerimin e mëtejshëm të kësaj praktike. ”Le t’ua lëmë përfaqësuesve tanë në KQZ përcaktimin e bashkive. PS e mbështet fuqishëm përdorimin e teknologjisë”, tha Balla. Ai pranoi se vendimmarrja në KQZ mund të ndikohet nga përfaqësimi politik dhe mundësia që palët të bllokojnë njëra-tjetrën.

