Protesta mund ta ketë thelluar përkrahjen për opozitën, por jo zgjeruar

 

Nga Eduard Zaloshnja/

Në fjalimin që mbajti gjatë protestës së opozitës në 8 dhjetor, Lulzim Basha bëri thirrje për protesta të tjera në ditët në vazhdim, deri në rrëzimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike. Dhe këtë thirrje ai ua adresoi si atyre që kanë votuar për opozitën, ashtu edhe atyre që s’kanë votuar për të dhe janë të pakënaqur me qeverinë e sotme.

Por goditjet me gurë e me shishe me lëndë djegëse ndaj godinave të kryeministrisë e të dy ministrive, që pasuan thirrjen e mësipërme nuk e përforcuan atë. Përkundrazi, ato mund të kenë patur efektin e kundërt.

Këto akte, si dhe djegia  e bunkerit simbolik të ndërtuar nga Rama para Teatrit Kombëtar, mund të kenë entuziazmuar shumë nga 680 mijë zgjedhësit që votuan para dy vjetësh për deputetët e opozitës dhe para pesë muajsh për kryebashkiakë të saj. Por ata që s’votuan për asnjërin prej koalicioneve, si dhe ata që votuan majtas, por janë të pakënaqur sot, presin tjetër gjë prej opozitës.

Nga një sondazh që zhvillova para disa javëve, rezultonte se rreth 250 mijë votues të majtë nuk janë të kënaqur me punën e qeverisë për të cilën votuan para dy vjetësh. Ndërsa rreth 500 mijë zgjedhës me banim ne Shqiperi nuk votuan për asnjërin nga dy koalicionet. Pra, rezervuari i votave ku mund të kërkojë zgjerim opozita është i madh. Por që ato vota potenciale të shkojnë drejt opozitës, duhet që kjo e fundit t’u japë shpresë dhe jo t’u fusë frikë.

Shpresë votuesve të tillë mund t’u jepet nga opozita vetëm në qoftë se ajo e spastron veten nga ish-ministrat, ish-deputetët, e ish-drejtorët e majmur në luks, që një zot e di sesi e kanë krijuar atë. Më tej, shpresë votuesve të tillë mund t’u jepet nga opozita vetëm në qoftë se ajo e spastron veten nga huliganët që godasin me gurë e me shishe me lëndë djegëse ndaj godinave shtetërore. Sepse programe te bukura ne leter mund te hartoje çdo opozite… 

Duke u kthyer te protesta e 8 dhjetorit, mund te thuhet se një protestë e udhëhequr nga politikanë të majmur të mercedesave të zinj dhe e shoqëruar me akte vandalizmi ndaj pronës publike nuk mund të tërheqë një votues të majtë, i cili vetëm dy vjet më parë ka votuar që te tille politikane të shkonin në shtëpi. E aq më pak një mosvotues, i cili para dy vjetësh s’pati shpresë tek asnjëri koalicion politik.

Dhe në qoftë se opozita nuk zgjerohet, i bie që të mbetet tek 680 mijë votat që mori në 2013-ën dhe në 2015-ën…

Respublica.al

SHKARKO APP