FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Protesta në ditën e 23-të, deputetet e PS shprehin hapur një shqetësim të përbashkët

Pavarësisht se kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e largimit nga drejtimi i qeverisë, protesta qytetare vazhdon të mbajë gjallë presionin politik. Ripostimet e mesazheve të kryeministrit dhe reagimet e koordinuara tregojnë përpjekjen e mazhorancës për të rifituar terren në debatin publik dhe për të zbehur ndikimin që protesta po fiton në hapësirën digjitale.

Kështu dy deputetet e PS-së, Lindita Nikolla dhe Evis Kushi kanë pothuaje një reagim. Në deklaratën e saj, Nikolla nënvizon se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe element thelbësor i demokracisë, por paralajmëron se ajo nuk duhet të shndërrohet në justifikim për fyerje, bullizim apo linçim publik. Sipas saj, kur debati zëvendësohet nga urrejtja, dëmtohet vetë shoqëria dhe dobësohet kultura demokratike.

Edhe Kushi shpreh shqetësim për përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të gjuhës së ashpër në media dhe rrjetet sociale, duke theksuar se kritika dhe kundërshtimi janë legjitimë, por dehumanizimi i kundërshtarit politik nuk është pjesë e demokracisë. Ajo apelon për më shumë përgjegjësi nga politikanët, mediat dhe qytetarët në komunikimin publik.

Swiss Digital Desktop Reklama

Postimi i plotë nga Lindita Nikolla

Swiss Digital Mobile Reklama

Po ndjek me shqetësim rritjen e gjuhës së urrejtjes në media dhe rrjetet sociale. Në demokraci, protesta është një e drejtë kushtetuese, por ajo nuk mund të shndërrohet në justifikim për fyerje, bullizim, linçim publik apo sulme ndaj kujtdo që mendon ndryshe. Kritika është e domosdoshme dhe kundërshtimi është legjitim. Por kur argumenti zëvendësohet nga urrejtja, humbet debati dhe dobësohet vetë shoqëria. Demokracia nuk matet vetëm nga liria për të folur, por edhe nga mënyra se si zgjedhim ta përdorim atë liri. Le të tregojmë se mund të jemi në kundërshtim me njëri-tjetrin pa humbur respektin, qytetarinë dhe dinjitetin e fjalës.

Postimi i plotë nga Evis Kushi

Gjatë kësaj periudhe po shoh me shumë shqetësim çdo ditë e më shumë gjuhë urrejtje në media e rrjete sociale, ndaj personave publikë me njëri-tjetrin, ndaj deputetëve, kundërshtarëve politikë dhe në përgjithësi kujtdo që mendon ndryshe. Askush nuk e vë në diskutim që protesta është një e drejtë kushtetuese dhe një instrument i rëndësishëm i demokracisë. Dhe duhet ta pranojmë që më në fund ia kemi arritur ditës që këtë të drejtë askush nuk ka frikë ta ushtrojë. Por është po aq e rëndësishme të kuptojmë që protesta nuk mund të shndërrohet në një alibi që justifikon të gjitha fyerjet, mallkimet, linçimet publike, bullizimet dhe gjuhën e urrejtjes ndaj kujtdo që nuk bie dakord me protestuesit, që gjykon ndryshe dhe vepron ndryshe. Kur debati politik zëvendësohet nga urrejtja, atëherë jo vetëm që humbet demokracia, por dobësohet edhe vetë shoqëria.

Sot kemi nevojë për më shumë përgjegjësi nga çdo individ, që nga politikanët, përfaqësuesit e medias, aktivistët e deri tek qytetari i thjeshtë që komenton nëpër rrjete sociale pa hezituar, herë me duartrokitje e herë me mallkime. Kritika është e domosdoshme, kundërshtimi mund të jetë legjitim, por dehumanizimi i kundërshtarit nuk është as demokraci dhe as patriotizëm. Nuk duhet të pranojmë që klima politike të helmohet deri në pikën ku fyerja konsiderohet argument dhe urrejtja paraqitet si kurajo. Shqipëria meriton një kulturë politike dhe shoqërore më të qytetëruar, ku njerëzit gjykohen për veprat dhe qëndrimet e tyre, por jo të sulmohen për t’u poshtëruar.

Kushdo që e ndjen të nevojshme le të protestojë, le të kërkojë edhe llogari nga pushteti. Por këtë duhet ta bëjë duke ruajtur respektin për njëri-tjetrin, duke ruajtur normat elementare të komunikimit njerëzor. Sepse demokracia nuk matet vetëm nga liria për të folur, por edhe nga mënyra se si zgjedhim ta përdorim atë liri.
Shqipërisë i duhet më shumë argument dhe dialog, por shumë më pak urrejtje, sharje dhe përçarje. Le të tregojmë se mund të jemi qytetarë të përgjegjshëm edhe kur jemi në kundërshtim me njëri-tjetrin. Sepse respekti për mendimin ndryshe është shenjë force, jo dobësie. Dhe demokracia mbrohet dhe forcohet çdo ditë jo vetëm duke ngritur zërin, por mbi të gjitha duke ruajtur dinjitetin e fjalës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Po 13041 (68.3%)
Jo 4740 (24.8%)
Nuk e di 1324 (6.9%)

Vota totale: 19105