Protesta qytetare para Parlamentit, deputetët e PS mbërrijnë dy orë para nisjes së seancës, shënohen incidente
Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur në ambientet e Kuvendit rreth dy orë përpara nisjes së seancës plenare, në një ditë kur përpara Parlamentit do zhvillohet edhe një protestë qytetare, në vazhdën e protestave të nisura prej 32 ditësh, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama.
Në të njëjtën kohë me seancën plenare, qytetarë mblidhen para godinës së Kuvendit për të shprehur pakënaqësitë e tyre, ndërsa policia ka rrethuar zonën.
Në terren janë dislokuar edhe mjete speciale, përfshirë një autoblin dhe një autobot me ujë, si pjesë e planit të masave për menaxhimin e protestës.
Mësohet se efektivët kanë ndaluar disa persona, të cilët në ato momente ndodheshin në anë të rrugës, pranë një biznesi që ndodhet afër Parlamentit.
Ndërkohë disa protestues hodhën miell drejt makinës së kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, teksa po hynte brenda ambienteve të institucionit
Ndërsa sot në orën 10:00 në Kuvend mbahet seanca plenare e radhës, parlamenti është rrethuar nga barrierat metalike. Forca të shumta policie ndodhen pranë ambienteve të tij, pas paralajmërimeve me tone kërcënuese të protestës së një dite më parë. Në protestën e 32-të para Kryeministrisë u bë thirrje për një tjetër tubim para Kuvendit, ku mes rendit të ditës në seancën e sotme janë 2 interpelanca, një me ministrin e Turizmit dhe me atë të Drejtësisë.
Nga sheshi para qeverisë kërkuan që deputetëve t’i bllokohet hyrja në sallë, ndërsa vetë parlamenti të rrethohej demokratikisht.
Rendi i ditës
- Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 2.7.2026, ora 10:00.
- Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
- Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 30.6.2026.
- Njoftime.
- Interpelancë me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
- Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Drejtësisë, z. Toni Gogu, kërkuar nga deputeti Klevis Balliu.
- Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025”.
- Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE Group) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për “Projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë.
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar”.
- Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
- Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
KOHA JONË SONDAZH

