Protesta, si një martesë e lumtur pas përdhunimit

 

Nga Lorenc Vangjeli/

Sali Berisha nuk është Odisea, mbreti i hershëm i Itakës. As drerët e Vitit të Ri në trotuarin e kryeministrisë, as Kërpudha ca metra më tej mbi bar, as streha e bardhë me drita gazmore që ndizen natën në hyrjen e godinës ku punon Edi Rama dhe aq më pak, as Bunkeri teatral në oborrin në mes Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Brendshme, pra, asnjë prej tyre, nuk janë Sirenat që përmend Homeri kur flet për mençurinë e Odiseas. Sirena nuk janë as muret e kryeministrisë prej më shumë se dy vjetësh pa gardh, as dritaret e zyrave të ministrive dhe as skelat e riparimit të fasadave të tyre. Ndaj Doktori kur kalon pranë drerëve të Ramës, nuk mbyll as sytë dhe as veshët siç do të bënte Odisesa i Homerit, por i shkel me këmbë, ju shkul brirët dhe ju vë zjarrin. Nëse i shpëton pa shkulur kërpudha, ngjyros me bojëra strehën mbi portën në kryeministri, pastaj dërmon skelat në ministrinë e brendshme dhe për më shumë, luan me sportin kombëtar shqiptar – zjarrin & shkatërrimin – me bunkerin e oborrit të Teatrit gjithashtu Kombëtar.

Të hënën në drekë, bashkë me pasardhësin Basha, Doktori ngrihej në majë të gishtave për të shijuar çdo detaj të djegies së betonit, në përpjekjen e radhës për t’i rënë me kokë mureve, qofshin ato dhe prej betoni. Pa fituar asgjë. Duke humbur në fakt shumëçka. Një ditë pas protestës së opozitës, të paralajmëruar si më të madhen e të gjithë historisë në Shqipëri dhe të numëruar si të tillë nga vetë opozita, ka vend për reflektime të ndryshme dhe natyrisht edhe për qëndrime të ndryshme që edhe mund të përjashtojnë njëri-tjetrin. Varësisht pasioneve politike, interesave politike, të vërtetave politike të kujtdo. Fillimisht askush nuk duhet të mbetet pa hedhur një gur mbi vetë protestën, protestuesit dhe drejtuesit e protestës. Edhe nëse janë mëkatarë, edhe nëse janë viktima të mëkatit. I pari është Edi Rama që i quajti vandalë protestuesit dhe vetë protestën e goditi me gurin estetik të “shëmtisë së papranueshme”; pothuaj pesë vjet më parë, pas plumbave realë që i vranë dhe plagosën njerëzit e tij, mbi të u hodhën gurë shumë më të rëndë. Edhe një komision më shumë qesharak se tragjik që do të hetonte “puçi-puçin” e shtetit.

Të dytët, por jo në radhë si të tillë, ishin ambasada amerikane dhe delegacioni i BE-së që kërkuan dënimin e dhunës mbi institucionet dhe nënvizuan se dëmtimi i pronës, përdorimi i zjarrit dhe hedhja e gurëve nuk përputhen me vlerat demokratike. Pastaj me radhë, kush ka një zë publik ose e goditi me gurë protestën duke i kujtuar dhunën e padobishme të shkaktuar ose i shumëfishoi numrin e pjesëmarrësve dhe e konsideroi si fillimin e fundit të maxhorancës, duke e dëmtuar edhe më shumë me këtë të pavërtetë.

 

 

I fundit ishte kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Një ditë më pas, atëherë kur edhe pasionet e çastit, epshi i podiumit përpara protestuesve dhe adrenalina e brohorive duhet t’i ishin fashitur, hodhi gurë edhe më të rëndë mbi protestën dhe mbi veten. I përdori me plot pasion, epsh dhe adrenalinë gurët në foltoren e SHQUP-it, duke bërë një akt tërësisht të pakuptimtë dhe apolitik. Kryetari i PD-së jo vetëm që i mori në mbrojtje zjarrvënësit, jo vetëm i konsideroi ata heronjtë e vërtetë të dufit demokratikas, por ju shprehu atyre edhe mirënjohjen më të thellë. Duke bërë një zgjedhje që i jep atij vetë një portret të dytë, e bën atë besnik të kopjes që kërkon të ndërtojë dhe jo të origjinalit që ai është. Dita më e mirë politike e Bashës ka qenë padyshim maji 2011. Atëherë kur me mobilizimin e gjithkujt, me bekimin e Berishës, me shtytjen e Metës, me aleancën me komunistët e Milloshit, me urimet e shumë socialistëve që urrenin Ramën, me lista të mbushura me import njerëzor demokratik nga komunat periferike dhe me eksportin idiot që socialistët u bënë votuesve të tyre tradicionalë nga kryeqyteti në komuna periferike, humbi ndershëm me vetëm dhjetë vota me Edi Ramën. Atëherë fushata e tij ishte mjaft e mirë sepse nuk ngjante pothuaj në asgjë me fushatat e zakonta të Doktor Berishës. “Rama është kundërshtar për t’u mundur dhe jo armik për t’u vrarë”,- ishte modeli i tij i qeshur përballë portreteve të vrerosur që politika shqiptare ka prodhuar me ngulm gjithmonë. Basha atëherë, fitoi duke humbur. Dhe humbi kur e fitoi Tiranën. Njëlloj si dikush që për t’i shpëtuar burgut, zgjedh të martohet me viktimën që ka përdhunuar. Më saktë që e kanë përdhunuar të tjerë për llogari të tij.

Sot Lulzim Basha fatkeqësisht ka humbur sërish. Sepse ka zgjedhur të zgjidhë gabim dilemat e tij. Ai po tenton dëshpërimisht të ngjajë me Doktorin. Po tenton që me një portret të ngjashëm me Doktorin t’u imponohet kritikëve të tij, t’u ëmbëlsohet miqve që po i rrallohen dhe t’u dëshmojë pushtet servilëve që po i shtohen. Lulzim Basha po kërkon të bëhet Berishë.

Të bërtasë si ai. Të sillet si ai. Të mallkojë si ai. Të drejtojë turma të zemëruara si ai. Të lëvdojë zjarrin, drurin e hurin si ai. Të fotokopjojë Atin kur sillet si Biri i atij Ati që është unik. E ka bërë me parë Jozefina Topalli, të cilën për këtë arsye me dashuri e dashamirësi të sinqertë e kanë quajtur Berisha me fustan. Të martën e tij terse, për tersin e tij, Basha zgjodhi të veshë fustanin radikal të Jozefinës që të ngjante si Doktori. E bëri deri në fund një gjë të tillë. Edhe kur tentoi të bëjë shaka të pista me Erion Veliajn dhe gjobën që i është vënë PD-së nga Bashkia e Tiranës. Ai premtoi se do të paguajë me “…një kastravec 163 milimetra të gjatë…”, gjobën 163 milionëshe për dëmtimet e pronës nga protesta e PD-së. Ky kurs këmbimi politik, do t’i shkonte një “bankieri” race si Doktori, por jo djalit të ardhur nga Holanda mendjehapur dhe moderne. Por në fund të fundit, për t’u rikthyer në nisje të arsyetimit, Lulzim Basha nuk ka faj. Përballë tij Berisha nuk është Odisea, mbreti i vërtetë i Itakës. Berisha është sirena që e ndjell atë të përdorë zjarrin, drurin, gurin dhe hurin. Të trashë zërin dhe të këpusë litarin e zullumit në kryeqytet. Sepse këputi litarin në të cilin ka varur shpresat për rrëzimin e maxhorancës, të cilës çuditërisht i shërbeu me protestën e tij. Këputi një litar duke i lidhur vetë vetes një litar tjetër në fyt, si kravatën e munguar prej kohësh.(Javanews.al)

SHKARKO APP