Protestohet sot në Strasburg kundër padrejtësisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë sot duke nisur nga ora 13:00 para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka theksuar se do të protestohet për të kërkuar drejtësi dhe për t’i kujtuar institucioneve evropiane se kanë themeluar një gjykatë etnike mbi gënjeshtrat e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.
Gucati pret mbështetje të madhe të diasporës shqiptare në këtë protestë, ndërsa tha se do t’ua dërgojnë nga një letër të gjithë anëtarëve të Parlamentit të KiE-së për t’ua dëshmuar padrejtësinë e Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët prej pesë vjetësh po mbahen në Hagë nën akuzën “për krime lufte”.
“Të gjitha ato vërejtje, shkelje i kemi vendosur në dokumentacione për secilin deputet që ta lexojë dhe ta dijë vetë se çfarë gjykate janë duke financuar”, tha ai.
Paraprakisht, veteranët kanë mbajtur protesta në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa, kur u pyet për mundësitë e organizimit të një proteste në Shkup, Gucati tha se për momentin e njëjta nuk do të mbahet për shkak të situatës politike atje. Ndërkaq, ritheksoi se nuk planifikojnë të organizojnë protestë as në Luginë të Preshevës.
Krahas kësaj, Gucati theksoi se dëshmia e ish-gjeneralit amerikan Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë do të jetë një “bombë” për Gjykatën Speciale.
/KosovaPress/
KOHA JONË SONDAZH

