Protestoni, por mos digjni
Nga Ilir Levonja
Protestoni, por mos digjni. Protestoni fort për ndryshim. Por mos shkatërroni. Protestoni zë lart për të drejtat tuaja. Por mos prishni. Protestoni nga mëngjesi deri në mbrëmje. E po qe nevoja deri në mëngjes. Veç me qartësi. Duke i shërbyer arsyes që ju ka nxjerrur në bulevard. Duke i shërbyer demokracisë që ka nevojë për arkitekt të zotë. Jo shoqni kafesh apo grupe interesi. Protestoni që të ndreqni jetën tuaj. Jo ta varfëroni atë. Çdo gur bulevardi, është një kacidhe e hequr nga xhepi juaj. Çdo xham është një preteks i sundimtarit tuaj. Kësisoj do ju justifikohen. Kësisoj do sundojnë. Dhe ju nuk do dëgjoni asgjë tjetër. Veç bojkot, sherr parlamentar, fjalor harbutësh, mos komunikim, kriza politike dhe kriza të përjetshme në tranzicionin e pushtetit nga njëra pale tek tjetra. Protestoni që të prodhoni punëtorë të shtetit, jo shushunja të tij. Protestoni që atë karrike Kuvendi, ta marri ai që shkon në punë. Që e merr lekun me djersë. Duke u lodhur për përmisimin e jetës tuaj. Pasi pushteti vjen nga ju. Protestoni që të prodhoni të ardhme për fëmijët tuaj. Dhe me që jemi tek fëmijët. Protestoni…, pasi borxhi që kanë në qafë. Të paktën deri më sot. Do i mbaj ata më të ndarë nga sa jemi ne tani. Në një atdhe që i përket të gjithëve. Eshtë e thjeshtë. Mendoni se çfarë ka fëmija juaj. Dhe çfarë ai i liderit tuaj. Shoqëria jonë nuk ka nevojë të bëj garë për të pasuruar liderët. Por ju. Mendoni përse ju ecni më këmbë, me urban… me trenin demode. Kur shtetarët tuaj diskutojnë markat e veturave. Protestoni për një atdhe ku t'u bashkojë jo vetëm futbolli. Protestoni për një atdhe ndryshe. Jo si ky…,I cili për ironi të gjaknxehtësisë sonë, ndjenjës vulgare të urrejtjes për njëri-tjetrin. Na mban të ndarë në pesë shtete. Protestoni kundër çdo klike. Çdo shenje robi që nuk ngopet me pushtet. Demokracia është rrjedhë uji. Lëviz…, gjithë kohës. Sot jam unë. Nesër ti. Dhe duhet t'i themi shoku-shokut urime, jetë e shëndet. Mbarësi. Jo plaç, jo poshtë, jo lart, jo shporru. Duhet ta presim e ta përcjellim njëri-tjetrin. Protestoni për t'i thonë Jo, e përsëris…, shoqërisë së një kafeneje. E cila vjen në pushtet se unë të kam inat ty. Dhe ti mua. Protestoni që të keni vendin e punës tuajin. Në bazë të një kontrate aftësie e kualifikimi profesional. Jo partiak. Protestoni që
mos të rrini me sytë nga WesterUninon. Nga qielli, nga deti, nga sportelet e llotarive. Ai vend nuk merr fund pse largohet një Kryeministër. Përkundrazi është duke shkuar drejt fundit nëse mendojmë dhe luftojmë njëri-tjetrin nën emrin e një udhëheqësi.
Ndofta është nuhatja juaj të cilës i druhen edhe ambasadat e huaja. Njerëzimi është një lloj magjie. Një stinë që gjallon jo në raport me diellin në qiell. Por me atë në që ka midis vedit. Vjen një çast kur edhe pritshmëria merr fund. Mbaron durimi. Pyesni veten. A jeni të aftë për punë? Apo jeni krijesa që duhen ushqyer? Nëse është e para. Nëse ju hanë duart. Ju vret koha e tepërt. Ta dini, nuk është faji juaj por atyre që keni zgjedhur. Ndaj duhet ndryshim. Biles rrenjësor. Protestoni dhe mos ndaloni. Të zgjedhësh një here gabim. Dy here, tre, katër… është gabim njerëzor. Të zgjedhësh përjetësisht kështu është faj. Protestoni dhe zbytheni nga karrika çdo mëndjemadh. Çdokënd që ju përbuz. Që ju vjen tek porta në kohë fushate. Ju flet për prosperit. për kundërshtarë tradhtarë. Ndërkohë ju nuk drita. Nuk keni ujë. Nuk keni rrugë. Dhe normalisht, jetoni të zemëruar me fqinjin tuaj. Me ndjenjën e zilisë. Me nofkën komunist, i kuq, demokrat, socialist etj.
Protestoni dhe shkundni me hapat tuaja çdo emër qeveritari.
Protestoni edhe për mijra e mijra arsye të tjera. Kaq sa përmenda unë janë veçse një grusht prej tyre.