Provokon Gjergj Luca, zgjedh vargjet e Fishtës si himn kombëtar në ditën e “çlirimit të Shqipërisë nga regresistët”

Sipërmarrësi Gjergj Luca, i njohur për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë dhe gjestet e papritura, ka zgjedhur një mënyrë krejt origjinale për të shënuar dy ngjarje që për të mbajnë të njëjtin frymëmarrje simbolike: 17 Nëntorin e vitit 1944, çlirimin e Shqipërisë nga nazistët, dhe 17 Nëntorin e vitit 2025, që ai e quan “çlirimi në Bruksel i Shqipërisë nga regresistët”.

Në ditën kur Shqipëria shënoi një hap të rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian—hapjen e Grup-Kapitullit V “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, të mbajtur në Bruksel—Luca ka vendosur ta festojë ndryshe: me një himn.

Por jo me një himn të zakonshëm. Në profilin e tij zyrtar, ai ka publikuar një montazh të një pikture ikonike të Çlirimit të Tiranës, shoqëruar me vargjet e At Gjergj Fishtës, duke shpërthyer njëherazi në provokim dhe nostalgji:

“Unë jam Gjergj Luca dhe ky është himni im kombëtar. Mos më qortoni që kam vendosur krah për krah Fishtën dhe komunistët. Edhe vetë Fishta po të ishte gjallë sot, do të ishte ministër në qeverinë e Ramës.”
— shkruan ai, duke ndezur debat, duke sfiduar tabutë dhe duke vënë përballë dy botë që historia shpesh i ka trajtuar si të papajtueshme.
Himni që ai zgjedh është ai i Fishtës, me thirrje të drejtëpërdrejta veprimi, si të ishte ende koha e zgjimit të një kombi që kërkon të rithemelohet:
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!


Me këtë akt, Luca nuk synon vetëm të festojë një datë apo një moment politik; ai ndërton një narrativë tjetër: se Shqipëria, për ta arritur Europën, ka nevojë të rikthejë në piedestal energjinë e unitetit, të kapërcimit, të bashkimit të Gegëve e Toskëve, të trashëgimisë së Fishtës dhe të çlirimit nga kujtesat e trishta të përçarjes.

Swiss Digital Desktop Reklama

Provokim apo deklaratë identitare?
Ironi apo manifest politik?

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjesti i tij mbetet i hapur për interpretime, ashtu si vetë historia shqiptare që herë i ndan, herë i bashkon heronjtë e vet. Luca zgjedh pikërisht këtë vijë tensioni për të vendosur himnin e tij simbolik, duke i kujtuar publikut se kombi nuk është vetëm një datë në kalendar, por një energji që rizgjohet sa herë shqiptarët ringrejnë veten drejt një horizonti të ri.

Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?